Abas: Miratimi i rezolutës për Jerusalemin në KB është fitore për Palestinën

Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmud Abas e përshëndeti votimin e sotëm në KB të rezolutës me të cilën ftohet SHBA-ja ta tërheq vendimin për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.

“Votimi është fitore për Palestinën”, deklaroi zëdhënësi presidencial  Nabil Abu Rudejna.

“Do të vazhdojmë me përpjekjet në KB dhe të gjitha forumet ndërkombëtare për t’i dhënë fund këtij okupimi dhe krijimin e shtetit tonë palestinez me kryeqendër Jerusalemin Lindor”, shtoi ai.

Asambleja e Përgjithshme e KB-së, sot në seancë të jashtëzakonshme me 128 vota “pro”, nëntë “kundër” dhe 35 të “përmbajtur”, miratoi Rezolutë me të cilën kërkohet SHBA-ja ta tërheq njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit.

Siç njoftoi MIA , paraprakisht ambasadorja amerikane në KB, Niki Hejli, u kanos se SHBA-ja “do ta mbajë mend ditën kur janë sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, vetëm sepse e kanë realizuar të drejtën e tyre si “vend sovran”, duke theksuar se votimi në KB nuk do ta ndryshojë vendimin amerikan për Jerusalemin.

Ajo, u tha të gjitha 193 vendeve anëtare në KB, se SHBA-ja do ta ndërpresë ndihmën financiare nëse Asambleja e Përgjithshme e aprovon rezolutën me të cilën vendimi i presidentit amerikan, Donald Tramp për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit shpallet “i pavlefshëm”.

“Votimi i sotëm do të ndikojë në mënyrën me të cilën amerikanët e shohin KB-në dhe vendet të cilat nuk e respektojnë SHBA-në dhe KB-në”, konstatoi Hejli. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button