Buxhaku: Koordinimi në Maqedoni është problem i madh

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), si organ i pavarur i administratës shtetërore të Republikës së Maqedonisë është formuar në vitin 2005 për propozimin e vendimeve dhe sigurimit të konsultimeve, koordinimin e vazhdueshëm, reagimeve me kohë, shfrytëzimin adekuat të resurseve që janë në dispozicion në rast të gjendjes së krizës, ndërsa edhe për sigurimin e vlerësimit me kohë, cilësor dhe real të kërcënimit të sigurisë së Republikës së Maqedonisë nga rreziqet.

Drejtori i këtij institucioni, Agron Buxhaku, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) flet për mënyrën e funksionimit të institucionit, detyrat dhe qëllimet e tij, përvojat nga situatat e krizave, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.

Buxhaku rikujton se ai ka qenë drejtoi i parë i QMK-së, që nga formimi i saj në vitin 2005. Ai sqaron se QMK-ja i koordinon të gjitha institucionet që menaxhojnë me kriza të shkaktuara nga faktori njeri dhe ato natyrore. Duke folur për detyrat e QMK-së, Buxhaku thekson se institucioni ka rreth 300 të punësuar, ndërsa duke sqaruar se sipas sistematizimit të vendeve të punës, sipas tij, institucioni duhet të ketë rreth 500 të punësuar.

– “Koordinimi është problem i madh në Republikën e Maqedonisë” –

“Ne kemi detyrë të caktuar të lajmërimit të rregullt, paralajmërimit dhe në rast të gjendjes së krizës për koordinim të sistemit. Ne nuk kemi detyrë konkrete që të intervenojmë me njerëz, pajisje….”, thekson Buxhaku, duke shtuar se QMK e koordinon sistemin, ndërsa sipas tij në përgjithësi nevojitet respektim më i madh i ligjeve, standardeve dhe procedurave operative dhe ndryshim të mentalitetit, me qëllim që tërë sistemi shtetëror të jetë funksional dhe të ekzistojë veprim i sinkronizuar i institucioneve të sistemit.

Lidhur me procedurën e shpalljes së gjendjes së krizës, ai tha se, “E gjithë kjo është paramenduar që askush, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Ministria e Mbrojtjes, as presidenti të mos vetë të shpallin gjendje krize pa u shqyrtuar nga institucionet. Mendoj se në teori kjo është menduar mirë, ndërsa në praktikë, përballemi me problem për shkak se koordinimi është problem i madh në Republikën e Maqedonisë”.

– Maqedonia nuk është për kritika kur është në pyetje kriza e refugjatëve” –

Kriza e refugjatëve që në vitin 2015 e përfshiu edhe Republikën e Maqedonisë si pjesë e “Rrugës Ballkanike” ndodhi papritur dhe institucionet nuk ishin të gatshme të përgjigjen në tërësi ndaj kërkesave dhe problemeve me karakter institucional. Megjithatë, njeriu i parë i QMK-së thekson se në krahasim me shtetet e tjera, Republika e Maqedonisë nuk është për kritika, ndërsa institucionet janë përgjigjur në pajtueshmëri me kapacitetet e tyre institucionale.

“Në krahasim me atë çfarë ka ndodhur në vende më të fuqishme se ne, mendoj se Maqedonia nuk është aq për t’u kritikuar. Institucionet vepruan në kuadër të mundësive të tyre numerikisht, financiarisht dhe materialisht. Mendoj se në aspektin institucional ne e kryem detyrën sidomos këtë vit në kampet ku ne jemi koordinator për qendrat e pranimit. Lidhur me parandalimin, trajtimin human të njerëzve, fëmijëve, mendoj se këtu nuk morëm aq mbështetje nga institucionet e BE-së”, thekson Buxhaku.

Ai e sheh me sy kritik qasjen e BE-së lidhur me përballjen me krizën e refugjatëve. “Unë do të jem kritik ndaj BE-së, sepse më parë këtu ishte tërë një delegacion, ne i dorëzuam kërkesat për mbështetje meqë ne kryejmë disa punë për ta”, theksoi Buxhaku, dike shtuar se në njëfarë mënyre, Maqedonia i mbron kufijtë e BE-së.

