Maqedoni, arsimi i stërmbushur me probleme, ja çfarë reforma priten në 2018

Arsimi në Maqedoni gjatë viteve të fundit u ballafaqua me probleme të shumta në fusha të ndryshme, duke filluar nga literatura mësimore, kushtet, mjetet financiare, aftësitë e mësimdhënësve etj. Sidomos arsimi shqip pësoi një periudhë të rënë në këtë aspekt, pasi që përkthimet e librave mësimor ishin skandaloz, ashtu si për shkollën fillore, të mesme, ashtu edhe për literaturën universitare, shkruan Portalb.mk.

Mësimdhënësit, prindërit, profesorët ishin mjaft të zëshëm sa i përket këtyre probleme mirëpo ankesat dhe kërkesat e tyre hasën në vesh të shurdhër nga qeveria e kaluar.

Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Shkencës, filloi me hulumtimin për përmirësimin e këtyre gabimeve skandaloze që kapluan arsim në vend.

Në 2017 u rrit shpresa për përmirësim në fushën e arsimit pasi që MASH hoqi projektin për librat e Kmbrixhit për shkollat e mesme, të cilat u vërtetua se nuk janë të nivelit të duhur për kushtet tona si dhe mangësive të shumta gjatë përkthimit dhe mënyrës se mësimit, si dhe anuloi testimin ekstern i cili u shkaktoi mjaftë probleme si nxënësve ashtu edhe mësimdhënësve gjatë viteve që lamë pas.

LEXO: Qeveria do ta anulojë implementimin e programit të Kembrixhit

LEXO: MASH: Hiqet testimi ekstern

LEXO: Plani “3-6-9-12” parasheh ndryshim të ligjit për arsim parashkollor dhe sipëror

Këto janë premtimet e MASH-it për 2018

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për Portalb.mk informojnë disa nga pritshmërinë që ata kanë për 2018.

“Gjatë vitit 2018 planifikohet të bëhet strategjia gjithëpërfshirëse për arsimin 2018-2025, të miratohet ligji i ri për arsimin e lart, me qëllim të zhvillimit dhe përmirësimit të kualitetit në arsimin e lartë. Do të ndryshohet dhe plotësohet ligji për arsimin fillor dhe të mesëm, të ndryshohet dhe plotësohet ligji për libra me qëllim që të mundësohet lehtësim për revizion të tyre, si dhe revizion i planeve dhe programeve arsimore për klasën e parë deri në të tretën në arsimin fillor, dhe kështu me radhë”, thonë nga MASH, për Portalb.mk.

Xheladini: Në 2018 duhet të bëhen punë thelbësore nga MASH-i

Etem Xheladini nga Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë (SHASH), tha për Portalb.mk se gjatë vitit të ardhshëm dhe viteve në vijim, MASH duhet të bëjë ndryshime thelbësore sidomos në arsimin fillor dhe të mesëm për të përmirësuar gjendjen aktuale, e cila është e mjerueshme.

“Arsimi gjatë viteve të fundit është shkatërruar dhe është në një gjendje mjaft të rëndë, mund të them se asnjëherë s’ka qenë më keq. MASH ka mjaft punë për të bërë dhe sipas mendimit tim, së pari duhet të shqyrtohet mundësia që të zvogëlohet numri i orëve për nxënësit e klasave të ulta, pasi që shumica e tyre janë të panevojshme. Të bëhet depolitizomi i shkollave dhe të largohen mësimdhënësit e paaftë që kanë hyrë në punë falë intervenimeve partiake. Më pas duhet të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e arsimit, të respektohet numri i nxënësve në një klasë dhe nëse ai tejkalohet të hapet paralele e re dhe jo të mblidhen 40 nxënës në një klasë, sepse aty nuk mund të zhvillohet mësimi. gjithashtu ka shumë shkolla, të cilat mësojnë në një objekt me paralelet maqedonase dhe vërehet qarë që ndarja financiare nuk është e njejtë. Ne nuk duam të diskriminohemi. Dhe në fund tekstet shkollore, në të cilat duhet një intervenim urgjent, pasi që jo vetëm që nuk janë të përshtatshëm për kushtet tona, gjithashtu kanë gabime të shumta gjatë përkthimit, ku ka pjesë që nuk kuptohen fare”, tha për Portalb.mk. , Xheladini.

Mustafa: Të futet mësimi praktik në shkolla të mesme

Profesori universitar Avzi Mustafa thotë për Portalb.mk se MASH viteve në vijim duhet të interesohet më shumë sa i përket shkollave të mesme, ku sipas tij nga mungesa e mësimit praktik, këto shkolla vite me radhë nuk kanë nxjerr kuadro kualitative.

“Mendoj se duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi shkollave të mesme dhe zhvillimit të mësimit në të njëjtat. Ka një kohë të gjatë që këto shkolla nuk kanë nxjerr kualitet të mirë, andaj besoj se duhet të ketë më shumë punë praktike sesa teorike, si dhe të krijohen më shumë projekte dhe promovime të shkollave të zanatit, në të cilat vërehet dukshëm mungesa e interesimit nga ana e nxënësve po ashtu edhe prindërve”, tha për Portalb.mk Mustafa.

Iseni: MASH të ofrojë kushte më të mira për hulumtime shkencore

Profesori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe ish koordinatori i studimeve të disperzuara të UT-së në Shkup, Fati Iseni, tha për Portalb.mk se MASH duhet të motivoj profesorët për pjesëmarrje në konferenca shkencore duke u ofruar kompensim të drejtë për shpenzimet që ata kanë për tu avancuar.

“Unë do të intervenoja te çështja e hulumtimit, punimeve shkencore dhe grumbullimit të pikave së çështjes së avancimit, meqë këtu vlerësoj që është diskriminues në raport me kushtet që ofron MASH për një punëtor shkencor apo për një profesor universitar në raport me kërkesën që paraqet për avancim. Për shembull kërkohen publikime në zhurnale me impakt faktor, me ndikim ndërkombëtar, kurse çdo publikim dhe hulumtim kushton me qindra euro. Gjithashtu me rregull parashikohet pika të njëjta për profesorët që marrin pjesë në konferenca shkencore si në vendet perëndimore dhe në ato të rajonit, të cilat dallojnë sa i përket kostos financiare. Nëse ne i vlerësojmë pak më tepër profesorët duhet tu japim një infuzion pak më të mirë, në kuptimin financiar, ose çdo universitet duhet të ndaj fonde të veçanta për të stimuluar profesorët për hulumtime dhe publikime në revista shkencore si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore. Ose vetë MASH që ka një fond të caktuar por kompensimi është minimal, atëherë ku është motivimi i profesorët që të bëjë këto hulumtime dhe pjesëmarrje, sidomos problem është me ata që nuk janë në gjendje të mirë financiare dhe nuk mund t’i mbulojnë këto shpenzime nga xhepi i tyre, gjë që shumica e profesorëve e bëjnë. Ne si profesor këto rroga kemi, kemi familje kemi obligime dhe nuk dalin për të avancuar me tituj. Ka edhe çështje tjera që duhet diskutuar sa i përket autonomisë etj, por do të bëhen të gjitha me kohë”, tha për Portalb.mk., Iseni.

Megjithatë  mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptarë sërish janë në pritje të një abetareje të përbashkët me Shqipërinë, pasi që ekziston një marrëveshje më këtë shtet në fushën e arsimit.

Ata me vite thonë se nivelit i përkthimit nuk është i duhuri dhe se ka gabime të shumta nga më të dhjetat deri te ato thelbësoret gjeq ë i humb kuptimin fjalisë, andaj përveç abetares kërkojnë edhe bashkëpunim në fushën marrjes së literaturës nga Shqipëria.

Nga MASH vitin që lamë pas nuk dhanë informacion të hollësishëm sa i përket kësaj çështjeje, por thanë se po përgatitet ligji për lehtësimin e revizimit të librave me ç’rast pritet të mënjanohen gabimet e shuma që ishin prezent gjatë dekadës së fundit në arsimin shqip në Maqedoni.

Deri më tani lidhur me Marrëveshjen në sferën e arsimit me Shqipërinë, në ueb faqen e MASH-it ka vetëm dy informacione:

  1. Marrëveshja e nënshkruar nga ish ministrit Abdilaqim Ademi lidhur me përforëcimin e bashkëpunimit mes universiteteve të dy vendeve, transferimin e studentëve si dhe bashkëpunim në fushën e literaturës për qillime të hulumtimeve universitare. Kjo marrëveshje është me kohëzgjatje prej pesë viteve (16.03.2016)
  1. Takimi i ish ministrit Pishtar Lutfiu me ish ministren e arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ku u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit mes dy shteteve. (24.06.2016)

Ndryshe kjo marrëveshje mes dy shteteve është me kohëzgjatje prej 2015-2018, ku edhe pse dy vjet nga marrëveshja e arritur në sferën e arsimit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe pesë vjet nga përdorimi i abetares së unifikuar shqiptare në Kosovë, nxënësit shqiptarë të Maqedonisë ende nuk e kanë në duar abetaren e unifikuar, shkruan Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button