Recetat e Vitit të Ri nga Renato Mekolli, 3 pjatat që nuk duhet të mungojnë në tryezë

Shef Renato Mekolli propozon për tryezën e ditës së sotme tri receta që nuk duhet të mungojnë, transmeton Revistaclass. E para është:

Sallatë jeshile me misër majonezë e mustardë.

Përbërësit:

Një tufë sallatë jeshile (rreth 200 gr)

Pak sallatë e kuqe

200 gr misër i zier

1 qepë e njomë

1 mollë

Kripë

Piper

1 tufë majdanoz

Për salcën:

50 ml vaj ulliri

Gjysmë limoni

1 lugë majonezë

2 lugë kos

Përziejmë të gjithë përbërësit e salcës (në grirës elektronik) dhe e lëmë mënjanë. Lahet sallata, kullohet dhe pritet me dorë në copa të vogla. E vendosim në një enë e në të shtojmë qepën e njomë dhe majdanozin të prerë hollë, mollën e prerë në kubikë, misrin dhe i përziejmë lehtë. Atyre u shtojmë edhe salcën dhe i përziejmë përsëri.

2. Supë me kungull dimri

Përbërësit:

Lëng pule

300 gr kungull dimri

100 gr gjalpë

4 lugë kos

1 limon

1 qepë

Arrë moskat

Kripë

Piper

Qërojmë dhe presim kungullin në kube të mëdha dhe qepën në kube të vogla. I hedhim në një tenxhere me gjalpin dhe e mbyllim tenxheren me kapak, në mënyrë që kungulli të nxjerrë të gjitha lëngjet e tij dhe të zbutet. Kur e shohim që është zbutur, shtojmë edhe lëngun e pulës dhe kosin. Kalojmë në rende pak arrë moskat, kripën e piperin dhe e lëmë të ziejë për 45 minuta. Ashtu të ngrohtë e kalojmë supën në multi dhe, në fund, shtojmë dhe lëngun e limonit sipas dëshirës dhe kosin.

3. Gurabije

Përbërësit:

250 gr gjalpë i freskët

500 gr miell

150 gr sheqer

2 të verdha vezësh

Gjysmë filxhani kafeje konjak

Lëkura e dy portokajve

100 gr bajame

50 gr arra

1 lugë kafeje vanilje

50 ml ujë me aromë trëndafili

Një pako fryrës ëmbëlsirash ose gjysmë lugë supe sodë buke

500 gr sheqer pluhur

Kalojmë arrat dhe bajamet në tigan pa yndyrë në temperaturë të ulët, për pak minuta. Përziejmë në mikser sheqerin dhe gjalpin, në shpejtësi të mesme për 5 minuta duke shtuar aty bajamet, arrat, sheqerin, vaniljen, vezët, lëkurën e portokallit të kaluar në rende dhe në fund miellin, duke e kaluar në sitë. E hedhim në një enë të hapur, i bëjmë në toptha të vegjël, i shtypim lehtë me dorë që t’i petashuqim dhe i renditim në një tavë, 3-4 cm larg njëri-tjetrit. I fusim në furrë me ventilim në temperaturë 175 gradë për 18-20 minuta (ka të bëjë furra dhe forca e energjisë). i heqim nga furra dhe i lëmë të qëndrojnë për një minutë. Ujin me aromë trëndafili të përzier me konjakun e “spërkasim” sipër gurabijeve, pastaj i zhysim ato në sheqer pluhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button