POETI QË E ADHUROJMË

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Para së gjithash Salajdin Saliu është poet. Për shijen dhe dijen time: njëri ndër më të mirët që krijon aktualisht në arealin estetik shqiptar dhe ballkanik.

Salajdini është po aq i mirë edhe si prozator, dramaturg, publicist, përkthyes, studiues dhe profesor universitar. Thjesht: Ai është model krijuesi e intelektuali. Është personalitet që nderon kulturën shqiptare.

Përgjatë njëzet viteve të fundit Salajdini ka botuar vepra mbresëlënëse të gjinive të ndryshme: poezi, tregime, drama, ese, studime, tekste universitare… Për vlerën e krijimtarisë së Tij flasin shpërblimet e shumta nga institucionet prestigjioze kulturore, përkthimi i saj, veçmas i poezisë, në disa gjuhë të botës dhe përfshirja nëpër antologji brenda dhe jashtë vendit.

Rrugëtimin prej poeti Salajdini e nisi në vitin 1996 me përmbledhjen poetike “Vdes pas gjërave të imëta”, me të cilën solli vargun ndryshe, vargun e një ndjeshmërie dhe artikulimi të ri, vargun e artistit rebel, që ka për strehë shpirti dashurinë e shpërfaqur me vello misteri. Vargu i Tij është artikulim i veçantë i ndjenjës së braktisjes, trishtimit, fundosjes, zhgënjimit, asgjësë, që munden për një çast nga dashuria dhe ledhatimi i një femre të ëndërrt si fluidi…

Poezia e Salajdinit, bashkë me ato të 2-3 poetëve të lindur të këtyre anëve, shënoi vijën ndarëse ndrëmjet artit dhe pseudoartit, ndaj, si e tillë, u vlerësua lart prej lexuesve me shije dhe kritikës letrare profesionale.

Mbështertur në konceptin e Lasgush Poradecit, sipas të cilit: Poeti s’duhet të shkruajë shumë. Një vëllim me poezi të mira, domethënë me poezi shumë të mira…, Salajdini e ka pavdekësuar emrin që me librin e tij të parë poetik. Fatmirësisht, shtytja e Tij për të krijuar nuk është fama, po nevoja që ka bilbili për t’ia marë këngës. Si poet shpirtunivers Ai vazhdoi të këndojë bukur këngët e pakëndueme të përmbledhura në veprat e radhës: “Nata e parë e pushtimit”, ”Vonë për gjëra të turpshme”, “Gënjeshtër e sinqertë”, “Poetët vijnë me vonesë”…, duke inspiruar njohësit e poezisë ta vlerësojnë ashtu si vlerësohen abatrosët e një letërsie. Të shijojmë disa prej tyre…

Ali Aliu:

Salajdin Saliu është, para se gjithash, poet meditativ, për të cilin dashuria shndërrohet në kështjellë strehimi nga brutaliteti dhe agresiviteti i përditshmërisë. Ajo është oazë që të mbron nga rruga me sy të lig, nga smira dhe urrejtja, aq me tepricë përreth folësit lirik. Në krahët e këtyre dy jehonave, autori artikulon ekspresion modern në lirikën e vet intime. Në mbështetje të të dy ngasjeve, poeti arrin të shpalosë thellësitë mjegullore të dashurisë, të tërheqë rezonanca kuptimore për jetën dhe botën e njeriut…

Agim Vinca:

Salajdini i përket brezit të rokut, i çliruar nga komplekset dhe i zhveshur nga iluzionet… Në poezinë e Salajdin Saliut hetohet qartë gërshetimi i dy përvojave: i përvojës së jetës së përditshme në mjedisin në të cilin jeton subjekti lirik dhe i përvojës së leximit, pra i përvojës empirike dhe asaj artistike…

Parid Teferiçi:

Salajdini është poeti që e adhuroj…

Bardhyl Zaimi:

I zënë gand në trishtimet e boshësisë, në çastet e vetmisë supreme, kur ndjenë vetëm praninë e kufomave që ecin, krijuesi i kthehet dashurisë, magjisë së pafundme të ekstazës, ngushëllimit të bukur që e shpëton nga kotësia…

Kristina Nikolovska:

Salajdin Saliu është autor i një diksioni poetik rezonant… krijon jo vetëm një imazh filozofik, por edhe një “koncentrat’ të paharrueshëm ekonomik në poezinë e shkurtër “Sytë”… Germat ose “qeniet e zeza” janë një “lidhje” e “syve të rinj”. E kur “i verbëri” shikon nëpërmjet tyre kjo është më kristalorja deri në përsosuri: është mendimi, poezia, sikurse edhe vdekja!

Ky pra është, në vija të trasha, Salajdin Saliu dhe ne jemi me fat që Ai është yni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP