Prokuroria e Shqipërisë kërkon heqjen e imuniteteve për dy deputetë

Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë kërkon heqjen e mandatit për dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Përmes një shkrese zyrtare drejtuar KQZ-së, drejtoresha e sektorit të dekriminalizimit ka kërkuar heqjen e mandatit për dy deputetët që sipas saj, preken nga ligji i dekriminalizimit.

Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se letrën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prokuroria kërkon mandatin e deputetit të LSI Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi, të cilët janë hetuar prej disa muajsh.

Prokuroria bën me dije se verifikimet për deputetin e LSI-së Gledion Rehovica kanë nxjerrë në pah faktin se ai nuk e ka plotësuar formularin saktë të dekriminalizimit, ku dyshohet se ka përdorur dhe një emër tjetër.

Ndërsa për deputetin e PDIU Aqif Rakipi janë ngritur dyshime se ka qenë i dënuar në Itali. Prokuroria i ka marrë atij edhe gjurmët e gishtave dhe për këtë çështje ka dërguar edhe letërporosi për sqarime shtesë në rrugë zyrtare nga pala italiane.

Burime të prokurorisë kanë pohuar se krahasimi i gjurmëve të gishtave të deputetëve me bazën e shenjave të gishtave të INTERPOL ka zbuluar se ata kanë pasur precedent dhe identitete të tjera në Itali.

I pyetur nga Ora News Rakipi mohon të ketë qenë i dënuar në Itali, teksa shprehet se dhe lajmin për heqjen e mandatit e ka marrë nga media.

Po ashtu dhe deputeti i LSI në Berat, Gledion Rehovica shton se ende nuk e ka të qartë se për çfarë është akuzuar.

Këto janë vendimet e para për hetime ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë që pas ardhjes së Arta Markut në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button