Kampionët e vitit 2017

Nuk munguan sukseset për 2017-ën as në sportet e tjera, teksa Romela Begaj dhe Izmir Smajlaj shkruan emrin e tyre dhe të Shqipërisë, në ‘Librin e Artë’ të medaljeve, transmeton SuperSport.al.

Gjithashtu, edhe tenisi pati rikthime të emrave të mëdhenj, si Federer, Nadal dhe Serena Williams, që u rikthyen te fitoret dhe kryesimi i renditjes botërore.

Edhe NBA-ja ishe e mbushur me emocione dhe spektakël, ndërsa në fund triumfoi Golden State Warriors, që edhe këtë sezon po vijon dominimin.

Më poshtë janë listuar të gjithë kampionët në eventet sportive më kryesore, por edhe sportistët shqiptarë, që arritën të ngrenë lart flamurin kuqezi.

Rikthimi i madh i Romela Begajt. Sportistja shqiptare shkroi historinë pasi në peshën 69 kg fitoi medaljen e Artë në Botërorin, që u zhvillua në SHBA, në stilin e shkëputjes, duke realizuar me sukses të 3-ja provat, ndërsa doli e dyta në dygarësh me 235 kg në total, duke fituar edhe një medalje të Argjendtë.

Izmir Smajlaj shpallet kampion Europe. Sportisti shqiptar i kërcimit së gjati arriti të triumfojë në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura, të organizuar në Serbi.

24-vjeçari shkodran regjistroi hedhjen e artë në tentativën e 6, që ishte njëkohësisht edhe e fundit, me 8 metra e 8 centimetra. Krahas vendosjes së rekordit kombëtar në këtë disiplinë, Smajlaj ‘gdhendi’ emrin e tij dhe të Shqipërisë, në ‘Librin e Artë të Kampionëve’.

Ferit Keta fiton titullin kampion në Gjermani. Një vit i artë rezultoi 2017-ta për pinjollin më të vogël të familjes Keta, Feritin, i cili rrëmbeu çdo titull të mundshëm duke dominuar skenën e boksit dhe kikboksit në Gjermani.

Në muajin Nëntor, më i vogli i familjes Keta triumfoi në betejën për titullin kampion gjerman, në peshën “Cruiser”. Boksieri shqiptar sfidoi 31-vjeçarin gjerman Toni Thes, në ndeshjen e 9, të karrierës së tij, duke fituar me Konck out teknik. Ndërkohë, në muajin korrik, 29-vjeçari fitoi titullin europian në ISKA, në kikboks ndaj holandezit Rochel Gumuljo dhe gjerdanin e artë në atë takim ia dha i madhi Luan Krasniqi.

Vllaznia dhe Barleti Volej, triumfojnë në Volleyball. Shkodranët thyen mallkimin 70-vjeçar, duke fituar për herë të parë në histori titullin kampion, në Volejboll për meshkuj. Kuqeblutë e trajnerit Mark Kroqi bënë surprizën e madhe, duke eliminuar fillimisht favoritin kryesor Partizanin në gjysmëfinale dhe më pas shkatërruan 3-0 me ndeshje, Studentin në finale, duke bërë të tyrin trofeun e skuadrës kampione. Në kategorinë e femrave Barleti Volej nuk kishte sërish rivalë, pasi e fitoi titullin kampion për të 4-tin vit radhazi. Vajzat e drejtuara nga trajneri Hasan Gurabardhi kaluan 3-0 me ndeshje Partizanin në finale, duke mbyllur në mënyrën më të mirë një vit fantastik, në të cilin fituar edhe Kupën e Federatës.

Tirana dhe Flamurtari, triumfojnë në basketboll. Viti 2017-të i buzëqeshi Tiranës në basketbollin e meshkujve. Bardheblutë pas sukseseve në Kupë dhe Superkupë fituan edhe kampionatin duke kompletuar një sezon të mrekullueshëm. Ekipi i drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç triumfoi 3-0 me ndeshje, në serinë e finaleve ndaj Vllaznisë duke shkurorëzuar pikërisht skuadrën shkodrane. Në basketbollin e femrave Flamurtari nuk njeh rivalë. Vajzat vlonjate mbrojtën titullin kampion edhe në 2017-n pasi triumfuan 3-1 me ndeshje në finalen e madhe ndaj Tiranës.

Sigal Prishtina nuk ndalet në Kosovë. Në basketbollin kosovar edhe 2017-ta ishte viti i Sigal Prishtinës që fitoi titullin kampion për herë të 4-t radhazi. Skuadra kryeqytetase triumfoi në finalen e madhe 3-1 me ndeshje ndaj Bashkimit.

‘Sportisti i vitit 2017’ – Tenisi vendos diktatin. Roger Feder u shpall Sportisti i vitit 2017, nga votimi i organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Sportivë, duke lënë pas emrat e mëdhenj të futbollit si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Këta të fundit ishin pjesë e podiumit, përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë. Edhe Sportistja e vitit 2017 ishte gjithashtu nga bota e tenisit. Bëhet fjalë për Serena Williamsin, që e nisi vitin me një triumf në Australian Open, duke arritur në 23 Grand Slam-e të fituar dhe thyer rekordin e Steffi Graff. Tenistja e famshme, përjetoi edhe emocionet e të bërit nënë për herë të parë këtë vit.

Në Formula 1 festoi sërish Mercedesi. Lewis Hamilton u rikthye në majën e botës, pasi fitoi titullin kampion i 4-ti për të në karrierë dhe i treti me makinën Mercedes. Pas një fillimi jo të mirë, anglezi shkëlqeu në gjysmën e dytë të sezonit duke lënë pas në renditje gjermanin e Ferrarit, Sebastian Vettel dhe duke e barazuar këtë të fundit në kuotën e 4 titujve. Për konstruktorë ishte sërish Mercedes makina fituese me skuadrën gjermane që bëri të vetin titullin kampion për të 4-tin vit radhazi.

Moto GP dominohet nga Marc Marquez. Moto GP e vitit 2017 dhuroi emocione deri në kilometrat finale ku Marc Marquez triumfoi me titullin e 4-t të karrierës, duke i lënë shumë zhgënjim rivalit të Ducatit, Andrea Dovizioso, i cili nuk arriti të kompletonte mrekullinë e nisur shumë muaj më parë. Është vetëm 24-vjeç dhe nëse vazhdon me këto ritme Marc Marquez për të thyer të gjitha rekordet që ka vendosur Valentino Rossi në MotoGp dhe për t’u bërë piloti më i mirë i të gjitha kohërave. Ky ishte titulli i 4-t për pilotin iberik në Moto GP, që ndjek Valentino Rossin me 6 të tillë dhe Giacomo Agostinin me 8, ndërsa Honda fitoi titullin për konstruktorë, duke grumbulluar 356 pikë, kundrejt 321 që mori Yamaha e vendit të dytë.

Në NBA Golden State fitoi titullin e dytë në 3 vitet e fundit dhe të 5-tin në histori. Warriors ishin skuadra më e mirë dhe nuk e vunë asnjëherë në diskutim triumfin final. Skuadra e Steve Kerr falë 3-shes magjike shkëlqeu Durant-Curry-Thompson zhvilloi një fazë play-off në kufijtë e perfeksionit duke humbur vetëm një ndeshje edhe atë ndaj Cleveland Cavaliers në finalen e madhe duke u hakmarrë ndaj skuadrës nga Ohio për titullin e humbur në 2016-n në mënyrën më të mirë të mundshme. Kevin Durant u shpall lojtari më i mirë i finaleve ndërsa Rusell Westbrook, MVP-ja i sezonit të rregullt.

Në Euroleague festoi Fenerbahce. Skuadra nga Stambolli u shpall për herë të parë në histori kampione e Europës pasi mposhti në finalen e madhe grekët e Olympiacos duke fituar derbin ballkanas. MVP-ja i sezonit u shpall spanjoll Sergio Lull i Realit të Madridit ndërsa lojtari më i mirë i finaleve amerikani Epke Udoh i Fenerbahces.

Sllovenia triumfon në Europianin e Basketbollit për meshkuj. Viti 2017-të vuri në skenë edhe europianin e basketbollit të meshkujve që rezultoi një surprizë e vërtetë pasi për herë të parë në majën e Europës u ngjit Sllovenia. Në kompeticionin e zhvilluar në 4 shtete sllovenët bënë surprizën e madhe, duke eliminuar në gjysmëfinale favoritët e mëdhenj të Spanjës dhe duke mposhtur në finalen e madhe një përfaqësuese me eksperiencë si Serbia për meritë të Goran Dragic që ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm.

