АNALIZË: 2017 – Vit i dështimeve ekonomike!

Viti 2017 është duke përfunduar me paqartësi të thellë nga kriza politike dhe brishtësia e madhe e ekonomisë. Ajo nuk arriti t’i përballojë pasojat që i solli politika – punësimet u realizuan shumë ngadalë, u ndërprenë ciklet investuese, ndërsa statistika regjistroi përqindje shumë të vogla të rritjes ekonomike. Në vitin që kaloi, qeveria e re e nënshkroi buxhetin e saj të parë, i cili do të shpenzohet në vitin 2018, shkruan analiza e Portalb.mk. U dëgjuan shumë premtime dhe paralajmërime, të cilat pritet të realizohen. Çfarë viti lamë pas nesh?

Investimet atrofuan, firmat luftonin me likuiditetin…

Formimi i kabinetit të ri qeveritar, ditët e vështira politike para dhe pas 27 prillit, frontet e hapura me fqinjët, protestat e opozitës, paraburgimet dhe arrestimet për dhunën e të enjtes së përgjakshme –  ishin një plejadë e ngjarjeve politike që sollën paqartësi të mëdha, mirëpo në të njëjtën kohë edhe zgjidhje të krizës politike. Fokusimi në stabilitetin e brendshëm politik e la nën hije ekonominë. Periudha kohore për të arritur rezultate të dukshme pozitive ishte tepër e shkurtër – komentojnë ekonomistët që i anketoi “Portalb”-i. Ata theksojnë se prioritet tani duhet të jenë synimet e përcaktuara për vitin 2018.

“Gjatë vitit 2017 nuk kishte mundësi të priten përmirësime të drejtpërdrejta ekonomike, periudha kohore për efekte pozitive ishte shumë e shkurtër, mirëpo cilido qoftë dështim në projektimet për vitin 2018 nuk do të mund të arsyetohet. Rritja e projektuar prej 3,2% nuk do të duhej të ishte fare problem për t’u arritur, veçanërisht kur kjo të krahasohet me vitin që e lëmë pas, në të cilin pothuajse edhe nuk kishte aktivitete konkrete ekonomike” – thotë për Portalb.mk. ekonomisti Arben Halili.

Thënë nëpërmjet numrave, pas nesh lëmë një vit në të cilin sipas të dhënave të fundit që janë në dispozicion, rroga mesatare neto ishte 380 еuro, edhe atë në krahasim me vitin a kaluar, në nivel vjetor, ajo është rritur për 2,6 për qind. Në vitin që po kalon, 1.6% e të punësuarve kanë punuar, mirëpo nuk kanë marrë rrogë. Bankat kanë regjistruar ngadalësim në kreditimin e firmave, ndërsa biznesmenët deklaronin se përmbahen nga investimet. Këto gjendje i regjistroi edhe Banka Popullore, nga e cila njoftuan se në fund të vitit 2017, kreditimi është bërë me tempo të ngadalësuar.

“Rritja kreditore vazhdoi edhe në tremujorin e tretë të vitit 2017 me 0,3%, mirëpo ajo është më e ngadalshme në krahasim me tremujorin paraprak për 2,2%. Rritja e aktivitetit kreditor është rezultat i kredive të amvisërive në denarë, në rastin kur ka mbështetje të zvogëluar kreditore për klientët e korporatave” –  thonë nga BPM-ja.

Pasojat u reflektuan edhe mbi rritjen ekonomike. Tremujori i parë përfundoi me stagnim, i dytë me rënie prej 1,3%, ndërsa në tremujorin e tretë pati rritje simbolike ekonomike prej 0,2%. Me këto tregues, sipas ekonomistëve, është e qartë se viti 2017 mund të konsiderohet si vit i humbur ekonomik.

“Parashikimet janë se vitin 2017 do ta përfundojmë me përqindje të rritjes prej 1,5% deri në 1,7%, që është shumë më e ulët se sa përqindja e projektuar e rritjes, mirëpo megjithatë mjaftueshëm e mirë që të mos hyjmë në zonën e stagnimit ose edhe më keq, të recesionit. Mirëpo, konsideroj se këto përqindje të rritjes nuk do të jenë rezultat i masave qeveritare, e as rezultat i rezistencës së ekonomisë së vendit për t’iu kundërvënë krizës politike, por para së gjithash do të jenë rezultat i suksesit të subjekteve nga Zonat e lira ekonomike. Vlera e krijuar nga kompanitë që punojnë në ZZHTI, në aspekt të metodologjisë hyn, gjegjësisht merr pjesë në formimin e PBB-së, edhe pse ato kanë status të ndryshëm juridik në krahasim me pjesën tjetër të ekonomisë së vendit. Edhe pse nuk kemi të dhëna precize për atë se me sa për qind merr pjesë vlera e krijuar nga subjektet e ZZHTI në PBB, gjasat që pa to të përballeshim me gjendje të recesionit ishin të mëdha. Formalisht, ne nuk jemi në fazën e stagnimit, e ndoshta edhe të recesionit” – thotë për  Portalb.mk profesori universitar, Semi Bislimi.

Edhe përkundër të gjitha peripecive politike-ekonomike në vitin 2017, ministri i ri për financa, Dragan Tevdovski nuk heq dorë nga optimizmi, duke konsideruar se treguesit negativë për rritjen e ekonomisë janë të përkohshëm, me pritje se PBB-ja do të realizojë rritje pak më të madhe se dy për qind.

Deri tani, së paku në pjesën e investimeve, numrat nuk paralajmërojnë ndryshime në tremujorin e fundit ekonomik të vitit 2017, që do të ndikonte për ndryshimin e pasqyrës së përgjithshme për vitin që është duke përfunduar, shkruan analiza e Portalb.mk. Tashmë është e qartë se viti 2017 sipas saldos së IHD-ve do të jetë në nivelin e vitit 2012, kur investimet e huaja të drejtpërdrejta ishin 131 milionë euro. Mu viti 2012 ishte më i dobët në dhjetë vitet e fundit. Negativë janë edhe treguesit për pjesëmarrjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Prodhimin e brendshëm bruto. Në tremujorin e dytë kjo pjesëmarrje ishte me parashenjë negative prej -0,5%.

Me parashikimet e reja të ndryshuara të FMN-së, Maqedonia do të ketë përqindje më të ulët të rritjes ekonomike në krahasim me vendet e rajonit. Vetëm ekonomia e Bosnjës dhe Hercegovinës do të ketë përqindje të njëjtë të rritjes ekonomike sikurse edhe ajo e Maqedonisë, ndërsa FMN-ja për Shqipërinë parasheh PBB prej 3,7%, për Kroacinë 2,9%, për Kosovën 3,5% dhe për Serbinë dhe Malin e Zi, rritje ekonomike prej 3 për qind. Këtë vit Fondi Monetar Ndërkombëtar dy herë e zvogëloi parashikimin për rritjen ekonomike të Maqedonisë, së pari prej 3,5% në 3,2% dhe tani prej 3,2% në 2,5%.

3 thoughts on “АNALIZË: 2017 – Vit i dështimeve ekonomike!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP