Sundim apo qeverisje

Dervish Alimi

Dervish Alimi

Ne vazhdën e trajtimit semantik të fjalëve nga këndvështrimi psikolinguistik i domethënies së tyre në rrethana të caktuara historike dhe të traditës gjegjësisht psikologjisë popullore, dhe duke shkuar në origjinën e krijimit të tyre, fjalët e lartpërmendura vazhdojnë edhe në ditët e sotme të kenë domethënie ambiguose dhe të krijojnë konfuzion në fjalorin e përditshëm politik dhe juridik.

Mentaliteti dhe zhvillimi historik në sistemet e mëparshme në kohën e mesjetës dhe feudalizmit ka lënë si trashëgimi historike fjalën e famshme-sundoj, dhe derivatet e saj ‘sundues’, apo ‘sundimtar’, që në shekujt e mëvonshëm falë kapërcimit nga sistemi feudal në sistemin demokratik apo kapitalist, kjo fjalë të zëvendësohet me fjalën ‘qeverisje, apo administrim, që në esencë e ul drastikisht autoritetin autokratik të fjalës ‘sundoj’.

Në fakt fjala ‘sundim’ u referohet kohërave të mbretërve dhe mbretërive ku mbreti e kishte pushtetin absolut, të deleguar nga vetë zoti, dhe i trashëgueshëm brenda familjes gjegjësisht vijës së gjakut të kulluar dhe zgjedhur nga vetë dhuruesi burimor i tij.

Kjo fjalë simbolizon pra pushtetin autokratik të mbretit si personi i vetëm që udhëheq me punët e shtetit por edhe gjykatësin suprem të fateve individuale brenda mbretërisë së tij.

Nga ana tjetër, fjala ‘qeverisje’ përmban në vete demokratizimin e pushtetit, dhe delegimin e tij nga individi i plotfuqishëm tek qytetari i zakonshëm i barabartë me të gjithë të tjerët, pra tek qeverisja e popullit nëpërmjet të përfaqësuesve të zgjedhur dhe të deleguar prej tij, që të flasin dhe marrin vendime në emër dhe për interesin e tij.

Vetë zberthimi semantik i kësaj fjale dhe perceptimi i saj në sytë dhe mendjen e atyre që e praktikojnë pushtetin dhe të atyre që e zbatojnë vullnetin e pushtetit, na dëshmon edhe stadin e zhvillimit politik të një populli, në aspektin e mentalitetit të tij të trashëguar brez pas brezash, por edhe të ndryshuar dhe avancuar në kohët e mëvonshme, falë ndërrimit të brezave.

Si pasojë e regjimit të pushtetit absolut të mbretërve ka mbetur në kujtesen historike, ndër të tjerat, edhe thënia e famshme e Mbretit francez Luigji XIV, kur keshilltarët ia kanë permendur fjalën shtet apo ligjin: “Shteti (ligji) jam une!

Në trevat ballkanike, për liderin e shtetit, krahasuar me aktualitetin e sotëm ose të shekullit të kaluar të sistemeve komuniste, vazhdojnë ende të ndjehen gjurmët e kësaj psikologjie të ngritjes së kultit të individit në piedestalin që e kishte pasur më parë mbreti, ku ai në mos shikohej si zot, detyrimisht shihej si i dërguari prej tij për të sunduar me vartësit e tij.

Kjo ndodhi si pasojë e kalimit të panatyrshëm nga një sistem feudal mesjetar në variacionin e tij të sistemit të quajtur komunist, por që e trashëgoi dhe përsosi pushtetin e një sundimtari, që quhej stilistikisht edhe baba i kombit, dhe pas vdekjes së të cilit, njerëzit e zakonshëm e qanin dhe vajtonin dhe disa madje edhe sot e qajnë dhe vajtojnë…

Shikuar nga ky këndvështrim s’mund të mos e pyesim veten, a jetojmë vallë ende në kohën e mentalitetit të mëparshëm psikologjik, kur shohim se si ende kemi nevojë për liderë të fuqishëm dhe të gjithëpushtetshëm partiak, apo drejtorë institucionesh që udhëheqin ‘me dorë të hekurt’?! Pse vallë neve duhet të na pëlqejë vetëm lideri karizmatik pa marrë parasysh shokët që i ka përreth, a e kemi vallë këtë ndjesi të gozhduar në kodin gjenetik popullor, që ende s’mund të shkëputemi nga ai mentalitet dhe kompleks i inferioritetit individual, që ka nevojë për njerëz superiorë dhe të gjithëpushtetshëm, në mënyrë që ne të ndjehemi të sigurt në qoshën tonë të strofktullës së zogut të pafuqishëm?!

Kur vallë do ta respektojmë vetveten dhe do të fitojmë vetëbesim, se ne dijmë dhe mundemi më shumë, dhe nuk mund të mbështetimi vetëm tek një individ por tek grupi i fuqishëm intelektualisht dhe moralisht, që nuk do të sundojë si autokrat, por në mënyrë demokratike, në emër të vullnetit të shumicës, që ua ka dhënë këtë autorizim por edhe që mund t’ua merr sa herë qe e sheh se ka devijuar dhe i ka tejkaluar autorizimet e dhëna prej tij. Kjo është pra diferenca ndërmjet domethënies së fjalës ‘qeverisje (demos kratia) e popullit, dhe ndërmjet ‘sundimit të popullit’ në emër të shtetit dhe ligjit.

Vetëm atëherë kur ta kuptojmë ndryshimin ndërmjet këtyre dy koncepteve, do ta kapërcejmë hendekun historik ndërmjet sistemeve autoritare dhe demokratike, dhe do të meritojmë të ulemi në karriken tonë të merituar në rreshtin e popujve dhe shteteve të pjekura politikisht, dhe të çajmë përpara pa u varur dhe mbështetur tek individi por te vullneti i demosit, gjegjësisht shumicës së individualëve të tij.

Deri atëherë, gjumë të embël në errësirën e mesjetës, dhe të shohim ëndrra të bukura, se dikur kismet do të bëhet mirë, vetvetiu…!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP