TETOVA E HARRUEME

Për rëndësinë e Oeneumit është shkruar që në periudhën antike. Më vonë është Ana Komnena që më 1097 flet për dy pjesët e Pollogut. I bukur ishte Pollogu për gjeografin arab Al Idrisin, që e vizitoi më 1153. “Qyteti Bulugu (Pollogu) është i bukur dhe gjendet pranë një mali shumë të madh”, shkruante ai. Edhe Marin Barleti, në shekullin e 15, e quan “Urbus Pologus”. Për këto vise flet Homatiani (1216 -1234); ato përmenden në kristobulën e carit bullgar Asenit dhe në kristobulat e carëve serbë. Në shënimet mesjetare përmenden arbanasët; përmenden do katunde që më nuk ekzistojnë; përmenden Progonë, Gjinë e Gjonë. Ka mijëra shënime për rajonin, i cili, si qendër urbane, filloi të lulëzonte më vonë. Flitet paraprakisht për vende të zhvilluara, për qytete në Pollog. Më vonë flitet për Kishën e Zojës, që, shekuj më vonë, tetovarët vazhdonin ta quanin “eski klishë”. Përmendet njëfarë Gërguri, në një shënim të shekullit XIV. Neshri, një historian osman i shekullit XV, shkruante se në kohërat e vjetra “beu shqiptar Iskenderi i paguante haraç Padishahut”, por, “qenë tundimet djallëzore që ja tollovitën mendjen”, prandaj u ngrit kundër Padishahut dhe erdhi “në malin Kalkandelen”. Ky Iskender, që e mori emrin nga Leka i Madh, këtu bëri beteja të mëdha. Në vitin 1573 Tetovën, sipas Shelishevit, e vizitoi edhe Sulltan Sulejmani. Në Tetovë jetoi edhe poeti Sersem Ali. Ai, pasi hoqi dorë nga postet, e ndërtoi teqenë e Arabati. Poet Sersemi ishte i vëllai i Rosë Pranverës ose i sulltaneshës fatkeqe Mehidevran, e cila ishte gruaja e Sulltan Sulejmanit. Nga Tetova ishin dy poetë të shekullit XVI: Suxhudi, që përmendet edhe si sekretar i Këshillit Ministror të Perandorisë Osmane dhe Tului ose Ibrahimi (Qesharaku, siç e quanin ndryshe), i cili kishte qenë kadi në një qytet të Arnavudit (Shqipërisë), ku edhe e humbi jetën tragjikisht “në lumin Eshkum”.

Tetova dha gjeneralë, guvernatorë, poetë, profesorë, drejtorë biblioteke të Stambollit. Një pasha nga Tetova, shumë vite më vonë, e ndihmoi me para Normalen e Elbasanit…

Nuk ka udhëpërshkrues, kronist, studiues, emisar që nuk është mahnitur me bukurinë e këtij rajoni, ku janë bërë edhe beteja vendimtare për fatin e perandorive të mëdha. Kanë shkruar ata për peizazhin e bukur, për ujin e kulluar, për ajrin e pastër, për blegtorët e shkathtë, për kopshtet plot gjelbërim, për arat e punuara, për fasulen, mollët e famshme, gështenjat, kumbullat e qershitë e veçanta, për zanatet e ndryshme, veçmas për prodhimin e pushkës shqiptare, të quajtur “martina”. Kanë shkruar për arkitekturën, për veshjet, traditat, gjuhën, kulturën. Ndonjë konsull, si Jastrebovi, i mahnitur nga klima e shëndetshme e Tetovës, sugjeronte që ky të ishte vend për pushime. Në shumicën e shënimeve thuhet: vend i bukur, i paqtë, ujë i mirë, ajër i pastër, kopshte të gjelbëruara, njerëz të qetë, punëtorë dhe trima.

Udhëpërshkruesi turk Haxhi Kalfa Mustafa (1609 – 1657), në shekullin XVII, e përshkruan Tetovën si vend kopshtesh. I bukur qe ky vend edhe për sytë e Ami Bues, që shkruante për lagje të pastra, çardakë të bukur, konaqe, hane, kafene, shtëpi me kopshte plot pemë. “Në stinën e verës nuk ka vend më të bukur në mbarë Turqinë”, shkruante ai. Kishte shkruar për Tetovën dhe tetovarët trima edhe Sami Frashëri. Henri Tozeri, më 1865, ishte mahnitur me bukurinë e Tetovës, këtij “qyteti të madh” me shumë pemë, me shumë shtëpi e minare dhe me një Kullë Sahati, që sot nuk ekziston. Për atë Tetova ishte një bukuri. Studiuesi August Grisenbah, më 1839, shkruante se Pollogu, kjo “rrafshinë horizontale buzë Skardusit” , ishte “kopsht i madh, ku asnjë pëllëmbë toke nuk është lënë shkretë”. Tetova ishte vizituar edhe nga baroni Franz Nopcsa, i cili më 1903 bëri disa foto me shumë vlerë. Tetova u vizitua shpesh edhe për qëllime studimore. Njëri ndër vizituesit ishte Franz Doflein-i. Kishte edhe gjeografë e emisarë të ndryshëm, që e vizitonin dhe pastaj e falsifikonin historinë për qëllime politike ose manipulonin me shifrat për përbërjen etnike të rajonit. Të tjerë shkruanin për trimërinë; për pashallarë autonomë, që nuk i bindeshin as Padishahut. Flitej për Dervish Carën, kryengritësin që kërkoi autonomi. E shumë vite më vonë, kur Ahmet Zogu u detyrua ta braktiste atdheun më 1924, natën e parë e kaloi në Tetovë, te miku i tij i besuar Halim bej Derralla. Mendjendrituri Vangjel Koça, më 1941, e quante Tetovën “qytet Xhevahir i Dibrës”. Tetova, sipas tij, ishte “qendra më aktive kundër pan-turqizmës dhe pan-sllavizmës”.

Shënime të këtilla, madje edhe libra, për periudha të ndryshme kohore, ka shumë dhe nuk mund të përfshihen në një shkrim.

Po sot Tetovë më thuaj si je?

Tetova nuk është më vendi me klimë të mirë, as me ujë të pastër, as me hapësira të gjelbëruara. Nuk eksporton prodhime bujqësore apo blegtorale. Nuk eksporton djathin e përmendur, as mollët, fasulet, gështenjat apo qershitë e famshme. Nuk i ka konaqet dhe shtëpitë e veçanta. Tetova është vend pa identitet, ndonëse vendësit vazhdojnë ta quajnë “kryeqendër kulturore”. Vizitohet rrallë nga turistët për shkak të monumenteve të veçanta kulturore. Kalatë e shumta, të periudhës antike, janë shkatërruar. Kodra e Diellit nuk është si në kohën kur vizitohej nga skiatorë përmasash botërore. Kanë ikur së gjalli edhe skiatorët shqiptarë të Malësisë së Tetovës, për të cilët shkruanin me admirim edhe gazetat e kohës në vitet 30 -të.

Tetova është vendi që e humb kujtesën. Nuk i kujton as emrat që i dhanë aq shumë këtij qyteti. Nuk ka asnjë rrugë me emrin e Ernest Koliqit, Qemal Haxhihasanit apo shumë tetovarëve të nderuar. Ka rrugë, shkolla e institucione kulturore me emra komunistësh…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button