Mësohen orari dhe emrat e gjykatësve të rinj të rastit “Monstra”

Seanca e parë gjyqësore për rastin “Monstra” do të mbahet më 12 shkurt në ora 10:00, ku si gjyqtar i parë i lëndës është zgjedhur Ognen Stavrev, ndërkaq i dyti Osman Shabani, njofton Portalb.mk.

“Seanca është caktuar për me të 12. Gjykatësi i parë i lëndës do të jetë Ognen Stavrev, ndërkaq i dyti Osman Shabani”, konfirmoi për Portalb.mk, avokati Naser Raufi.

Kush është Ognen Stavrev?

Gjykatësi Ognen Stavrev në Gjykatën Penale është që nga viti 1999. Ai në opinion u bë i njohur me udhëheqjen e procedurës gjyqësore kundër 7 personave të akuzuar për vrasjen e policëve përpara hyrjes në Haraçinë që ndodhi më 11 janar të vitit 2000. Gjithashtu, ai si gjykatës hetues e ka udhëhequr fillimisht hetimin për rastin “Luboten”, i cili më pas u bë rast gjyqësor në Hagë, në të cilën janë akuzuar ish ministri i Punëve të Brendhsme, Lube Boshkovski dhe ish komandanti i atëhershëm policor, Johan Tarçullovski.

Në vitin 2013, është emëruar gjykatës për krim të organizuar. Ai në atë kohë u zgjodh gjykatës në Gjykatën Themelore Shkupi 1, në vend të Vangelina Markudova, e cila u zgjodh për gjykatëse kushtetuese.

Gjykatësja Markudova, përpara se të bëhej gjykatëse, ka gjykuar në disa raste gjyqësor si “Falanga 2”, “Syri i gjarpërit”, “Filter” dhe “Sopoti”.

Kush është Osman Shabani?

Osman Shabani është gjyqtar me mbi 7 vite përvojë pune si gjyqtar, midis tyre katër vite si gjykatës hetues në Gjykatën Themelore Shkupi 1 dhe dy vite ka punuar si gjykatës për kundërvajtje, ndërkaq prej qershorit të vitit 2010 punon si gjyqëtar për krim të organizuar. Osman Shabani mbahet mend gjithashtu si kandidat për kryetar të Gjykatës Themelore Shkupi 1, ku në garë fitoi kryetari aktual, Ivan Xholev.

3 persona në shtëpi, 2 në arrati, 1 në burg

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri ende nuk është liruar nga burgu pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të Maqedonisë dhe Kosovës, Oliver Spasovski dhe Flamur Sefaj, në dhjetor të vitit të kaluar ata thanë se nuk kanë biseduar diçka konkretisht për rastin “Monstra”, gjegjësisht për dy të arratisurit që gjenden në Kosovë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit nga drejtësia e Maqedonisë, policia kosovare kishte gjetur një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i kishte arsyetuar me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi siç kishte thënë ai në Prokurori, ndiqeshin nga shërbimet sekrete të Maqedonisë. Te Ismailoviqi e Demiri policia e Kosovës kishte zbuluar dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

“Monstra”

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button