Natë relativisht e qetë e Vitit të Ri për mjekët në Shkup

Natë relativisht të qetë të Vitit të Ri patën ekipet kujdestare në spitalet e Shkupit. Më i riu që kërkoi ndihmë në Klinikën për toksikologji ka 16 vjet, ndërsa për dallim nga vitet e kaluara, nuk ka pasur pacientë të mbidozuar me substanca subtropike, transmeton MIA. 

Në Klinikën e Toksikologjisë pranë Qendrës urgjente “Nëna Terezë” gjatë natës së Vitit të Ri janë pranuar 27 pacientë prej të cilëve më i riu është 16-vjeçar, ndërsa më i vjetri 48-vjeçar.

“Kryesisht bëhej fjalë për grup të pacientëve mes 20 dhe 25 vjeç dhe posaçërist jemi të kënaqur dhe të lumtur që pas shumë viteve nuk patëm të mbidozuar me substanca subtropike”, deklaroi sot në mëngjes drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Niko Beqarovski.

Sipas rezultateve të para nga laboratori toksikologjik i Klinikës, pacientët nuk kishin mbi dy promilë alkool në gjak.

Në Klinikën universitare të Sëmundjeve Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit” gjatë 24 orëve të fundit ndihmë mjekësore kërkuan 65 pacientë prej të cilëve pesë janë hospitalizuar, ndërsa katër janë operuar.

“Asnjëri nga personat të cilët janë hospitalizuar dhe operuar nuk është pranuar dhe mjekuar si pasojë e lëndimeve lidhur me pritjen e Vitit të Ri. Në ambulance janë pranuar katër pacientë me lëndime më të vogla nga mjetet piroteknike dhe janë lëshuar për mjekim shtëpiak. Gjatë natës janë pranuar edhe dy pacientë me plagë nga armë zjarri por, për fat të mirë bëhet fjalë për plagë të lehta sipërfaqësore në pjesën e qafës nga plumba qorrë. Ata kanë marrë përkujdesje ambulance dhe nuk ka pasur nevojë që të hospitalizohen”, deklaroi drejtori i Klinikës, Ivan Spirovski.

Në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” janë kontrolluar 96 pacientë, që, sipas doktoreshës Jamsina Ciriviri, është numër i zakonshëm për këtë periudhë të vitit.

“Katër janë pacientë me formë të lehtë të intoksinimit me alkool dhe disa pacientë janë lënduar në rrahje të ndërsjellta. Nuk pati pacientë me lëndime nga mjetet shpërthyese dhe nga kapsollat”, informoi doktoresha Ciriviri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button