Rruga e integrimit të Ballkanit, 5 momentet kyçe të 2018-ës

Viti që po vjen është konsideruar si i një rëndësie të madhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor dhe pritshmëritë janë shumë më të mëdha edhe se vetëm një vit më parë.

European Western Balkans rendit edhe ngjarjet kyçe dhe proceset që do të ndodhin gjatë vitit 2018.

1 – Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian

Strategjia e Komisionit Evropian për integrimin e suksesshëm të Ballkanit Perëndimor, që pritet të paraqitet më 6 shkurt 2018, do të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht njoftimit të mëparshëm të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, se strategjia e re do të lidhej me pranimin e ardhshëm të Serbisë dhe Malit të Zi, si kryesuese në proces deri në vitin 2025,  drafti i strategjisë përfshin gjithashtu vendet e tjera, Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë.

Gjithashtu, strategjia e re do të përqëndrohet në shtetin e së drejtës, të drejtat themelore të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, stabilitetin e përgjithshëm në rajon, që janë çështje me interes të madh për BE-në.

Gjithashtu, drafti i dokumentit parashikon përfundimin e një marrëveshjeje ligjore e detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të vitit 2019.

2 – Samiti BE-Ballkani Perëndimor dhe presidenca bullgare e Unionit

Në Bashkimin Evropian dhe rajon ekziston një atmosferë se presidenca e ardhshme bullgare e Këshillit të BE-së do të jetë një rast i mirë për gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor që të ecin përpara me proceset e tyre individuale të pranimit dhe të bëjnë progress të rëndësishëm.

Bullgaria tashmë e ka shprehur ambicien e saj për ta çuar përpara integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe e ka paraqitur atë si një nga prioritet e presidencës së ardhshme.

Ajo gjithashtu synon të nxisë për më shumë fonde, më shumë infrastrukturë, energji dhe projekte të tjera.

3 – Presidenca austriake e Bashkimit Evropian

Austria do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së më 1 korrik 2018 dhe si rezultat i interesit të saj të madh tradicional për Ballkanin Perëndimor dhe të mbështetjes për integrimin e këtij rajoni në BE, mendohet gjerësisht se presidenca e këtij vendit do të ketë një ndikim pozitiv në perspektivën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Bosnje-Hercegonivë dhe Kosovë për në BE.

Megjithatë, së fundmi në Austri ka ardhur në pushtet një qeveri ku partner në koalicionin qeverisës të Partisë së Popullit është edhe partia e djathtë, Partia e Lirisë, e cila ka mbrojtur me forcë politikat e brendshme, ndërkohë që anëtarët e saj janë kritikuar për pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe shpeshherë për deklarata raciste.

4 – Samiti i Londrës i Procesit të Berlinit

Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perendimor do të zhvillohet në Londër më 10 korrik 2018.

Zyrtarët britanikë e perceptojnë këtë një shprehje e vullnetit të Britanisë së Madhe për të mbajtur angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perendimor edhe pas Brexi-it.

5 – Rezoluta për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë

Konflikti mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të kësaj të fundit, që ka penguar përreth një dekadë përpjekjet drejt BE-së të ish-republikës Jugosllave, mund të marrë fund në vitin 2018.

Matthew Nimetz, i dërguari special i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë, deklaroi gjithashtu se çështja e emrit mund të zgjidhet vitin e ardhshëm duke theksuar se klima për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është përmirësuar si në Maqedoni edhe Greqi.

Megjithatë, nuk ka ende një emër të ri mbi të cilin të reflektohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button