Njeriu i parë i QMK-së thekson se nga ana e BE-së nevojitet më shumë mirëkuptim dhe më shumë ndihmë. Më tej ai u përqendrua edhe në aspektet e ndryshme të krizës së refugjatëve dhe theksoi se në disa vende në BE ekzistojnë probleme lidhur me kuptimin e drejtë të fenomenit të migracionit.

“Kritika ime ka të bëjë me qasjen e BE-së, për fat të keq ka shumë ksenofobi dhe manipulim”, thekson Buxhaku.

– “Ajo që Turqia e bën për refugjatët është për admirim” –

Nga ana tjetër, ai vlerëson politikën ndaj refugjatëve të cilën e udhëheq Republika e Turqisë, i cili është vend mikpritës për më shumë se tre milion refugjatë.

“Në lidhje me këtë, unë e admiroj Republikën e Turqisë. Kur isha në seminar në qendrën ‘George Marshall’ në Gjermani, aty foli një profesor i etnisë turke në Amerikë dhe foli për 3 deri 3.5 milion refugjatë. Të ballafaqohesh me një numër të tillë, është për t’u përshëndetur dhe për t’u admiruar”, thotë Buxhaku.

Duke folur në lidhje me atë se çfarë do të ndodhte nëse Maqedonia sërish përballet me krizë të refugjatëve të përmasave si në verën e vitit 2015, Buxhaku tha se institucionet tani do të ballafaqoheshin më mirë, sepse ata kanë një përvojë të mëparshme.

“Ne si një vend i vogël me burime të kufizuara dhe me më shumë angazhim institucional të BE-së, ne në një farë mënyrë do të përballemi shumë më mirë se në vitin 2015, kur të gjithë ishin të befasuar nga një fluks i tillë”, shprehet Buxhaku.

– Projektet me karakter ndërkombëtar –

Duke iu referuar projekteve me karakter rajonal dhe ndërkombëtar, Buxhaku bëri të ditur se jo shumë më parë, në QMK është mbajtur një takim i trupit të përbashkët koordinues të Projektit për ndërtimin e kapaciteteve për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë në mjedis (ECO DDR) nëpërmjet menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve.

Siç thotë ai, ky projekt paraqet vazhdimin e bashkëpunimit me Agjencinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Japonisë – JCA, e cila zbatohet që nga viti 2009 e këndej, ndërsa rezultate specifike janë arritur me zbatimin e projektit për “Parandalim të integruar dhe sistem të paralajmërimit të hershëm për zjarret në pyje”, në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2014.

Buxhaku thekson se objektivi kryesor i këtij projekti është që të zhvillohet një model i ekosistemit të bazuar në reduktimin e rrezikut në Maqedoni kundër fatkeqësive natyrore, përmes përforcimit të vlerës mbrojtëse të tyre.

Qëllimi përfundimtar i projektit është reduktimi i rreziqeve të përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut, erozionit të tokës dhe zjarreve të pyjeve në afat më të gjatë kohor. Buxhaku vuri në dukje se QMK ka organizuar punëtori në të cilën të pranishëm kanë qenë përfaqësues të institucioneve relevante nga vendet e rajonit për ballafaqimin me krizat, ku përfaqësuesit e QMK-së, njohuritë dhe përvojat që ka fituar në projektin në fjalë i kanë ndarë për kolegët nga rajoni.

– “Falënderim Turqisë për ofrimin e ndihmës, bashkëpunimi është gjithmonë i mirëpritur” –

Kreu i QMK-së kujtoi ndihmën e ofruar të Turqisë në kohën e zjarreve në territorin e Maqedonisë, duke thënë se ekzistojnë shumë fusha me interes të përbashkët në të cilat mund të punohet, të zgjerohet dhe thellohet bashkëpunimi me këtë vend.

“Ne kemi krijuar kontakte, kontakte të trashëguara në nivel kombëtar, kishim ofertë dhe ndihmë nga Turqia në kohën e zjarreve dhe do të doja të vazhdojmë me këtë bashkëpunim. Ne kemi disa sinjale se mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim më intensiv me autoritetet turke”, shprehet Buxhaku.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button