Ian Bremmer: Më e keqja për Trumpin nuk ka ardhur ende, Bannon do të hakmerret keq

Ian Bremmer, president i think tank-ut Eurasia Group dhe pagëzues i termit “G Zero” (një botë tashmë pa superfuqi që të mund të influencojnë, dhe si pasojë ta qeverisin), çfarë mendon për rastin Wolff?

Amerika nuk kishte patur kurrë në të kaluarën një president si Trump. Kurrë. Pas zbulimeve të librit “Zjarr dhe tërbim”, për SHBA hapet një skenar me të vërtetë i pasigurtë.

Në ç’kuptim?

Ajo që del nga libri i Wolff është një afresk çarmatosës i Trumpit dhe presidencës së tij. Sigurisht, ëolff në disa pasazhe me siguri ekzagjeron dhe në disa raste ka marrë informacione në mënyrë jo korrekte, për shembull duke regjistruar informacione pa dijeninë e bashkëbiseduesve. Por pavarësisht kësaj, situata në Shtëpinë e Bardhë është me të vërtetë shqetësuese: në Uashington, Trumpi ka qenë gjithmonë një “zog i çuditshëm”, një i krisur, asnjëherë nuk është ndjerë rehat. Duke lexuar faqet e librit bëhet e qartë se si presidenti nuk merret pothuaj asnjëherë seriozisht, që autoriteti dhe legjitimiteti i tij kanë prekur fundin.

Po tani, çfarë do të ndodhë?

Do të ndodhë që më e keqja do të vijë.

Domethënë?

Unë nuk kam besuar asnjëherë që Trumpi është një president autoritar. Për më tepër – dhe ky libër e demonstron – Trumpi është tmerrësisht i paaftë dhe jofunksional në Shtëpinë e Bardhë. Një që ditë pas dite humbet influencë në Uashignton dhe në vend dhe që, në të njëjtën kohë, bën të humbasë influenca dhe pesha e SHBA në botë. Ky është problemi i vërtetë. Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende, sepse edhe hetimi i Russiagate është duke shtrënguar stafin e tij dhe familjes, dhe duke e njohur, Trumpi do të reagojë në mënyrë gjithnjë e më impulsive. Si pasojë, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të mbahet në vathë. Mjafton të shohësh rritjen e ritmit të postimeve të tij, me gjëra të papërshtatshme, fyerje. Vetë përpjekja për të bllokuar librin e ëolff ishte një lëvizje kaq idiote dhe ekzemplare e momentit që po përjeton Trumpi. Kjo do të ketë pasoja më të mëdha se sa mendohet, edhe në vendime të rëndësishme mbi sigurinë.

Çfarë impakti politik do të kenë, mbi të gjithë në bazën elektorale të “alt-right” amerikane, këto zbulime të fundit mbi Trumpin, dhe përplasja e ish këshilltarit të tij strategjik, Steve Bannon, tashmë i larguar? 

Të ndryshme. Mbi të gjitha, “alt-right” e dobësuar është një lehtësim për partinë republikane, që tashmë do të ketë më shumë pushtet në zgjedhjet e ardhshme të mesit të mandatit. Bannon ishte një prej protagonistëve të disfatës së fundit në Alabama. Po kështu, Bannon mund të hakmerret pa mëshirë ndaj Trumpit, pasi ky i fundit e dëboi. Në muajt në Shtëpinë e Bardhë, Bannon kishte një pushtet absolut. Di shumë sekrete të Trumpit dhe administratës së tij. Eshtë një mië me sahat shumë e rrezikshme për presidentin. / La Repubblica – Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button