Emira

Quhej Emirë. Gratë e fqinjëve thoshin se emri nuk i përgjigjet, për këtë ose për atë arsye. Emri i shkonte sado që gratë e fqinjëve ngulnin këmbë se ato kishin të drejtë. E kishin të kotë pohimin gratë, sepse Emira ishte shumë e bukur. Ajo kishte një fytyrë si Tanusha e Krajlit, dhëmbë – inxhi që i shkëlqenin nga bardhësia, pikërisht siç thotë kënga popullore – “porsi gurëzit e lumit fill pas shiut kur u bie dielli”, buzë si qershi, një qafë të gjatë me lëkurë të njomë, thuajse të tejdukshme. Edhe uji, madje, i dukej si rrjedh teposhtë fytit të saj të ri. Thjeshtë ajo nuk e kishte shoqen për kah bukuria.

Nuk kishte djalë i cili nuk digjej pas saj.

Gjithmonë kur nata i mblidhte edhe njollat e fundit të territ e ikte duke ia lëshuar vendin aurorës e cila i zgjaste gishtat e ndritshëm deri te dritarja e shtëpisë ku, pas vdekjes së prindërve, jetonte vetëm Emira, thuajse kjo hyjneshë e lashtësive dëshironte ta miklojë pak bukuroshen, por vajza zgjohej para gjelave. Kur vinte dita e bardhë me tërë dhuratat e ndritshme, Emira dilte në kopsht dhe, e hareshme, i ujiste lulet duke kënduar. Dielli që jepte krye pastaj mbi kurrizin e malit, ngutej ta gjejë tufën më të mirë të rrezeve të tij që t’ia shndrisë fytyrën Emirës gazmore. Dhe, e gjente një tufë krejt të bërë me fije ari e me pluhur poleni. E drejtonte këtë tufë rrezesh drejt kokës së bukur të Emirës kur ajo ecte kryelëvarur me gjymin e bakërt në dorë drejt luleve në kopsht.

Vajzës i lëvarej një ble flokësh ballit teposhtë duke ia mbuluar syrin me gjithë vetull, kurse ajo e frynte disi lezeçëm me buzën e saj të poshtme magjepsëse. Kur çohej kaçurrelja e flokëve bjonde, tufa e rrezeve me fije ari ia zbulonte fytyrën e bukur, qerpikët e gjatë, sytë e shkruar, ballin “si shtegu i malit kur e shndrit hana”. Nga rruga atëherë dëgjohej ndonjë fishkëllimë, ndonjë fjalë, ndonjë ofshamë a psherëtimë e djemve kalimtarë që doemos do të gjendeshin aty kur Emira ujiste lulet, gjithmonë e shoqëruar nga fluturat krahshkruara. Kuptohet, këto psherëtima ndiqeshin nga sintagmat ose fjalitë dëshirore djaloshare: “Oh Emirë… ”, “Ta hëngsha syrin”!, “Krejt mallin e jap për ty” e kështu me radhë. Ajo qeshte, gazi i saj ishte tërheqës, tepër femëror dhe ndjellamirë dhe ta jepte përshtypjen se e bënte të kadiftë edhe kopshtin, i gëzonte zogjtë që ia jepnin këngës dhe i mblidhte djemtë , si mjalta mizat, të ngopeshin me bukuri femërore para rrethojës së kopshtit të saj.

Kështu një ditë bukuria e Emirës hyri në këngë, prej kah nuk dilet sa të jetë jeta.

Grave të fqinjëve nuk u vinte mirë. Thoshin se ishte një këngë koti, kënga e Emirës.

Djemtë kishin tjetër mendim. Ata e këndonin këtë këngë me frymëzimin që e japin Muzat ose e fishkëllonin melodinë e saj kur shkonin në fushë, kur punonin diçka dhe gjithsesi kur kalonin pranë kopshtit të Emirës. Ajo ua kthente shpinën të gjithë atyre që e ndiqnin bukurinë e saj nga rruga.

* * *

Vitet, ndërkaq, kalonin shpejt mbi shpatullat e saj. Një, dy, tri… e më shumë… Djemtë nga rruga nisën të rrallohen. Në fund – nuk mbeti asnjë.

“Emirë, moj, ditët shkojnë, rrudhat vijnë”, i bënin vërejtje motrat që ishin bërë shtëpi më, me oxhak e me buxhak, me burrë e me fëmijë. “Edhe bijë mbreti të kishe qenë do ta kishe pranuar një nga qindra ofertat e këtyre djemve”, i thoshin.

