Lubomir Joveski zgjedhet prokuror shtetëror i Maqedonisë

Me 61 vota “për”, deputetët e Kuvendit në vazhdimin e seancës së 22, e kanë zgjedhur për prokuror shtetëror, Lubomir Joveskin, njofton Portalb.mk.

Zgjedhja e Joevskit u bë me votim për të tretën herë, pasi që në dy herët e para nuk pati shumicë, gjegjësisht u mungonte një votë.

Prokurori publik ka mandat prej gjashtë viteve me të drejtë të emërimit të sërishëm.

Deri tani këtë funksionin e ushtronte Liljana Spasevska, pasi Marko Zvërlevski u shkarkua më 17 gusht të këtij viti.

Në debatin e Kuvendit nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, për çka keqardhje shprehën deputetët nga shumica qeveritare, duke theksuar se për këtë çështje është i nevojshëm debat. Nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së në seancë mori pjesë vetëm Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve, i cili para pak kohësh njoftoi se e braktis koalicionin dhe se do të paraqitet si deputet i partisë nga e cila vjen.

Kush është Lubomir Joveski?

Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.

Në shpalljen që e publikoi Qeveria më 14 shtator, për prokuror publik shtetëror u paraqitën 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i prokurorëve publikë, me kërkesë të Qeverisë, dorëzoi mendim të elaboruar në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje që i përmbushin kushtet. Mendimi i Këshillit është obligues për Qeverinë, e cila kandidatët e propozuar i dorëzon në Kuvend.

Joveski 63-vjeçar në punën e tij të deritanishme ka punuar në sferën penale. Më shumë se 15 vite ka punuar si gjykatës nëpër lëndë penale, ndërsa në një mandat e ka udhëhequr Gjykatën Themelore Shkupi 2, ndërsa ka edhe përvojë pune prej mbi 12 vite si prokuror publik dhe shtatë vite në sferën e ekzekutimit të sanksioneve penale.

Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin republikan për Gjyqësi të Republikës Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën Komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendësprokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të RM-së.

Emri i Jovevskit mbahet mend nga rasti gjyqësor për “aferën e armëve”, në të cilën ka qenë gjykatës kryesor. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë shumë shqiptarë, përfshirë edhe figura të larta politike të Partisë për Prosperitet Demokratik, të cilët kanë përfunduar në burgje, ndërsa një nga të arrestuarit edhe ka humbur jetën nga maltretimet dhe rrahjet e policisë së asaj kohe. Emri i Joveskit qëndron në dokumentet zyrtare gjyqësore nga ai proces i cili për më shumë se 25 vjet ende ka ngelur pa u zbardhur.

Në atë kohë, ashtu siç shkruan “Shenja” policia arrestoi dhjetëra aktivistë dhe funksionarë të PPD-së, por edhe drejtues qeveritar si zëvendësministri i mbrojtjes Hysen Haskaj i cili kishte 3 muaj që kishte marrë funksionin, Mitat Emini zyrtar i lartë i PPD-së, si dhe shumë funksionarë të tjerë. Tek shqiptarët ky rast mbeti i njohur si “afera e armëve” ndërsa maqedonasit e quanin “forca paraushtarake”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button