Vit i përgjegjësisë

Viti i ri sapo ka filluar dhe njerëzit ende e marrin veten nga festimet. Kishte shumë gjëra për t’u festuar në këtë ndërrim vitesh, veçanërisht kur të kemi parasysh që u arrit të bëhet një kthesë vendimtare pikërisht nga mesi i vitit të kaluar. Se çfarë do të bëjmë pas kësaj kthese varet nga secili prej nesh por pak më shumë varet nga qeveria e cila do të mbajë përgjegjësinë kryesore nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet dhe sigurisht, do të mbajë edhe meritat po që se arrijmë të përparojmë dukshëm në proceset euro-integruese.

Unë për vete kam vetëm një dëshirë në këtë fillim viti: Dua që ky vit të jetë viti i bartjes së përgjegjësisë. Është shumë e rëndësishme që proceset penale që kanë filluar të gjejnë përfundimin e tyre adekuat. Është shumë e rëndësishme që fajtorët përfundimisht të mbajnë përgjegjësi për atë që na kanë përgjuar në mënyrë ilegale me vite të tëra. Është shumë e rëndësishme që fajtorët për keqpërdorimin e madh me paratë e qytetarëve të përgjigjen për veprat e tyre penale. Edhe me më shumë rendësi është që këto para të kthehen dhe të përdoren për vetë qytetarët. Është tepër e rëndësishme që drejtësia të vendoset për gjithë që mori pjesë në kryerjen e veprave penale që ndodhën me 27 Prill 2017. Secili duhet të mbajë pjesën e tij të përgjegjësisë, në mënyrë që ajo ditë të mos përsëritet kurrë më. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që drejtësia të vendoset në secilin rast i cili haptazi duket që është i montuar dhe ku të drejtat e njeriut janë shkelur me dy këmbë. Legjislacioni në fuqi jep shumë mundësi që një gjë e tillë të bëhet, dhe këto mundësi duhet të shfrytëzohen. Pa drejtësi asnjëherë nuk do të ketë qetësi në këtë vend të vogël ballkanik me shumë probleme e halle.

Drejtësia duhet të zbatohet dhe të shihet duke u zbatuar. Nuk mjafton të fillojnë rastet penale para gjykatave, por të njëjtat duhet të përfundojnë në mënyrë efektive. Domosdoshmërish duhet përgënjeshtruar deklarata e ish-ministres së brendshme Jankulovska e cila në një rast, në vitin 2016 tha që nuk ka rëndësi sa raste do të hapë Prokuroria Speciale por ka rëndësi sa raste ajo do të përfundojë. Uroj që viti 2018 t’i tregojë ish-ministres se si duket përgjegjësia e vërtetë penale. Uroj që rastet e hapura të mbyllen këtë vit sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Po ashtu, uroj që ky vit të jetë vit i përgjegjësisë për të gjithë ata që mbajnë apo kanë mbajtur funksione të larta në shoqëri e që i kanë shërbyer krimit me veprat e tyre. Uroj që gjyqtarët që mundësuan arratisjen e personave që duhej të ndodheshin në paraburgim, të bartin pjesën e tyre të fajit si bashkëpunëtorë të krimit. Përgjegjësia penale është individuale dhe subjektive, secili përgjigjet për veprimet e veta dhe nga kjo nuk e mbron as toga e gjyqtarit e as imuniteti. Përkundrazi, bartja e funksioneve të larta sjell më shumë përgjegjësi dhe jo përjashtim të së njëjtës. Është koha që të shohim të përgjigjen personat që në emër të drejtësisë e varrosën të njëjtën dhe u bënë shërbëtorë të krimit. Nga pushtetmbajtës, nga përfaqësues të pushtetit të tretë dhe kontrollorit më të rëndësishëm të dy pushteteve tjera, ata vendosën të bëhen robër. Për këtë vendim të tyre dhe për pasojat e tij duhet të përgjigjen.

Drejtësia duhet të vlejë njësoj për të gjithë, kjo është e vetmja mënyrë që ajo të funksionojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button