Qeveria e Maqedonisë në vitin 2017 nuk ishte reformuese, por si do të jetë në vitin 2018?!

Mungesa e reformave në drejtësi Maqedonisë i solli nota të dobëta nga Komisioni Evropian dhe raporti i Rejhard Pribe-së për vite me radhë, madje ajo është edhe pjesë e planit qeveritar të Maqedonisë, 3-6-9. Megjithëse një problem afatgjatë dhe tejet i nevojshëm që Maqedonia të hapërojë në procesin euro-atlantik të saj, sipas ekspertëve juridik, Osman Kadriu, Temelko Risteski dhe Xvonko Davidoviq, viti 2017 nuk tregoi se Qeveria e Maqedonisë do të jetë reformuese siç ia mveshi vetes mbiemrin në fillim, pasi që asnjë ndryshim ligjor nuk u realizua në praktikë, njofton Portalb.mk.

Sipas tyre, të gjitha punët që nisën më vitin 2017, duhet të përfundojnë më vitin 2018.

Osman Kadriu
Osman Kadriu

“Viti 2018 duhet të jetë vit i vazhdimësisë së reformave të cilat kanë filluar nga viti që po e lëmë pas e të cilat u nisën pas formimit të qeverisë e cila vetes ia atribuoi mbiemrin reformuese. Si shtet gjendemi para një provimi tejet të rëndë meqenëse në Maqedoni, siç janë të njohura edhe nga raporti i Komisionit Evropian dhe të Rejhnard Pribe-së, lulëzon korrupsioni, gjendja e rëndë ekonomike, krimi i organizuar, me të cilat është gropuar themeli i shtetit. Që të jenë të realizueshme këto, reformat duhet të japin rezultatet e para, të duhura, kualitative, sepse nëse nuk kemi rezultate në gjyqësi vështirë se do të kalohet provimi dhe nuk do të arrijmë të kryejmë detyrat shtëpiake, atëherë nuk kemi bërë asgjë për stabilitetin e shtetit”, tha juristi Osman Kadriu.

Osman Kadriu nënvizoi se zgjedhja e prokurorit të ri publik nuk mjafton që gjyqësori të rimarrë veten pasi që “duhet të ndërrohen edhe strukturat në gjyqësor dhe prokurori dhe të zhvillohet një betejë për pastrimin e gjykatësve, e krimit, e të gjitha rasteve të cilat cilësohen si politike”. Kadriu vlerësoi se që Maqedonia të fillojë të lëvizë më vitin 2018, do të na imponohet nga koha dhe nevoja.

Xvonko Davidoviq
Xvonko Davidoviq

Për pastrimin e gjykatësve është edhe avokati Xvonko Davidoviq i cili tha se më vitin 2018 duhet të ketë edhe përgjegjësi penale për të njëjtët.

“Derisa çdo kush jep përgjegjësi për punën e tij të deritashme, nënkuptohet për gjykatësit dhe prokurorët, të cilët deri tash e sollën dhe heshtën për degradimin e gjyqësorit, atëherë do të kemi përparim të vërtetë në gjyqësor. Por, nëse shkojmë vetëm me ndryshime dhe miratime ligjore, ajo nuk do të sjellë reforma, pasi që edhe në raportin e Pribesë u tha se ligjet janë të mjaftueshme që të veprojmë që të kemi një shtet juridik. Një pjesë e ligjeve duheshte të ndryshohen, por para se gjithash duhet të ndryshohet principi i punës ku secili nga personat kyç të cilët sollën deri në këtë gjendje të thirren në përgjegjësi. A bëhet fjalë për vepër penale apo shkelje disiplinore, është e njëjtë. Derisa kjo nuk ndodh, reforma dhe restartim të gjyqësorit në plotkuptimin e fjalës nuk do të ketë”, tha Davidoviq.

LEXO: AKMIS nuk ka funksionuar, nuk ka përgjegjësi penale për ndarjen manuale të lëndëve

Davidoviq përgjegjësi penale kërkoi edhe për keqpërdorimet e sistemit AKMIS.

“Për shembull, për sistemin AKMIS u pa se kush është përgjegjës për keqpërdorimin, por askush nuk dha përgjegjësi për të. Tash ndokush mund të thotë se do të thirren në të ardhmen, por shihni nëse ne kemi njohuri për diçka dhe nuk ngritëm iniciativë për llogaridhënie, kjo nuk është drejtësi. Shpresoj që më vitin 2018 të funksionojë drejtësia, por vetëm emërimet e reja kuadrove do të sillnin zgjidhjen e duhur, sepse me persona që deri më sot kanë qenë pjesë e gjyqësorit kjo nuk do të arrihet”, tha Davidoviq.

Temelko Risteski
Temelko Risteski

Nga ana tjetër, juristi Temelko Risteski vitin 2017 e vlerësoi si pozitiv, pasi që sipas tij filloi shprangosja partiake e gjyqësorit

“Vitin 2017 e vlerësoj si pozitiv, pasi që ngërçin që e kishte drejtësia nga garnitura qeveritare paraprake u tejkalua, gjyqësori i lirua nga partizimi, numri i madh i gjykatësve filluan të punojnë në pajtueshmëri me ligjet. Për shkak të këtyre ndryshimeve, ndaluan edhe bllokadat ndaj Prokurorisë Speciale Publike dhe si rezultat të kësaj kemi akte prokuroriale më shumë nga ana e Prokurorisë Publike. Gjyqësori do të lirohet edhe më shumë nga trysnia partiake dhe se do të vijë deri te sistematizimi i gjykatësve të cilët nuk punuan në mënyrën e duhur, që nuk u treguan kurse gjenden në pozita kyçe në gjykata, si për shembull në vende kur gjykohet për vepra kriminale, shkeljet civile dhe do të vendosen atje ku këto shkelje janë më pak të ndjeshme”, tha Risteski.

Dënim për parregullsitë kërkoi edhe Risteski.

“Me këto ndryshime, dhe me punën e Këshillit Gjyqësor i cili do të vëzhgojë punën e gjykatësve dhe nëse rast se vërehen parregullsi, të njëjtët të dënohen”, tha Risteski.

LEXO: Caca-Nikollovska: Ka përparim të vogël në transparencën e Këshillit Gjyqësor

Johanes Han në Shkup
Johanes Han në Shkup

“Ne duam të shikojmë arritje të qëndrueshme për reformën në gjyqësor dhe gjithashtu edhe në lirinë e medias. Këto besoj do të jenë të panegociueshme për vendet anëtare. Vështirësia, përveç tek unë si Komisioner Zgjerimi është edhe tek politikanët europianë. Ata duhet t’u shpjegojnë qytetarëve në vendet e tyre përse është në interesin e vendit të tyre zgjerimi i Bashkimit Europian”, deklaroi ditë më eurokomesari për zgjerim në Bashkimin Evropian, Johanes Han.

Raporti i një grupi të ekspertëve ndërkombëtar, i udhëhequr nga gjermani, Rainhard Pribe, pas një vizitë që ka realizuar në organet gjyqësore dhe pas takimeve me drejtues të institucioneve, ka konstatuar mangësi dhe pengesa të shumta në punën e gjykatave dhe në hetimin e aferave kriminale gjatë pushtetit të kaluar.

Këshilli Gjyqësor, si trup i pavarur, në vend që ta garantojë pavarësinë e gjyqësorit, në realitet pengon autonominë e tyre”, u tha në raportin e Pribe-së duke u nënvizuar pengesat që i bëhen Prokurorisë Speciale në zbardhjen e hetimeve ndaj ish-zyrtarëve të lartë, ndërsa përgjegjësi kërkohet edhe për të gjithë ata që me vite kanë përgjuar në mënyrë ilegale.

LEXO: Pas kritikave Ministri dhe zëvendësi tërhiqen nga Këshilli për reforma gjyqësore

Rekomandimet e Pribe-së dhe Komisionit Evropian janë përfshirë edhe në Planin 3-6-9 të Qeverisë së Maqedonisë me të cilin parashihej edhe formimi i këshillit për reforma në gjyqësor. Këshilli në fjalë që në fillim hasi në pakënaqësi si pasojë e të cilave u shpërbë. Në këtë Këshill janë anëtar 27 gjykatës, profesor dhe këshilltar shtetëror, dy nga anëtarët janë edhe ministri dhe zëvendësi.

Nga ana tjetër, meqë në Maqedoni dhe procesin gjyqësor të saj ndikoi edhe Prokuroria Speciale Publike, bllokadat ndaj të njëjtës duke mos pranuar “bombat” si dëshmi gjyqësore treguan se gjyqësori edhe më tej është i partizuar. Zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski tha se sipas planit 3-6-9, Prokuroria Speciale Publike, do të jetë pjesë e Prokurorisë Themelore Publike. Kjo vjen pasi që kryeprokuroja speciale, Katica Janeva, gjatë konferencës për shtyp ku i hapi 7 raste të reja kërkoi që Prokuroria Speciale të jetë pjesë e Prokurorisë Themelore Publike.

LEXO: Këshilli Gjyqësor ia ka marrë kompetencat Këshillit për Verifikimin e Fakteve
LEXO: Këshilli gjyqësor e shkarkoi nga puna gjykatësin Mitrinovski
LEXO: Gjykatat nuk janë të hapura ndaj opinionit, që e vështirëson punën e gazetarëve
LEXO: Ligji i amnistisë do të lirojë 670 persona dhe 3,097 të tjerëve do t’ua zvogëlojë dënimin
LEXO: Saliji: Angazhim ndërkombëtar për vendimet e dyshimta gjyqësore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button