Deri më vitin 2017 shëndetësia në Maqedoni ishte recetë për dështim, ja çfarë pritet të bëhet këtë vit

Shëndetësia është njëra nga sferat që më së shumti është premtuar në Maqedoni, kurse aspak nuk është punuar. Spitalet rajonale janë në gjendje të mjerueshme, kemi mungesë të ambulancave shtetërore në komuna shqiptare, Qendra Klinike edhe më tej mbetet peng, mosrritja e pagave të mjekëve dhe problemi me insulinat dhe ilaçet false janë probleme edhe më madhore për të cilat ka nisur të premtohet për më shumë se dy dekada, kurse ende asgjë nuk është ndërmarrë, shkruan Portalb.mk.

Megjithëse me strukturë të re qeverisëse tashmë gjashtë muaj, si pasojë e “përfitimeve partiake”, dikasteri më i lartë shëndetësor në Maqedoni, Ministria e Shëndetësisë për dy muaj me radhë ishte pa ministër.

Sipas doktorit Artan Dika shëndetësia paraqet një ndër sektorët më të vështirë për t’u menaxhuar dhe është recetë për dështim në Maqedoni.

“Shëndetësia është një sektor i vështirë për tu menaxhuar ose thënë ndryshe është një recetë për dështim. Viti 2017 paraqet vit të vazhdimit të inercionit në shëndetësi me përkeqësim të tendencës për stagnim, të trashëguar nga vitet paraprake”, tha Dika.

Liridon Disha
Liridon Disha

Nga ana tjetër, doktori Liridon Disha vitin 2017 e sheh si vit me probleme të shumta të cilat kryesisht erdhën nga keqmenaxhimi dhe nepotizimi partiak. Sipas tij, problemet në shëndetësi u thelluan më shumë me ngërçin politik.

“Viti 2017 kaloi njësoj siç kaloi edhe 2016-ta. Me probleme të shumta në shëndetësi. Keqmenaxhimi, mungesa e investimeve, probleme të shumta në administrimin dhe shpërndarjen e barërave, dhënien e licencave për ambulanca dhe barnatore private, selektivitet partiak dhe nepotizëm në përzgjedhje e të punësuarve nëpër qendrat spitalore… Normalisht se të gjitha këto dukuri negative shfaqen edhe për shkak të ngërçit politik i cili kaploi shtetin tonë gati 2 vite me radhë, për shkak të tranzicionit politik dhe zgjedhjeve të parakohshme. Për fat të keq të vetmit humbës në këtë histori janë qytetarët dhe të punësuarit në sistemin gjithëpërfshirës shëndetësor. Duhet ta kemi parasysh edhe faktin se për disa muaj me radhë Maqedonia mbeti pa ministër shëndetësie për shkak të zgjedhjeve komunale”, tha Disha.

Ndërkaq mjeku Rexhail Ramadani vlerësoi se viti 2017 nisi reformat në shëndetësi në bllokun maqedonas, por jo edhe në atë shqiptar.

“Reformat në Maqedoni kanë filluar me ardhjen e qeverisë Zaev, por shumë të ngadalta dhe se akoma ka shumë punë për të bërë deri te funksionalizimi i shtetit. Në kampin politik shqiptar është problemi me i madh riorganizimi i tyre politik dhe sidomos prezenca e një mentaliteti të vjetër politike me mendësi komuniste ku akoma nuk e kupton shtetin si shtet që duhet t’i shërbejë gjithë qytetarëve pa dallim dhe duhet të ofrojnë mundësi të barabarta gjithë shqiptarëve që janë banorë të Republikës së Maqedonisë”, tha Ramadani.

Viti 2018 duhet të risë pagat dhe të parandalojë ikjen e të rinjve

Sipas mjekëve të kontaktuar nga Portalb.mk, Artan Dika, Liridon Disha dhe Rexhail Ramadani, duke e parë mënyrën se sa dhe si u punua në sferën shëndetësore në Maqedoni gjatë vitit 2017, edhe viti 2018 nuk jep shpresa se ajo do të shkojë duke u përmirësuar, si pasojë e investimeve të pamjaftueshme.

Mjeku Liridon Disha thotë se viti 2018 duhet të nis me rritjen e rrogave të kuadrit shëndetësor për të vazhduar me parandalimin e ikjes së mjekëve të rinj nga Maqedonia.

“Për 2018 të shpresojmë që ndryshimet të fillojnë që nga rritja e rrogave të punëtorëve të shëndetësisë, përmirësimin e kushteve nëpër spitalet publike, krijimin e politikave afatgjata për parandalimin e ikjes së mjekëve të rinj nga Maqedonia për të punuar jashtë vendit, zyrtarizmin e plotë të gjuhës shqipe në institucionet shëndetësore dhe ato private, shtimin e shërbimeve ndaj pacienteve në shëndetësinë primare dhe atë sekondare, Fond Shëndetësor më stabil dhe me pagesa më të larta për institucionet private shëndetësore”, Disha.

Ndërkaq mjeku Artan Dika vlerësoi se viti 2018 nuk është shpresëdhënës, pasi që investime ka pak. Ai vlerësoi se nepotizmi dhe keqmenaxhimi do të vazhdojnë të jenë prezente.

Artan Dika
Artan Dika

“Viti 2018 nuk duket aspak shpresëdhënës. Çfarëdo që të premtohet për shëndetësinë, përderisa nuk ka investime domethënëse për përmirësimin e mjediseve të objekteve spitalore dhe pajisjen e tyre me aparatura moderne të nevojshme, ministrat e shëndetësisë që do ndërrohen njëri pas tjetrit do vazhdojnë duke nxjerrë pamjet e mjeruara të objekteve të spitaleve të lëna nga paraardhësit e tyre, që ata do ua lënë trashëgimi pasardhësve të tyre. Keqmenaxhimi, nepotizmi, politizimi dhe ndërhyrjet partiake në shëndetësi vazhdojnë të jenë plagë të rënda që assesi të luftohen nga mentaliteti ekzistues. Në një vend ku punësimet e kuadrove shëndetësore bëhen përmes zyrës së partisë dhe ku drejtorët zgjidhen mes aktivistëve partiakë, profesionalizmi është i dënuar me gjymtim ndërsa drejtimi i institucioneve shëndetësore e humb pavarësinë dhe kuptimin e tij. Përgatitja e dobët e kuadrit mjekësor nuk ka shenja se do të ndryshojë. Premtimi se rroga e mjekut specialist në fund të mandatit do të jetë 100.000 denarë, ndeshet me realitetin e hidhur të rritjes së rrogave me vetëm 5% dhe atë vetëm nga shtatori i vitit 2018. Mbingarkimi i shëndetësisë terciare klinikave me pacientë që duhet të trajtohen në shëndetësinë sekondare, spitalet e qytetit, do të vijojë edhe më tej. Paralajmërimet se do të vazhdojë ndërtimi i Qendrës së urgjencës, e cila rrejshëm paraqitet si Qendër e re klinike, mund të çojë në krijimin e një vrime të re të zezë që do të thith fonde të konsiderueshme duke rezultuar në fund si zgjidhje joadekuate dhe joefektive”, tha Dika.

 

Rexhail Ramadani
Rexhail Ramadani

Sipas Rexhail Ramadanit, ngecjet në sferën shëndetësore kanë ardhur si pasojë e mendësisë së udhëheqësisë politike në Maqedoni, që sipas tij nga blloku maqedonas ka filluar të ndryshojë, ndërsa në atë shqiptar ende jo.

“Dy reforma janë shumë të rëndësishme ne Maqedoni, reformat institucionale dhe kalimi i pushtetit nga oligarkitë, individët tek institucionet ku ligjet dhe rregullat përcaktojnë kontratën sociale dhe sjelljen e shoqërisë ndërsa reforma tjetër ka të bëjë me reformimin e mendësisë politike të klasës politike shqiptare si dhe reformimin e mendësisë së klasës intelektuale që të mos sabotojnë rolin e tyre në evoluimin e shoqërisë shqiptare. Dinamika e reformave kërkon mendësi të re politike, te pala maqedonase ka filluar diçka por po ec shumë ngadalë”, tha Ramadani.

Përndryshe, për Qendrën Klinike u premtua që nga viti 2012 nga ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, megjithëse iniciativa konkrete kishte nga ish ministri i Shëndetësisë Imer Selmani që nga viti 2007, por që u ndalua për shkak të borxheve të mëdha që i kishin spitalet. Edhe ish ministri pas tij shqiptar, Bujar Osmani pati inciativë për decentralizim të shërbimeve mjekësore, por edhe kjo dështoi si iniciativë.

Gjatë premtimit të Qendrës Klinike nga Gruevski shuma fillestare u caktua 50 milion euro, por ajo shkoi duke u rritur dhe kapi vlerën prej 70 milion euro e cila sipas informatave të mediave përfshinë edhe kredi në vlerë prej 130 milion euro. Të gjitha këto rritje vlerash u bënë derisa në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Nikolla Todorov.

Nga ana tjetër, problemi me pagat ishte edhe arsyeja e protestave që u bënë më vitin 2012, por edhe pas pesë vjetëve problemi nuk është zgjidhur.

Gjendja me shëndetësinë bëhet më alarmante pasi që sipas konkluzave statistikore, deri më vitin 2020 më shumë se gjysma e specialistëve do të shkojnë në pension, kurse mjekët e rinj ende pa mbaruar studimet vizitojnë kurse të gjuhëve të huaja që të bëjnë gati valixhet.

LEXO: Ja kush është Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
LEXO: Skandalet që e kanë përcjellë ministrin e ri të Shëndetësisë, Venko Filipçe

Problemi me shëndetësinë në Maqedoni shkoi duke u thelluar. Me qeverinë e re e cila u zgjodh në minutat e fundit të 31 majit të 2017 në krye të Ministrisë së Shëndetësisë u vendos Arben Taravari, i cili me hyrjen në Ministri nxori parregullsi për Qendrën Klinike si pasojë e të cilave Maqedonia ka borxh në vlerë prej 90 milion euro. Megjithatë, ato ngelën vetëm parregullsi dhe asgjë nuk u zhvillua më shumë që të eliminohet si të tilla dhe të përmirësohen gabimet, sepse me zgjedhjet lokale që u mbajtën pas tre muajve të emërimit të tij, më 15 tetor, Taravari u largua nga Ministria për t’u kandiduar si kryetar komune në Gostivar. Ai u zgjodh kryetar komune, por Ministria e Shëndetësisë dy muaj me radhë nuk realizoi asnjë aktivitet.

LEXO MË SHUMË:

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button