Urimi i Migjenit për Vitin e Ri 1937

Më poshtë mund të lexoni një urim të rrallë të Millosh Gjergj Nikollës, të njohur si Migjeni, një prej shkrimtarëve më të shquar shqiptarë të shekullit të XX.

“Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por kësaj here due të hyj në rradhen e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.

– Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.

-Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.

Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht. Migjeni, Urim për vitin 1937″, shkruajti në letrën e tij, shkrimtari Migjeni.

Millosh Gjergj Nikolla ose siç njihej me pseudonimin e tij të shkrimit Migjeni ishte poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë anticifligare qe i ndjeshëm ne vitet kur shkroi. Një shtysë te posacme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.

Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani nje shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin. Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe u zhvendos në Shkodër ku punoi si murator dhe më vonë u martua me Stake Milanin nga Kuçi. Para se të vdiste në 1876, u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924) të atin e Milloshit, dhe Kriston[1].

Gjergji, i ati, zotëronte një bar dhe ishte një anëtar shumë i respektuar i komunitetit. Vlen për tu përmendur zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli).[2] Gjergji ishte i martuar martua me Sofia Kokoshin (e ëma Migjenit) në 1900. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t’et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). Si i shoqi, Sofia gëzonte nam të mirë në rrethet shoqërore dhe ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane.[2] E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër [2]. Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeveve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button