Thaçi: Themelimi i ushtrisë bëhet vitin e ardhshëm

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot mbajti fjalimin e fundvitit për fushëveprimin e tij gjatë vitit 2017 para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi në adresimin e tij të fundvitit para deputetëve tha se është angazhuar që të respektohen të drejtat e njeriut dhe që të kenë përfaqësim të parabartë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sa i përket vazhdimit të punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës presidenti Thaçi tha se pret që të formohet ushtria e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm përmes ndryshimeve kushtetuese duke theksuar se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë të gatshëm për detyra e kompetenca shtesë.

“Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen se procesi i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët e tjerë strategjik. Unë sot dua t’iu siguroj se bashkarisht me Qeverinë, me Kuvendin dhe partnerët tanë strategjik do të punojmë që viti 2018 me të vërtetë të jetë viti i themelimit të ushtrisë. Kjo do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë që do të jetë një ushtri moderne dhe multietike”, theksoi Thaçi.

Ai po ashtu shprehu besimin se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke shtuar se edhe sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet, që sipas tij, asnjë fushë nuk mund të jetë funksionale, pa sundim të ligjit.

Thaçi po ashtu foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit por edhe me shtetet fqinje.

“Tani jemi gati për të vazhduar me fazën përfundimtare të këtij procesi i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Sigurisht se kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë. Për këtë qëllim kam filluar konsultat formale dhe joformale me partitë politike dhe shoqërinë civile me qëllim që të themelojmë një ekip të dialogut të unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës shtoi se viti 2017 ishte viti i të arriturave duke përmendur dy palë zgjedhjet që janë realizuar gjatë këtij viti. Ai tha se këto dy procese elektorale kanë treguar pjekurinë e politikës kosovare duke hapur rrugën e formimit të qeverisë së re.

Ai bëri të ditur se duhet të fillojë procesi i reformës zgjedhore edhe pse zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë kanë konsumuar shumë kohë dhe energji.

Kujtojmë se deputetët e partive opozitare nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si dhe deputetët nga Lista Serbe nuk ishin të pranishëm në Kuvend gjatë fjalimit të mbajtur nga presidenti i vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button