Mitrovicë, i vdekuri ftohet në gjykatë

Në mungesë të kushteve, seanca gjyqësore në rastin e të akuzuarve për narkotik Ilir Kamberi dhe J.S. nuk është mbajtur.

Seanca nuk u mbajt pasi që munguan dy të pandehurit dhe prokurori i rastit, Ismet Ujkani.

Kryetari i trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Burim Ademi, tregoi se ftesat u janë dërguar të pandehurve.

Sipas gjyqtarit, për të pandehurin J.S., Gjykata kishte lëshuar kërkesë për Policinë që të njëjtit t’i dorëzohet ftesa, raporton KALLXO.com.

Mirëpo, polici i Njësisë së ekzekutimit të urdhëresave në Mitrovicë ka njoftuar kryetarin e trupit gjykues se i pandehuri rezulton të ketë ndërruar jetë në vitin 2011, që nga Policia konsiderohet si vdekje e dyshimtë.

Në këto rrethana, gjyqtari Ademi kërkoi nga Policia dorëzimin e raportit e po ashtu sigurimin e certifikatës së vdekjes për këtë të pandehur.

Ndërsa, lidhur me të pandehurin Ilir Kamberi, gjyqtari tregoi se i është dërguar ftesa dhe sipas fletë-kthesës atë e ka pranuar një familjar i tij.

Të njëjtit, Gjykata do t’i dërgojë ftesën përmes Policisë, raporton KALLXO.com.

Dhe, në rast se rezulton se i pandehuri nuk e ka pranuar ftesën për rrethana që ai nuk gjendet në vend atëherë Gjykata do të lëshojë urdhër-arrest, përkatësisht do të lëshojë fletë-rreshtim vendor apo ndërkombëtar deri në sigurimin e prezencës së tij.

Sipas aktakuzës së ngritur nga atëherë Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë Ilir Kamberi pasi që ishte furnizuar me substanca narkotike të llojit heroinë në vende të panjohura i ka përdorur ato për shitje dhe shpërndarje.

Ndërsa, i pandehuri J.S. prej fillimit të vitit 2009 deri më 5 tetor 2009 ishte furnizuar me këto substanca tre herë.

I njëjti me qëllim të shitjes kishte blerë nga Ilir Kamberi 20 paketime me nga 1 gram për shumën 200 euro e pastaj këtë substancë ua ka shitur personave të tjerë.

Me këtë, sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale blerja, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Nëse del që i pandehuri J.S. vërtetë ka vdekur para 6-7 vitesh atëherë ky nuk është gabimi i vetëm i kësaj natyre nga gjyqësori i Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar kur një i pandehur ishte ftuar të paraqitej në gjykatë në datën që nuk ekziston në kalendar – 30 shkurt.

Po ashtu, në një rast tjetër, gjykata kishte ftuar një qytetar të paraqitej të dielën, ditë kur nuk punonte gjykata.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka përmirësuar një gabim të vetin menjëherë pasi KALLXO.com ka dërguar pyetje për çështjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP