PDSH-ja me propozim ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe

Deputetja e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Merale Uzeiri Ferati, gjatë ditës së sotme para komisionit parlamentar prezantoi propozim ligjin e PDSH-së për zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

“Si deputete dhe si përfaqësuese e Partisë Demokratike Shqiptare kemi propozuar projekt ligjin për realizimin e barazisë të gjuhëve dhe shkrimeve zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Ne si Parti Demokratike Shqiptare mendojmë se projekt – ligji për përdorimin e gjuhëve nga ana e Qeverisë që është në procedurë parlamentare nuk është i mjaftueshëm dhe i plotë për sa i përket zyrtarizimit të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Një gjë është e vërtetë – avancimi nuk do të thotë se është zyrtarizim, siç thonë nga PDSH-ja zyrtarizim është krejt diçka tjetër që nënkupton nivel të barabartë të përdorimit të gjuhës së një kombi në të gjitha instancat shtetërore, si në të folurit ashtu edhe në të shkruarit e saj.

Këtë formë të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni projekt ligji i propozuar nga ana e Qeverisë nuk e ka, por ai parashikon një përdorim të avancuar të saj.

“Padyshim ne i dhamë përkrahje këtij varianti në leximin e parë, por në të njëjtën kohë vlerësojmë se nuk është i mjaftueshëm dhe nuk bëhet zyrtarizimi i gjuhës shqipe. Zyrtarizim nuk bëhet i pjesshëm  apo gjysmë zyrtarizim, ose një çerek zyrtarizim – Zyrtarizimi o bëhet o nuk nuk bëhet”, theksohet në kumtesë.

Gjuha dhe shkrimi i saj janë një ndër komponentët themelore të një kombi dhe kjo nuk është vetëm për shqiptarët por për të gjithë. Prandaj edhe përdorimi i saj si në të folur ashtu edhe në të shkruarit e saj zënë vend të veçantë në konventa të ndryshme ndërkombëtare ku tërhiqet vërejta dhe sanksionohet çdokush që tenton të diskriminojë në këtë segment.

“Kemi shembuj të shumtë se si është rregulluar kjo çështje në shumë vend të botës. Shumë shtete kanë dy e më shumë gjuhë zyrtare dhe kjo jo që nuk është pengesë për ta, por përkundrazi paraqet një faktor të rëndësishëm në thellimin e demokracisë dhe përparimin e këtyre shteteve. Kemi shembullin e Kanadasë, Belgjikës dhe shumë vendeve tjera ku përdorimi i gjuhëve zyrtare pasqyron realitetet në ato shtete dhe sigurisht pajtoheni të gjithë se ajo paraqet pasuri dhe mundëson zhvillimin e mëtutjeshëm në të gjitha aspektet e këtyre shteteve”, thuhet në vazhdim të kumtesës.

Prandaj propozimi i Partisë Demokratike Shqiptare i ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, siç thuhet, i tejkalon përmasat e ngushta partiake.

“Nuk mund të rrinë indiferent qofshin ato profesor në universitete apo mjek, mësues e punëtorë të thjeshtë, studentë apo policë të gjithë, e aq më tepër ju deputetë të partive të ndryshme, jo vetëm shqiptar por edhe maqedonas”.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të folurit dhe shkrimi i saj, sipas PDSH, do të mundësonte demokratizim të shoqërisë që padyshim do të ishte një hap i madh drejt inkuadrimit të këtij shteti në Bashkimin Evropian dhe instance të tjera strategjike botërore ku kultivohet toleranca dhe barabarësia.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni, shtohet më tej në kumtesë, nuk cenon përdorimin e gjuhës maqedonase dhe as nuk rrezikohet Maqedonia, sepse nga përdorimi i më shumë se një gjuhë zyrtare nuk rrezikon Kanadanë, nuk rrezikon Belgjikën, Zvicrën apo edhe Kosovën, ku sa për ilustrim në Kosovë serbët nuk janë më shumë se 5 për qind e në anën tjetër gjuha serbe përdoret në të gjitha instancat shtetërore.

“Besoj se do të ketë gatishmëri nga ana e të gjithë deputetëve që me miratimin e këtij propozim ligji për zyrtarizim e gjuhës shqipe propozuar nga Partia Demokratike Shqiptare do të mundësohet që ky shtet të bëj një hap përpara në kultivimin e demokracisë dhe njëkohësisht do të përmbyllim një problem madhor, pasi që nga kjo e drejtë shqiptarët asnjëherë nuk do të heqin dorë”, shtojnë në fund të kumtesës nga PDSH-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button