Kosova hap Ambasadë në Abu Dhabi

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur nga ministri i Jashtëm dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Temë diskutimi, veç tjerash, ka qenë edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në EBA, gjegjësisht në Abu Dhabi, për ç’gjë është rënë dakord që ajo të nis procedurat e hapjes që nga java e ardhshme, transmetpn Koha.net. 

“Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në EBA, ka qenë një temë tjetër diskutimi në aspektin politik dy-palësh, dhe është rënë dakord që Ministria e Jashtme e Kosovës t’i fillojë procedurat e hapjes së saj në Abu Dhabi që nga java e ardhshme”, thotë MPJ në njoftimin për media.

Në kuadër të këtij takimi, i cili u zhvillua në një ambient shumë miqësor, të dy kryediplomatët e shteteve respektive diskutuan mbi çështjet që prekin interesin e të dyja vendeve.

Gjatë takimit, Pacolli fillimisht e ka falënderuar homologun e tij Sheikh Abdullahun për, siç thuhet në komunikatën e MPJ-së, përkrahjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë dhe po e bëjnë për Kosovën, “jo vetëm në njohje, por edhe duke e përkrahur fuqishëm anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”.

Në funksion të kësaj, është diskutuar edhe sinkronizmi i punëve të përbashkëta për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku samiti i radhës i kësaj Organizate do të mbahet në Abu Dhabi.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i EBA-s, ka premtuar shtimin e angazhimit të tij edhe personal në çështjet që ndërlidhen me forcimin e subjektivitetit dhe integrimit të mëtutjeshëm ndërkombëtarë të Kosovës.

Në lidhje me çështjet e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve, Ministri i Jashtëm, Pacolli, përmes homologut të tij, i ka bërë thirrje investitorëve potencial nga EBA për të investuar në Kosovë, gjë e cila është mirëpritur dhe vlerësuar nga bashkëbiseduesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP