Treni duhet kapur

Koha kalon shpejt. Afrohet fundi i vitit. Detyrat qe duhet te përmbushen mbeten ende aty. Ne planin 3-6-9 te Qeverisë qartazi janë shënuar qëllimet që kjo Qeveri duhet ti arrijë në 3, 6 dhe 9 muajt e para. Në sferën e reformave në gjyqësi, gjithnjë ka qenë e qartë se ka ligje që duhet të kalojnë në procedurë parlamentare deri në fund të vitit. Fundi i vitit po afron dhe këto ligje ende nuk kanë kaluar në Parlament. Ende nuk është zgjedhur as Prokurori i ri shtetëror. Vërehet një ngecje në procedurat parlamentare.

Të gjithë subjektet politike që marrin pjesë në punën e Parlamentit duhet të kenë parasysh që përmbushja e detyrave që dalin nga Raportet e Pribesë dhe nga Raportet e Komisionit Evropian janë interes i përgjithshëm shtetëror. Maqedonia ka një mundësi të vetme para saj, që të marrë rekomandim të pakushtëzuar për të hapur negociata për aderim në UE në Shkurt dhe që përfundimisht t’i hapë këto negociata në Qershor. Po ashtu, ky është viti vendimtar lidhur me integrimin e këtij shteti në NATO, për të cilën gjë duhet patjetërsisht të gjendet modaliteti i tejkalimit të kontestit të emrit me Greqinë.

Ky është realiteti dhe nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka kohë për të bërë pikë politikë e as për të ledhatuar egot e dikujt. Ose e kapim këtë tren ose vazhdojmë të mbetemi në shpellën e errët të izolimit ndërkombëtar. Nuk do të ketë një shans të dytë.

Prandaj, duhet një vetëdijesim i përgjithshëm i të gjithë subjekteve politike, brenda dhe jashtë Parlamentit. Thjeshtë koha është tepër e shkurtër dhe nuk e kemi luksin për të bërë eksperimente e as për t’u sjellë me neglizhencë ndaj këtyre proceseve. Duhet një sjellje me maturi, përgjegjësi dhe arsye. Nuk ka kohë për emocione dhe nuk ka kohë për sjellje të papërgjegjshme.

Pas shumë vitesh izolim, pas një kohe të gjatë kur vit pas viti lidhur me Maqedoninë nuk kishte asgjë të re, pasi të gjitha shtetet tjera në rajon që ishin pas nesh (bile nuk ishin ende as shtete të pavarura, si për shembull Serbia dhe Mali i Zi) na kaluan dhe ecën përpara, përfundimisht në vend ka Qeveri të re dhe e gjithë Evropa është e entuziazmuar lidhur me këtë. Po ashtu ka përparim shumë të madh në raportet ndërfqinjësore, ndërsa zgjidhja e kontestit me emrin duket e mundur dhe duket afër.

Në këto kushte, realizimi i reformave të brendshme duhet të ndodhë në mënyrë të shpejtë dhe efikase pa kurrfarë dyshimesh, hamendjesh apo rezervash. Gjithçka është përshkruar qartazi në Raportet e Pribes, për pak sa nuk është vizatuar që ta kuptojmë më lehtë. Mbetet vetëm realizimi. Ndërsa realizimi ngec nga pak për shkak të egove të shumta dhe për shkak të kalkulimeve politike të disa subjekteve. Kjo nuk guxon që të ndodhë.

Reformat duhen përkrahur pa rezerva dhe me konsensus të plotë. Askush nuk e ka të drejtën të luajë me fatin e të gjithë neve. Askush nuk e ka të drejtën të sillet me neglizhencë në këtë kohë kur duhet veprim preciz dhe efikas. Askush nuk e ka të drejtën ta humbasë këtë shans që po i jepet vendit. Askush nuk e ka të drejtën të shkaktojë mossukses të këtij procesi. Shans të dytë nuk do të ketë. Prandaj, secili duhet të sillet me përgjegjësi dhe të kryejë pjesën e vetë të detyrës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button