FUNDVIT

Po kalon edhe një vit për t’u mbajtur mend. Viti 2017 do te mbahet mend për shumë gjëra. Do të mbahet mend atmosfera e zymtë, e tendosur, dhe e pashpresë e fillimvitit kur edhe pse zgjedhjet parlamentare te 2016-tës treguan vullnet të qartë për ndryshim, në fakt furmini i një qeverie te re dukej i pamundur. Nuk do të harrohet tendosja e ditëve kur prisnim me orë të tëra rezultatet nga mbledhjet e stërgjata te BDI-se ku ata diskutonin pese opsionet e tyre. Dukej sikur ato biseda nuk do te merrnin fund kurrë. Nuk do të harrohet akti i turpshëm kur personi qe mban titullin shef i shtetit refuzoi të jepte mandatin për krijimin e qeverisë pasi Gruevski kishte dështuar ta bënte të njëjtën. Nuk do të harrohet as dita e parë kur filluan protestat “Për Maqedoni te përbashkët” në të cilat brohoriteshte “Maqedoni e pastër”.

Mbi te gjitha, nuk do të harrohet 27 Prilli kur për pak sa nuk u futëm në rrethin vicioz të luftës qytetare. Ajo ditë shënoi kthesën vendimtare, momentin kur regjimi i gjeratëhershëm përfundimisht dështoi ta arrijë qëllimin kryesor: ta kthejë vendin në një shtet tipik autoritar, ku ndryshimi demokratik i pushtetit është thjeshtë i pamundur. Ajo ditë e kobshme tregoi edhe një here se deri ku janë në gjendje të shkojnë disa njerëz dhe sa bashkëpunëtorë te tyre janë në gjendje të sakrifikojnë në mënyrë që ta ruajnë të paprekur lëkurën e tyre.

Nuk do të harrohet optimizmi që na kaploi të gjithëve pasi ujërat e turbulluara filluan të qetësoheshin pas 27 Prillit. Qeveria e re u formua dhe vendosi prioritete të cilat dolën nga Raportet e Pribesë dhe të Komisionit Evropian. Gjërat filluan të hynë në vendin e vet ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian u paraqit një entuziazëm, bile edhe eufori lidhur me zhvillimet në Maqedoni, gjë që jep shpresa se ky vend mund t’i bashkëngjitet trenit të fundit të integrimit në këtë Union. Por për të arritur një gjë të tillë nevojitet punë dhe shumë përkushtim.

Mbi të gjitha nevojitet fokusim në prioritetet e duhura. Për fat të mirë ose të keq, si shtet dhe shoqëri nuk jemi në gjendje t’i përcaktojmë vetë prioritetet tona, as në si eksperte, e as qeveria si e tillë. Prioritetet janë shënuar qartazi në dy Raportet e Pribesë dhe neve duhet vetëm t’i realizojmë. Për pak sa nuk na i kanë ilustruar me vizatime që t’i kuptojmë më lehtë. Ajo që pritet prej nesh është fokusim te reformat e duhura dhe implementim pa kusht i këtyre reformave.

Viti 2018 duhet të jetë viti i kthesave të mëdha pozitive për Maqedoninë. Këtë vit pritet të hyjmë në NATO dhe të hapim negociatat me Bashkimin Evropian. Ky mund të jete vit i sukseseve të mëdha, por njëherit, në rast të mossuksesit, mund të jetë vit i dështimeve të mëdha. Në të dyja rastet përgjegjësia do të bjerë mbi qeverinë e re. VMRO-DPMNE nuk do të jetë përgjithmonë fajtori kujdestar për të gjitha gjërat që mund të shkojnë mbrapsht. Prandaj, viti 2018 do të jetë vit i përgjegjësisë së re të qeverisë reformatore.

Uroj që të jetë një vit suksesi. Uroj që të gjithë ne të kontribuojmë sa më mirë në këtë sukses.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button