Instituti shqiptar i Shkupit prezantoi punën 10-vjeçare

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, sot promovoi veprimtarinë botuese dhe hulumtuese shkencore për vitin 2017, dhe shënoi 10 vjetorin e themelimit.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se në ecurinë e profilizimit të vetë, Instituti është sfiduar nga rrethanat e kohës dhe nga faktorë tjerë, por në këtë dhjetëvjetor, aipo i jep frytet e tij, duke e arsyetuar misionin themeltar. “Gjatë këtyre dhjetë viteve, Instituti ka organizuar me dhjetëra konferenca shkencore dhe ka botuar dhjetëra tituj, duke e promovuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore edhe në Uashingon, Nju Jork, dhe qendra të tjera të rëndësishme evropiane dhe botërore”, theksoi Asani. Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2017 janë botuar dhe janë në proces botimi nga ky Institut mbi 20 vepra shkencore. Për mbështetjen e vazhdueshme, ai falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë e shumtë të Institutit, vendor dhe ndërkombëtar.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se puna dhjetëvjeçare e këtij Instituti, ka dëshmuar që me vullnet, dije dhe seriozitet, mund të ecet përpara edhe më fuqishëm, drejt realizimit të përcaktimeve programore. “Ne të gjithë presim që në ardhmen, nga ky Institut të dalin edhe rezultate të reja për fusha të caktuara të shkencës shqiptare. Presim që këto rezultate të prezantohen jo vetëm se këtu në Maqedoni, por edhe në rajon dhe në botë, duke kontribuar edhe në promovimin e vlerave tona të lashta si komb dhe si shoqëri në përgjithësi. Në këtë rrugëtim të arsyeshëm dhe kuptimplotë, mbështetja e nevojshme e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nuk do të mungojë”, theksoi zëvendësministri Ademi.

Manifestimin e përshëndeti edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, ndërsa u lexuan telegrame urimi nga drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, akademik Marenglen Verli, dhe drejtori  i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi.

Më tej, sekretari shkencor i Institutit, Sefer Tahiri, paraqiti një tablo më të plotë të punës dhjetëvjeçare të Institutit. Drejtori dr.Skender Asani ndau Mirënjohje për një bashkëpunëtor të vjetër të Institutit, i cili vitin e kaluar u pensionua, ndërsa ka qenë edhe anëtar i Këshillit të jashtëm të Institutit, Avzi Mustafa. Në përmbyllje të aktivitetit të këtij viti, bashkëpunëtorja e Institutit, Natasha Didenko, luajti disa pjesë muzikore me violinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button