Qeveria shpalos Planin për zhvillim ekonomik

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, prezantoi sot versionin final të Planit për Zhvillim Ekonomik të cilin e miratoi në një seancë qeveritare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në shpalosjen e planit për zhvillim ekonomik të Maqedonisë, kryeministri Zoran Zaev, tha se i njëjti paraqet një koncept të ri i cili gjatë tre muajve të kaluar ka qenë në dispozicion të opinionit për sugjerime, ku dhe janë pranuar disa nga propozimet e ekspertëve.

Pas përfundimit të procedurës në prill të vitit të ardhshëm, kompanitë do të mund të aplikojnë për masat lehtësuese, tha Zaev, për të shtuar se viti 2018, do të jetë një fillim i stabilizimit financiar dhe zhvillim të ekonomisë që do të rezulton me mirëqenie më të mirë të qytetarëve.

“Nga këtu, me buxhetin e vitit 2018 kemi ndarë 3.1 miliardë denarë, ose rreth 50 milionë euro për programin për zhvillim ekonomik të vendit tonë që është për 46 për qind më shumë mjete të ndara krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa edhe një miliard denarë tjera janë ndarë për masat për punësim”, tha Zaev për të shtuar se synimi i tyre është krijimi i kompanive të shëndosha dhe konkurruese në treg të cilat do të sjellin rritje ekonomike.

Kryeministri Zaev, tha më tej se plani për zhvillim ekonomik është i ndarë në tre shtylla, duke krijuar kushte të barabarta për investitorët e vendit me ata të huaj.

Ndër prioritetet e shtyllës së parë të qeverisë, është përkrahja për hapjen e vendeve të reja të punës, duke stimuluar punëdhënësin me 20 për qind të pagës për punëtorin, nëse e njëjta është 50 për qind më e lartë se paga mesatare në vend.

Shtylla e dytë përfshinë masat për përkrahjen e konkurrencës, ku veçohet dhënia e mjeteve të pakthyeshme financiare për ato kompani të cilat do të rrisin konkurrentshmërinë në tregje të reja.

Shtylla e tretë sipas qeverisë, përfshin në vete përkrahjen për kompanitë e vogla dhe të mesme që kanë tendencë të rritjes, duke dhënë përkrahje financiare për zhvillim teknologjik të kompanive duke mbuluar 30 për qind të shpenzimeve direkte në projektet investuese, si dhe duke edukuar të rinjtë e punësuar.

Zëvendës kryeministri për Çështje Ekononike, Koço Angjushev, në shpalosjen e programit tha se i njëjti paraqet një epokë të re në punën e qeverisë në planin ekonomik sepse është transparente me kritere shumë të qarta të cilat duhet përmbushur nga kompanitë.

“Ky program, për herë të parë barazon kompanitë e Maqedonisë me ato të huaja dhe për herë të parë ndodh që kompanitë vendore do të përkrahen në bazë të kritereve të njëjta që vlejnë për investimet direkte të huaja”, tha Angjushev.

Masat lehtësuese të qeverisë do të mund t’i shfrytëzojnë ato kompani të cilat në vitin 2017 kanë pasur të ardhura më të larta krahasuar me tre vitet e kaluara si dhe numri i punëtorëve të mos jetë më i vogël nga numri në tre vitet e kaluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP