ZOTI, LUFTA DHE ST. BREZOWITZ

Ditë e premte, apo më arkaike e më konservatore, e xhuma, Prishtinë. Dy shkresa që na e preokupuan ditën, të dyja ideologjike, njëra me ngjyrime (a)fetare, tjetra anarkiste. Në tabelën e një salle akademike më rastisin sytë në një sentencë me porosi: “Kjo shtëpi beson se nuk ka Zot!”, që më kujtoi një artikull të të Spiegelit, 2011, “Going Godless” (Të jetosh pa Zot). Autori anonim, adresantë shumë, mes tjerash edhe ne. Thua çfarë ka dashur të thotë shkruesi përmes kësaj parulle që sot duket anakronike, si e huqur në kohë, ndonëse afetari e mosbesim ka pasur dhe do të ketë për jetë e mot, sikundër që edhe fetaria është forcë e çdo shqopërie dhe epoke të historisë njerëzore, përfshirë edhe Shqipërinë 1967-1990. Në një kohë lidhur me të cilën Malraux thotë se “shekulli XXI ose do të jetë religjioz ose jo”, të mundohesh weberisht të kuptosh të interpretosh një fjali të tillë është paksa zor. Plus nëse e merr parasysh përvojën e së kaluarës dhe dukuritë e kohës, kurë sociale e së cilave është edhe spiritualiteti. Sidoqoftë, e drejtë e çdokujt është të formojë gamën e bindjeve të veta si të dojë, shyqyr që është ashtu, përndryshe s’do të kishin kuptim as besimi as mosbesimi, sepse trysnia i asgjëson bindjet, është kundërfetare dhe antihumane. Edhe mesazhi hyjnor është në këtë vijë: “Kush të dojë le të besojë, e kush të mos dojë, letë mos besojë!” Fakti që dikush ka shkruar s’është tragjedi, por e vërteta që kjo mëtohet “të tregtohet” në një institucion arsimor është për të menduar dhe për të lexuar frymën e kohës dhe vendit, për të kuptuar ligjëratën që është në qarkullim nëpër mësonjtore, ideologjinë sublime të shfetarizimit, që e kemi përjetuar dhe paguar me dekada të tëra, ne si shqiptarë, por edhe si botë humane. Pyetja që shtrohet është kjo, a duhet që arsimi të jetë afetar, joideologjik, apo duhet të ketë konkurrencë idesh e pikëpamjesh, mes tjerash edhe lidhur me Zotin, fenë, të shenjtën? Nëse shkresa në klasë është një fjali nxitëse për debat filozofik, sociologjik, antropologjik e të ngjashme, është shumë bukur. Autori ka synuar të nxisë argumente dhe kundërargumente, ka dashur të mprehë tehun mendimor të të rinjve tanë, t’i shpëtojë ata nga kthetrat e “pranimi dhe refuzimit toptan”. Zaten s’është shkollë ajo që punon me metodat eklesiastike-skolastike mesjetare. Pyetja e radhës që në mënyrë kauzale lind është kjo: Çka nëse dikush do të kishte shkruar “Kjo është shtëpi e Zotit një, të pashoq!”, në vend të shprehjes që mesa duket nuk flet në mënyrë aksiomatike, madje që është më e çuditshmja përdor foljen ‘besoj’ për të mohuar besimin në Zot. Ndoshta do të ishte porosia më e qartë në formën: “Kjo shtëpi nuk beson në Zot!”, më e qëlluar, më individualiste dhe më ekzakte në stilin “Unë nuk besoj në Zot!”, sepse është jodemokratike që t’i diktosh shtëpisë si një e tërë të besojë, ngjashëm sikurse nuk është e drejtë që Koreja Veriore t’i detyrojë ta gjithë banorët e vendit të jenë ateistë ose Saudia t’i detyrojë të gjithë qytetarët e saj të jenë besimtarë të devotshëm. Megjithatë një gjë mbetet e padiskutueshme, autori e ka ngatërruar ose dëshiron që laicizmin ta kuptojë si ateizim. Ndodh që te jetë edhe nga None, apo joreligjiozët apo shekullaristët, që sipas Cosmin, nga Trinity College (Connecticut), paraqet grupin e tretë në botë – lidhur me fenë – për nga numri i ithtarëve pas kristianëve (2.3 miliardë) dhe myslimanëve (1.6 miliardë), me rreth një miliardë ithtarë.

Dhe, rrugës hasim në një grafit anonim të skicuar mirë, me shabllon, “Jo luftë mes popujve, jo paqe mes klasave!”, një sllogan i shfrytëzuar nga grupimet antiluftë, që qendrave dhe tajkunëve të luftërave anekënd botës iu drejtohen me fjalët “Nuk i duam luftërat tuaja gjakatare”, nga grupet anarkiste që nisen nga ideja se “një botë anarko-komuniste është e mundur”. Grafiti në fjalë ka kuptimin “jemi kundër luftës dhe paqës së krijuar nga kapitalizmi”, pra ka në shënjestër sistemin ndërkombëtar, të marrëdhënieve mes kombeve, teorinë realiste, atë të raison d’etat dhe të balancit mes fuqive (balance of power), që sipas shkrimit të publikuar në nefac.net në vjeshtë 2001, menjëherë pas 11 Shtatorit, thekson të qenët kundër shtetit, kundër filozofisë kapitaliste të përfitimit mbi njerëzit (profit over people), kundër arsyetimit të shkurtimeve në arsim, banim, shëndetësi dhe programe sociale me qëllim të financimit të buxheteve grykëse ushtarake, që luftën kundër terrorizimit e sheh si luftë kundër njerëzimit, që mund të shpie drejt një cikli të dhunës globale që do të jetë fund “një herë dhe për të gjithë.” Me një fjalë pjesa e parë e parullës shënjon kundërtinë ndaj doktrinës might is right (çfarë mundesh është e drejtë). Pjesa e dytë e parullës, “jo paqes mes klasave”, nënkupton luftën kundër eksploatimit, luftën mes klasave deri në zhdukjen e tyre (Hyseni), një ieologji totale, një botëkuptim heraklitian që beson se lufta është babai dhe mbreti i të gjitha gjërave, hegelizmin që afirmon gjendjen dialektike, progresin dialektik, kontrastet, kundërshtitë dhe polaritetet e ndryshmeve, luftën si forcë lëvizëse të zhvillimit natyror dhe social. Logjika dhe përvoja i pranon kundërtitë, por ama harmonia, bashkëpunimi, janë ligj më i fortë i jetës që duhet të afirmohen. Andaj për mbijetesën e një trupi apo sistemi, organet dhe pjesët duhet të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të përshtaten për ndryshime dhe rigjetje të ekuilibrit. Bashkëpunimi dhe homeostasis e jo dialektika/lufta, mund ta shpëtojnë njeriun dhe njerëzimin. Andaj, për shqiptarët, teoria funksionaliste që shoqërinë e sheh si pjesë të ndërlidhura që veprojnë së bashku dhe në harmoni për të ruajtur ekuilibrin social është më e dobishme se sa ajo e konfliktit. Inxhinieringu social gjithherë duhet të ketë parasysh funksionalistët si Durkheim, Parsons, Merton, por edhe kritikën e Gramscit që thotë se funksionalizmi e afirmon status quo-në, dhe të vërtetat e Hegelit e Marksit, Millsit etj. Fundja, në Kosovë a ka klasa historikisht të mirëdefinuara që të ketë luftë me tyre? Një mik yni sociolog prishtinas, me shumë takt kishte shigjetuar divergjencat (artificiale) klasore kosovare, Saint Moritzin e shumëpërfolur (“Czar”, 40.600 – 7.000 CHF) e kishte ndërlidhur me dimërimin vendorçe, në St. Brezowitz (vetë i katërti, 3 ditë, 17 €) .

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button