Shkup, shoferi i autobusit solidarizohet me popullin palestinez

Pas vendimit të SHBA-ve për ta njohur Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”, sikurse në shumë vende të botës, edhe nga Maqedonia erdhi mbështetje dhe solidarizim me palestinezët, raporton Anadolu Agency (AA).

Pronari dhe shoferi i një autobusi privat në Shkup ka vendosur në pjesën e përparme fjalën “Kudus” dhe flamurin e Palestinës.

Enver Ameti, pronari dhe shoferi i autobusit, për AA tha se mbishkrimin “Kudus” e ka vendosur në pjesën e përparme të autobusit në shenjë mbështetjeje me vëllezërit palestinez.

Autobusi transporton udhëtarë në dy linja të ndryshme, 19 dhe 20, duke ofruar shërbime për qytetarët në shumë vende të qytetit, thotë Ameti, duke shtuar se udhëtarët kohëve të fundit ndalen para autobusit dhe e fotografojnë atë.

Ai rikujtoi deklaratën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, se “Kudsi është vija e kuqe e muslimanëve”.

“Ai nuk është vetëm në këtë drejtim”, tha Ameti, i cili po ashtu theksoi se disa udhëtarë shprehin reagime të ndryshme kur shohin mbishkrimin “Kudus” në autobus.

“Ka prej atyre që e dinë këtë emër, por edhe prej tyre që nuk e dinë. Në Maqedoni ka përkatësi të ndryshme etnike. Pyesin se çfarë do të thotë ‘Kudus’. Unë ua shpjegoj këtë dhe përjetimet e vëllezërve tanë muslimanë atje. Ne i shohim në lajme ato që u bëhen vëllezërve tanë në Gaza, e cila është nën bllokadë”, u shpreh Ameti.

Ai tha se ndihen të pikëlluar kur ndjekin lajmet lidhur me palestinezët, duke shtuar se me mbishkrimin “Kudus” dëshirojnë liri për vëllezërit në Palestinë.

“Le të hiqet bllokada. Mesxhidi Aksa, që gjendet në Kuds, është pjesë e jona. Lus Zotin të më mundësoj të falë namaz atje”, tha Ameti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button