Këshilla: Mjaft me librat jo të mirë, ja si të zgjidhni librin e duhur!

Me siguri ju ka ndodhur edhe juve. Keni shkuar për të blerë një libër në librari, apo për ta porositur në bibliotekë dhe në fund jeni zhgënjyer prej tij. Thuhet se nuk ka libra “të keq”, por më bësoni. Ka dhe po shtohen dita-ditës. Komercializmi i tepruar me reklama të shumta dhe vetë ekonomia kapitaliste bëjnë që sot të vlerësohen edhe vepra jo cilësore. Unë nuk dua të përmend tituj librash në këtë shkrim, por di të them që thuajse shumica e librave të rinj e kanë nga një mangësi.
Njëri mund të mos ketë fjalor të pasur, një tjetër nuk është i shkruar me një strukturë të rregullt, ndërsa një tjetër mund të mos përcjellë asnjë ndjesi teksa e lexon. Ka dhe plot arsye të tjera, ndaj ne ju japim këto këshilla për të zgjedhur një libër që nuk do ta hiqni dot nga duart, derisa ta përfundoni së lexuari.

Së pari, mos u gënjeni nga titulli. Vlen vërtet ajo thënia popullore “Mos e gjyko një libër nga kopertina”, pasi ndodh vërtet që një libër mund të të tërheqë shumë nga kopertina dhe titulli, ndërkohë që mund të mos ketë atë çfarë ti kërkon tek një vepër letrare. Mbi të gjitha, ne jetojmë në një kohë kur e vetmja përshtypje që mund t’i bëjmë të tjerëve, janë titujt.
Nuk mundemi dot t’i flasim dikujt për të lexuar diçka në mënyrë tjetër, përveçse duke e nxitur nga titulli. Ju e vini re edhe vetë, shumica e portaleve fitojnë vetëm në sajë të titujve. Mjafton të vendosësh një titull provokues, apo intrigues dhe të gjithë do ta klikojnë e do ta lexojnë materialin. Në fund, normalisht do të zhgënjehen, pasi në shumicën e rasateve titulli as që lidhet me përmbajtjen. E njëjta gjë vlen edhe me librat. Autorët zgjedhin tituj të veçantë që libri të blihet prej lexuesit. Mirë është që të mos nxiteni nga kureshtja juaj dhe ta blini një libër thjesht nga titulli apo nga kopertina e bukur.

Së dyti, pyesni shitësit e librarive, punonjësit e bibliotekave apo miqtë tuaj. Ata përgjithësisht janë lexues të rregullt dhe mund t’ju sugjerojnë libra vërtet të mirë, bazuar në shijet tuaja. Mjafton të shkoni, t’i tregoni se çfarë kërkoni në një libër dhe ata do t’ju ndihmojnë. Ndërkohë mund të pyesni edhe miqtë tuaj. Ndonjë prej tyre mund të jetë lexues i rregullt dhe duke e njohur më mirë karakterin tuaj, ata mund t’ju sugjerojnë libra vërtet të mirë, që edhe atyre u kanë bërë përshtypje gjatë leximit.

Së treti, kërkoni për tituj librash edhe në internet. Ndoshta nuk e besoni që në internet mund të gjeni sugjerime vërtet të mira. Edhe unë nuk e besoja, për aq kohë sa shumë persona në rrjetet sociale nuk dinë as të shkruajnë siç duhet. Por nuk është gjithmonë kështu. Ka plot faqe të huaja që shkruajnë për vepra të ndryshme dhe më poshtë mund të lexoni komente nga lexues të ndryshëm. Lexojini me vëmendje komentet e tyre dhe duke pasur parasysh çfarë kërkoni ju në një libër, mund të merrni këshillat që ju nevojiten për zgjedhjen që do të bëni.

Së katërti, qëndrojini besnikë shijeve tuaja. Shpesh kur vendosim të lexojmë një autor të ri, apo një drejtim të ri letrar, zhgënjehemi. Kjo ndodh sepse shpesh nuk e gjejmë veten në këto risi, si dhe për faktin që jemi mësuar me një rrymë të caktuar letrare. Unë di t’ju them me siguri që shumica e veprave dhe autorëve të rinj (jo të gjithë), nuk sjellin ndonjë risi në letërsi, apo diçka të re për lexuesin, ndaj qëndrimi tek veprat klasike, letërsia ruse, autorët e brezit të humbur etj. janë gjithmonë një zgjedhje perfekte. Nuk keni për t’u zhgënjyer prej tyre.

Së pesti, mos u gënjeni nga reklamat dhe vlerësimet e shumta që u bëhen veprave në televizione, apo në massmedia. Keni dëgjuar ndonjëherë të flitet kohët e fundit për “Ana Karenina” të Tolstoit, apo për “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit apo për shumë kryevepra botërore? Jo. Kjo ndodh sepse çdo shtëpi botuese flet për veprat e reja, sepse normalisht përbën një biznes dhe kërkon fitimin e vet. Ndaj, nga “zmadhime” të tilla në massmedia, mos u gënjeni. Ndiqni edhe këshillat e mësipërme dhe nuk keni për të shpenzuar për një libër, nga i cili në fund do të zhgënjeheni. / Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button