Analizë: Komunat – janë fundosur në borxhe, mirëpo nuk i kanë ndalë punësimet e reja!

Mbi 120.000.000 еuro kanë borxh komunat si rezultat i obligimeve të papaguara ndaj furnizuesve, kredive, huave afatgjata, aktvendimeve gjyqësore dhe kamatave. Raporti i ri i revizionit me titull: “Marrja përsipër e obligimeve dhe jostabiliteti financiar te njësitë e vetëqeverisjes lokale”, e analizon gjendjen financiare të vetëqeverisjes lokale për periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2016. Për procesin e buxhetimit, gjegjësisht përgatitjes dhe ekzekutimit të buxhetit, përgjegjës është kryetari i komunës, ndërsa për procedurën e miratimit të buxhetit – Këshilli komunal. Me revizionin e kryer dhe analizat e bëra për periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2016, revizori konstaton se te komunat karakteristike është gjendja e planifikimit joreal të buxheteve, borxhet ekzistuese mirëpo të paevidentuara, llogaritë e bllokuara, mirëpo ka edhe komuna, të cilat, edhe përkundër asaj se janë të fundosura në borxhe, nuk i kanë ndalë punësimet e reja, shkruan Portalb.mk.

Si janë mbushur buxhetet e komunave…     

Dallime të mëdha ndërmjet asaj që është planifikuar dhe asaj që është realizuar në vitin buxhetor janë konstatuar në punën financiare të komunave. Në fakt, pas revizionit të realizuar, është konstatuar se kjo gjendje dominon në një periudhë më të gjatë kohore, edhe atë prej vitit 2012 deri në vitin 2016.

“Te komunat karakteristike është gjendja e planifikimit joreal të buxheteve, gjegjësisht revizioni ka konstatuar se ka dallim të konsiderueshëm ndërmjet të ardhurave të planifikuara dhe atyre të realizuara” – thuhet në raportin e ri të revizionit.

Konkretisht, në nivel të të gjitha komunave, në vitin 2012, për shembull, nga të ardhurat e përgjithshme të planifikuara, janë realizuar vetëm 64%, në vitin 2013 vetëm 61%, ndërsa në vitin 2014 janë realizuar 63% e të ardhurave të planifikuara buxhetore. Në vitin 2015 realizimi ka qenë 65%, ndërsa në vitin 2016 – 65%. Është me rëndësi që këto dallime të konsiderueshme buxhetore nuk janë tejkaluar as me rebalancët e buxheteve.

“Edhe pas rebalancëve të realizuar të buxheteve nuk janë tejkaluar gjendjet e mosharmonizimit të të ardhurave të planifikuara dhe atyre të realizuara. Ka edhe komuna te të cilat, edhe përkundër realizimit minimal të buxhetit, nuk përgatitet dhe nuk miratohet rebalanc i buxhetit” – thekson revizori.

Borxhe dhe obligime…

Sipas analizave dhe të dhënave të publikuara në raportin e revizionit, prej vitit 2012  deri në vitin 2016, obligimet ndaj furnizuesve janë rritur dukshëm, edhe atë për pothuajse 27.000.000 еuro. Kështu, në vitin 2012 të gjitha komunat kanë pasur borxh ndaj furnizuesve në vlerë prej 55,6 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2016 borxhi është rritur në pothuajse 82 milionë euro. Njëkohësisht është rritur edhe përqindja e këtyre borxheve në raport me të ardhurat e përgjithshme buxhetore, dhe kështu në vitin 2012, obligimet ndaj furnizuesve kanë qenë 25%, ndërsa në vitin 2016 – 35% e të ardhurave të përgjithshme të realizuara.

Mirëpo, revizori poashtu i përmend edhe obligimet afatgjata që i kanë komunat si rezultat i kredive dhe i huave që i kanë marrë. Edhe këtu vërehet trend i rritjes, dhe kështu në vitin 2012 obligimet afatgjata kanë qenë 23,5 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 ato kanë qenë 33,6 milionë euro.

Duke i analizuar obligimet e përgjithshme, revizioni ka konstatuar mospërputhje të të dhënave, gjegjësisht në vite të caktuara janë paraqitur shuma më të vogla për shkak të evidentimit të vonshëm të obligimeve.

“Prezantimi joadekuat i të dhënave për obligimet afatshkurta dhe ato afatgjata nuk është në përputhje me dispozitat e nenit 22 paragrafi 5 të Ligjit për kontabilitet të buxheteve dhe shfrytëzuesve buxhetorë” – thuhet në raportin e revizionit  dhe jepet rekomandim që kryetarët e komunave të ndërmarrin aktivitete për evidentim të saktë, në kohë dhe të plotë të obligimeve të evidentuara.

Mirëpo, rritet edhe numri i komunave që përballen me aktvendime ekzekutive gjyqësore për pagesë të borxheve me kamata. Kështu, në vitin 2016, 20 komuna të vendit kanë pasur borxh prej 4.000.000 еurosh për këtë arsye dhe 1.775.000 еuro të tjera për kamatë. Edhe në këtë pjesë revizioni konstaton prezantim joadekuat të të dhënave. Poashtu, është konstatuar se sa i përket afateve për pagesën e obligimeve, te një pjesë e komunave nuk respektohet Ligji për disiplinë financiare.

“Konstatuam se te një pjesë e komunave nuk zbatohen dispozitat e Ligjit për disiplinë financiare sa i përket afateve për pagesën e obligimeve ndaj furnizuesve, ndërsa te komunat me xhiro-llogari të bllokuar nuk ka mundësi reale për zbatimin e tyre” – thuhet në raportin e revizionit.

Llogari të bllokuara, gjendje jostabile financiare…

Edhe pse kanë qenë në gjendje të vështirë financiare dhe kanë qenë ligjërisht të obliguara të shpallin jostabilitet financiar, një pjesë e kryetarëve të komunave nuk e kanë bërë këtë. Përkundrazi, kanë vazhduar me projekte, mirëpo edhe me punësime të reja.

“Si rezultat i kësaj, komunat kanë vazhduar të punojnë sikur nuk janë në gjendje të jostabilitetit financiar, janë realizuar projekte të reja kapitale dhe investime, është rritur numri i punësimeve në administratën komunale dhe janë avancuar një pjesë e të punësuarve, janë themeluar ndërmarrje të reja publike, kanë filluar procedura për furnizime publike, që në fund ka rezultuar me rritje të mëtutjeshme të obligimeve dhe të borxheve të komunave” – thekson revizori.

Në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2016 numri i komunave me xhiro-llogari të bllokuar ka ndryshuar, dhe kështu në vitin 2012 ka pasur 17 komuna të tilla, në vitin 2013 ka pasur 14, ndërsa në vitin 2014 – 11 komuna. Në vitin 2015 janë regjistruar 12 komuna me llogari të bllokuara, në vitin 2016 të bllokuara kanë qenë 14 komuna, ndërsa në vitin 2017 ka pasur 16 llogari të bllokuara komunale. Në këtë periudhë të analizuar, shtatë komuna në vazhdimësi kanë pasur llogari të bllokuara. Në vitin 2016 madje nëntë komuna, edhe pse kanë pasur llogari të bllokuara, kanë filluar projekte të reja, mirëpo edhe kanë realizuar punësime të reja administrative. Te komunat që kanë gjendje jostabile financiare, revizori ka vërejtur se karakteristike janë pagesat nëpërmjet cedimeve, kompensimeve dhe të ngjashme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button