Rusia për meshkuj e Serbia për femra, triumfojnë në Europianin e Volejbollit. Kampionati europian në 2017-n u zhvillua edhe në volejboll, madje në të dyja kategoritë. Te meshkujt triumfoi Rusia, që në Poloni e fitoi për herë të 14-të në histori këtë kompeticion, pasi kaloi në finale 3-2 Gjermaninë, pas një ndeshjeje vërtetë spektakolare. Te femrat, në europianin e mbajtur në Azerbajxhan dhe Gjeorgji, festa ishte e gjitha për Serbinë, që mposhti në finale 3-1 me sete Holandën, duke e fituar për herë të dytë këtë kompeticion.

Nadal dhe Federer, rikthehen në majë. Në tenisin e meshkujve 2017-ta ishte viti i rikthimit të madh të dy prej tenistëve më të mirë historisë. Rafael Nadal dhe Roger Federer kapën sërish majat, duke diskutuar mes tyre të gjithë trofetë e rëndësishëm. Spanjolli, që u bë sërish edhe numri 1 i Botës, fitoi 2 turne Slam, pikërisht Roland Garros dhe Us Open, ndërsa mbreti Roger e nisi vitin me një sukses pikërisht ndaj Nadal në Australian Open, ndërsa mposhti edhe Marin Cilic në finalen e Wimbledon. Te femrat turnetë e mëdhenj e fituan nga 4 emra të ndryshëm. E nisi mbarë vitin Serena Williams me suksesin në Australian Open, në Roland Garros bëri surprizën letonezja e talentuar Jelena Ostapenko, në Wimbledon triumfoi spanjollja Garbine Muguruza, ndërsa në US Open buzëqeshi tenistja vendase, Sloane Stephens.

Në çiklizëm shkëlqen sërish britaniku Chris Froome. Gjithsesi, titujt e fituar nga ai, rrezikon t’i hiqen nëse do të rezultojë pozitiv në testet e antidopingut, pasi në trupin e tij është gjetur një substancë e ndaluar. Froome triumfoi përsëri në Tour De Francë, ndërsa bëri të vetën edhe Vueltan e Spanjës, ndërkohë Giro D’Italia shkoi për holandezin Tom Dumoulin.

Oiger, ‘padroni’ i Rallyt. Ndryshoi makinë duke kaluar nga Volkswagen Polo te Ford Fiesta por 2017-ta në Rally ishte sërish viti i Sebastien Oiger. Piloti francez fitoi për herë të 5-të në karrierë dhe për të 5-tin vit radhazi kampionatin Botëror, që nisi në Monte Carlo në 19 janar dhe përfundoi në Australi në 19 nëntor.

Mayweather vs McGregor. Në boks ndeshja e vitit u zhvillua në 26 gusht në ‘T-Mobile Arena’ të Las Vegasit, mes amerikanit Floyd Mayweather Jr dhe irlandezit Connor McGregor, i cili për një natë la artet marciale, për të bërë boksierin profesionist dhe për t’u ndeshur me më të madhin e më të mëdhenjve. Pas një dueli spektakolar, triumfoi eksperienca e Mayweather, që e mbylli karrierën pa asnjë humbje duke fituar ndeshjen e tij numër 50-të, me Floyd që theu rekordin e Rocky Marcianos. Kjo ndeshje prodhoi një lumë të ardhurash me Mayweather që arkëtoi më shumë se 300 milionë dollarë nga ky duel, ndërsa McGregor mbushi xhepat me më shumë se 100 milionë dollarë.

New England Patriots, triumfon në NFL. Në futbollin amerikan 2017-ta ishte sërish viti i New England Patriots që triumfoi për herë të 5-të në histori në finalen e SuperBowl. New England mposhti me rezultatin 34-28 Atlanta Falcons, ndërsa Quarterback-u Tom Brady u shpall lojtari më i mirë i finales që u zhvillua në ‘NRG Stadium’ të Houstonit në Texas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button