“Ka kohë”… përgjigjej ajo me buzëqesjen e veçantë, mirëpo nga zëri i saj sikur nisën të shfaqen disa dridhma pasigurie, sikur dilte njëfarë tymi i pikëllimit përvëlues të fshehur, që djeg vetëm prej brenda, të cilin e njohin vetëm njerëzit më të afërt dhe të cilin shpejt e merr era duke ta sjellë në qafë pastaj furtunën e vetmisë.

“Moj, ti po fsheh diçka edhe prej nesh!… Ta njohim zërin! Të ka rrethuar ty njëfarë dëshpërimi. Mos e ke dikë? Mos ke një të dashur, moj? Po ta kesh, thuaje, se neve vetëm do të na gëzojë lidhja jote me të. Po s’e pate, besa do ta kemi keq ne, bashkë me ty. Do të mbetesh vetëm dhe e vetmuar, moj qyqe”! e qortonin dy motrat e saj, ndërkaq Emira vazhdonte “t’u përgjigjej” vetëm me një buzëqeshje enigmatike në të cilën motrat e hetonin ndrojtjen dhe shpresën e plasaritur.

Motrat psherëtinin të mërzitura:

“Na mbet Emira pa martuar!… O zot, çfarë ka e çfarë bluan ajo në kokën e saj femërore”?!…

Dhe… Dhe, në fund edhe dielli i cili për çdo ditë të perendisë i sillte dhuratë nga një tufë të rrezeve të arta kur shkonte Emira t’i ujisë lulet, tash sikur e anashkalonte. Dalëngadalë atë kopsht të bukur nisën ta mbulojnë shtëllunga mjegullash, kurse lulet nisi t’i pushtojë një vyshkje.

As fluturat nuk e shoqëronin më.

* * *
Heshtja e rëndë e paluar me vite në jetën e Emirës dhe vetmia e gurtë dhe e pamëshitë u bënë copë e grimë kur një ditë trokiti dikush në portën e saj të harruar, të cilën edhe motrat e hapnin rrallë e hiç. Emira u ngrit, doli në oborr, shikonte përmes të çarave të portës, derisa zemra thjesht i bubullonte. Para vetes ajo e pa një zotëri flokët e gjatë të të cilit ishin stërpikur me disa thinja,.

Deri sa priste, zotëriu, i hollë e i gjatë, i rruar e i kruar për mrekulli shikonte përreth, e shpëndante seriozitetin e krenarinë e vet dhe një gëzim misterioz i tij depërtonte magjishëm nëpër të çarat e derës e përfund saj, bëhej pastaj rrymë misterioze në formë të plymit të harabelave të vockël të Afërditës nga ndonjë ëndërr dhe i prekte emocionet e Emirës. Ajo, ndonëse e dehur nga ndodhia e pamënia dhe nga një shqetësim i ëmbël e i pashpjegueshëm, u përqendrua mirë ta shohë se kush ishte ky zotëri. Kur ia pa sytë e kaltër, Emirës iu duk sikur prej tyre lëshuan si zgjua bletësh shigjetat e Erosit, ndërsa vetullat e tij të holla i ngjanin harkut të bërë mjeshtërisht që vrisnin si vargjet e Naimit.
“Ai”! arriti të pëshpërisë Emira. “Ylli”! Kaq tha. Pastaj e hapi derën dhe doli para tij me droje, kurse ai u prezantua:
“Mirëdita, Emirë, shpresoj se të kujtohem… Unë jam…”, deshi të thotë ai i gëzuar që u gjet përballë Emirës.

“Yll”! ia priti ajo me një zë mezi të dëgjueshëm, me atë zërin e saj të këndshëm, pa pritur që ai ta arsyetonte vonesën e tij me vite. “Yll, të kam pritur tërë jetën”! tha Emira dhe u alivanos para tij.
Ylli e mori në krah, u nis drejt kopshtit dhe u tret midis lulesh.

Në qiell atëherë u shfaq dielli i madh dhe e mbushi me dritë kopshtin. Blerimi u gjallërua. Lulet çelën prush.

Të nesërmen motrat e gjetën portën të hapur krah e më krah dhe u stepën, kurse disa gra të fqinjëve thanë se me sytë e tyre e kishin parë Emirën si fluturonte me një ballon shumëngjyrësh përfund reve e drejt perëndimit, disa të tjera thanë se disa njerëz kishin treguar se Emirën e kishin parë në aeroport me një burrë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button