Që kultura shqiptare të frymojë në Maqedoni, duhet të mos përkrahen anti-vlerat

Kultura shqiptare në Maqedoni historikisht ka ditur të tregojë vlerën dhe rëndësinë e saj në nxitjen, zhvillimin dhe ngritjen e vetëdijes kolektive, por jashtë të dhënave historike, në dimension hapësinor dhe kohor kemi mungesë të institucioneve kulturore si objekte dhe institucione edhe në qytetet më të mëdha shqiptare, siç është rasti me teatrot dhe shtëpitë e kulturës. Problemi thellohet edhe më shumë sepse nga komunat shqiptare, në buxhetin shtetëror të viti 2018 nuk u siguruan as bllok dotacione, nga ana tjetër artistët edhe më tej mbeten pa ndonjë status meritor e kurse interesimi për kulturën dita ditës po bie.

E në vazhdën e tërë këtyre pengesave zhvillimore, shtrohet çështja: Çfarë i duhet kulturës shqiptare që ajo të jetë e merituar?

Sipas bashkëbiseduesve të Portalb.mk, që kultura shqiptare të “frymojë” dhe të marrë “shpirt” duhet një politikbërje e ndërgjegjshme dhe përgjegjëse, të ketë më shumë interesim nga institucionet shtetërore dhe të përkrahen të rinjtë.

Luran Ahmeti
Luran Ahmeti

“Kulturës në Maqedoni i duhet një politikbërje shumë më e ndërgjegjshme dhe me përgjegjësi. Për momentin shteti (pushteti) nuk po bën pothuajse asgjë për të rritur apo zhvilluar aktivitetet kulturore dhe si rezultat po shihet edhe një krizë në identitetin kombëtar. Mendoj se nuk është me rëndësi çfarë më duhet mua si aktor, por se çfarë i duhet në përgjithësi kulturës shqiptare në këtë shtet. E ajo që i duhet është përkrahje financiare dhe institucionale më së paku 50-fish më  e madhe se tani, që mos të rrezikojmë edhe më tutje identitetin kombëtar”, vlerësoi aktori Luran Ahmeti.

Nga ana tjetër, çështja bëhet më e vështirë sepse artistët shqiptarë të rinj janë duke iu larguar artit. Edhe ata pak që marrin guximin të shkruajnë, mirëfilli, janë me vetëfinancim ose dalin jashtë Maqedonisë.

Shkrimtarja Shqipe Palloshi Zymberi largimin e të rinjve nga kultura e sheh si pasojë e vështirësive kryesish financiare dhe mungesës së institucioneve kulturore të mirëfillta.

Shqipe Palloshi
Shqipe Palloshi Zymberi

“Mbi të gjitha, të rinjtë kanë nevojë të mos përballen me brengat për nevojat e tyre themelore si studimet e punësimi, që të mund të bëjnë art. Kanë nevojë për përkrahje institucionale, në vend të që të përpiqen t’i realizojnë projektet e tyre me nisma individuale të cilat si rëndom hasin në mijëra pengesa e vështirësi.  Mua shumë shpesh më shkruajnë të rinj që merren me shkrime, por që nuk dinë ku të drejtohen për t’i hedhur hapat e para në veprimtarinë e tyre. Prandaj, mungesa e institucioneve të mirëfillta gjymton në masë të madhe kulturën tonë. Pa institucione të tilla që nxisin zhvillimin e kulturës dhe mbështesin nismat e artistëve, ne jemi shndërruar në shoqëri akulturore. Kultura është në margjinat e përditshmërisë sonë”, tha Palloshi-Zymberi.

Barra më e rëndë sërish i mbetet arsimit shqip në Maqedoni, që në Maqedoni karakterizohet vetëm me një universitet shqiptar, Universiteti i Tetovës.

Në lidhje me këtë, profesori i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në këtë universitet, Fatmir Sulejmani thotë se që një profesor të arrijë të kryejë punën si duhet dhe të ndikojë në rritjen e cilësisë së kulturës, duhet të njohë natyrën dhe moshën e nxënësve apo studentëve dhe me të njëjtët të komunikojë nëpërmjet librave.

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

“Për të kryer misionin e tij në favor të zhvillimit të gjuhës dhe kulturës, një profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe duhet të jetë i përgatitur profesionalisht dhe i gatshëm të japë kontributin e tij përgjatë gjithë karrierës. Ai duhet të jetë shembull për nxënësit/ studentët  përpara të cilëve kryen detyrën e fisme, t’i motivojë ata për lexime veprash letrare, t’ua sugjerojë veprat më të përshtatshme pë moshën, mundësitë dhe shijen e tyre dhe t’i aftësojë të komunikojnë natyrshëm me to.  Nëse ia del t’i lidhë ata për librin, t’i bëjë të varur prej tij, mund të thuhet se profesori e ka kryer punën, sepse tjetrën e bëjnë veprat e lexuara, që gjithsesi ndikojnë në bagazhin kulturor të njeriut dhe në aftësitë e tij të përgjithshme…”, vlerësoi Sulejmani.

Në Maqedoni të përkrahet vlera, e jo anti-vlera

Që të tre artistët e kontaktuar nga Portalb.mk vlerësuan se problemi me kulturën shqiptare në Maqedoni shkon duke u thelluar edhe më shumë pasi që, edhe ata pak individë apo aktivitete kulturore që përkrahen nuk janë të një niveli të duhur.

“Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë ta afirmojnë artin e mirëfilltë, jo krijimtarinë mediokre. Kjo nënkupton një kujdes dhe një ndihmë serioze të artistëve nga ana e Ministrisë së kulturës, sepse në vendet e vogla si Maqedonia artistët nuk mund të jetojnë nga krijimtaria e tyre, sado e arrirë qoftë ajo…”, tha profesori Fatmir Sulejmani.

“Në shtetet e vogla dhe te kombet e vogla në numër ajo që e mban gjallë kulturën ose aktivitetet kulturore është shteti. Dhe ajo që e mban gjallë shtetin ose identitetin kombëtar është kultura e mirëfilltë”, tha aktori Luran Ahmeti.

“Kultura jonë ka nevojë për shpirt, për filtra që dinë ta dallojnë vlerën nga anti-vlera që të filtrohet kultura nga kjo e fundit.  Ka nevojë për artistë që në vend të artit komercial që tërheq masat, të krijojnë art në shërbim të së mirës, për ta ruajtur të pastër shpirtin e mendjen e shoqërisë”, tha shkrimtarja Shqipe Palloshi Zymberi.

LEXO: Komunat shqiptare kanë zero denarë në bllok dotacionet kulturore (Infogram)

Problemi me kulturën shkoi duke u thelluar kur u pa se në buxhetin 2018, përjashtuar Komunën e Kërçovës dhe Vrapçishtit, të gjitha komunat tjera shqiptare kanë 0 denarë në bllok dotacionet në sferën kulturore e cila vjen si rezultat se komunat nuk menaxhojnë me institucionet kulturore por ata i mbeten Ministrisë së Kulturës.

Që komuna të menaxhojë me institucione kulturore ajo do të arrihej nëse të njëjtat bëjnë kërkesë në Ministrinë e Kulturës. Deri më sot kërkesë për të marrë në kontroll institucionet shtetërore nuk është bërë nga asnjë komunë shqiptare.

Sipas të dhënave që janë në buxhetin 2018Komuna e Kërçovës nga buxheti shtetëror, nëpërmjet bllok dotacioneve në sferën e kulturës ka siguruar 1,42 milionë denarë ndërkohë që Komuna e Vrapçishtit ka siguruar 1,54 milionë denarë. Se pse Komuna e Vrapçishtit arriti të sigurojë 1,54 milionë denarë kur e dijmë se ka rreth 25 mijë banorë ndërkohë që Komuna e Çairit me rreth 67 mijë banorë nuk arrin të sigurojë as edhe një denarë nëpërmjet bllok dotacioneve në sferën e kulturës, qëndron “arsyeja se Komuna e Vrapçishtit ka nën menaxhim të saj Pallatin e Kulturës”, njoftuan nga Komuna e Vrapçishtit.

Rëndësia e kulturës rritet edhe më shumë, sepse ajo paraqet tërësinë e arritjeve të një populli dhe të gjithë njerëzimit në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor. Si qëndrim i veçantë i njeriut ndaj mjedisit rrethues, dallohet nga karakteri krijues dhe simbolika. Është tipar dallues vetëm i njeriut të të gjitha epokave, qysh nga fillimet e procesit të homonizmit dhe njeriu filloi të dallohet nga qeniet e tjera, sepse ka vetëdije dhe koncepton botën në mënyrë simbolike.

Kultura mund të ndahet në disa mënyra, sipas kohës, vendit dhe sipas grupimeve të njerëzimit, por megjithatë, kur jemi te kultura shqiptare, ajo ndahet në Kulturë të Kosovës, Shqipërisë por jo edhe të Maqedonisë. Kjo shihet edhe me një “search” në internet, në faqen kryesore të saj “wikipedia”. Megjithëse në internet nuk ekziston “Kulturë Shqiptare e Maqedonisë”, ka shumë të dhëna historike që thirren në Maqedoni. I tillë është Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir, që në historinë e kulturës shqiptare figuron që nga viti 1908.

Ndryshe, institucionet kulturore shqiptare që priten të financohen nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë janë: Teatri Shqiptar Shkup për përfundim të punimeve të objektit kapital, Teatri i Tetovës për vazhdim të punimeve në projektin kapital, Qendra Konzervative në Gostivar për ndërtim të objektit dhe Muzeu i Alfabetit Shqip për programin e rregullt dhe marrjen në menaxhim të dy shitoreve në përdhesen e saj të cilat përdoreshin për shitje të qeramikave. Është paraparë edhe formim i anasamblit shtetëror shqiptar i cili është në procedurë të përpilimit të strategjisë.

Megjithatë, në Kumanovë dhe Tetovë si institucione figurojnë teatro, të njëjtët objekte vetanake nuk kanë, por funskionojnë në kuadër të Shtëpive të Kulturës. Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga nuk kanë teatro as si institucione, ndërkaq kanë Shtëpi të Kulturës. Gjendja bëhet më e rënduar sepse ka komuna që nuk kanë as Shtëpi të Kulturës, siç është rasti me Sarajin, Haraçinën, Çairin, megjithëse në këtë të fundit pjesa dërmuese e aktiviteteve kulturore zhvillohet në objektin e Qendrës Teatrore të Fëmijëve në Çarshi të Shkupit.

LEXO: Viti 2017 nisi shkëndijën kulturore shqiptare në Maqedoni, ja çfarë thonë dashamirët e artit për 2018-tën
LEXO: Viti 2018 vendimtar për kulturën shqiptare, koha e fundit të rimëkëmbet Muzeu i Alfabetit
LEXO: Kur do të jetë gati objekti i Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Tetovë?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button