Poetja Arlinda Baftiu promovoi librin “Nga xhepi i zemrës”

“Nga xhepi i zemrës” është libri i dytë me poezi i poetes se re nga Shkupi, Arlinda Baftiu që mbrëmë u promovua në Qendrën teatrore për fëmijë.

Librin e parë “Luftë me heshtjen” poetja Baftiu e ka botuar në vitin 2015 nga konkursi i Shtëpisë së Kulturës, Koço Racin.

Poetja në promovim theksoi se tematika e 64 poezive të përmbledhura në “Nga xhepi i zemrës” është laramania e muzave, emocioneve, problematikave dhe e dukurive të shoqërisë sonë, transmeton MIA. 

“Meqë ‘Nga xhepi i zemrës’ është shpërblim i çmimit të parë të festivalit ‘Ditët e poezisë shqip’, fillon me poezinë fituese të festivalit, ‘Andakarna’, që ka për temë transformimin e Shkupi 2014. Në pjesën e parë të librit janë poezi të frymëzuara nga gratë dhe trajtojnë temën e lirisë. Një pjesë e madhe e poezive janë dedikime për njerëzit që më kanë frymëzuar dhe pjesa tjetër e poezive janë gjuha ime e protestës për dukuritë sociale”, deklaroi në promovim poetja Arlinda Baftiu.

Redaktor i poezive të Baftiut dhe njëherit kritik letrar, Ahmet Selmani, në fjalën e tij theksoi se nga libri i parë në të dytin ka rritje estetike të poetes.

“Në këtë libër ajo vjen më e konsoliduar, ka ditur si ta gdhend fjalën, si ta gdhend shprehjen. Me pak fjalë të thotë shumë gjëra. Nga gjithë ajo thellësi shpirtëtore që e ajo e ndjen për përditshmërinë, për realitetin që ne e shohim çdo ditë, mirëpo nga këndvështrimi artistik ndryshe ta duam. Dhe Arlinda këtë e ka arritur, që realitetin ta shohë kryekëput nga aspekti estetik. Ky libër vjen si dhuratë e bukur që ta ndreqim shijen që është deformuar ndaj gjërave që i shohim dhe përjetojmë çdo ditë”, theksoi Selmani.

Recezentja e librit Vjollcë Berisha, poete dhe pedagoge pranë USHT-së në promovim tha se libri i Arlindës bën pjesë në grupin e librave që dëshiron t’i rikthehesh për ta lexuar.

“Libri edhe pa e parë emrin në kopertinë, dallohet që është shkruar nga një femër, për shkak të lirikës së thellë që ka dhe shpirtit të saj të brishtë dhe femëror që lidhet jo vetëm me botën e saj si femër por edhe me gruan tjetër që është ‘nënë’. Pavarësisht se shumica e poezive janë vjersha dashurie, nuk janë poezi të shkruara nga hormonet në adoleshencë, por të shkruara nga dora e një poeteshe të formuar në dy pikëpamje, në rrafshin se si e sheh botën dhe si e emërton atë botë”, tha poetja Berisha.

Vargjet e poezive në promovim u interpretuan nga aktorja Vjollca Baftiu-Zylbehari, ndërsa u shoqëruan edhe përmes gjuhës së baletit të interpretuar nga balerini i vetëm shqiptar në Teatrin dhe Operën e Baletit në Shkup, Agim Baftiu.

Libri mund të gjendet në Librarinë e Çarshisë në Qytetin e Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button