Rastin “Sopoti”, rrëfehet Ramadan Bajrami: Ja si ma morën dëshminë me dhunë

Dëshmitari Ramadan Bajrami në seancën e sotme për rastin “Sopoti” në të cilin dhjetë persona akuzohen për terrorizëm, tha se kur ka qenë shpërthimi nuk ka qenë në fshat, por ka qenë në Serbi dhe për këtë ka kuptuar kur është kthyer në Maqedoni, ndërsa deklarata e tij e parë ka qenë e detyruar për shkak, siç tha, mbajtjes së gjatë në paraburgim, abuzimit dhe rrahjes.

Avokati Vullnet Paçuku, pas seancës deklaroi se dëshmitari kyç sot në më shumë detaje ka sqaruar në tërësi se si ka ndodhur dhe se ai nuk mund të jetë as i paditur e as dëshmitar, por vetëm viktimë në këtë ngjarje.

“Verdikt tjetër nuk vjen parasysh përveç aktvendimit për liri”, tha Paçuku.

Ramadani sqaroi se më 23 maj të vitit 2003, ka shkuar në stacionin policor për certifikatë të djalit minoren, i cili është goditur në pjesën e prapme të kokës, është lidhur dhe dërguar me automobil. Theksoi se disa ditët e ardhshme është marrë në pyetje, abuzuar dhe rrahur nga shumë inspektorë, të cilët kanë kërkuar nga ai të nënshkruajë deklaratë, për, siç i kanë thënë se ka qenë i akuzuar për mbajtje të rojës në fshat.

Sipas deklaratës së Ramadanit para gjykatës, ai në shumë, raste në periudhën prej 23 deri më 29 maj të vitit 2003 është nxjerrë para dy gjykatësve të ndryshëm, ku më 26 maj e ka thënë atë që e kanë detyruar ta thotë, ndërsa për deklaratën e njëjtë më 27 maj e kanë vendosur edhe në detektor. Kur më 28 maj i kanë thënë se i është caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, siç tha, është inkurajuar dhe ka thënë se nuk di gjë për ngjarjen dhe ka qenë në Serbi, pas së cilës është rrahur sërish nga inspektorët për shkak të ndryshimit të deklaratës.

Ramadani tha se i treti nga gjykatësit i ka thënë se ngarkohet për falsifikim të 100 eurove, të cilat janë gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së tij dhe i ka caktuar masë paraburgimi prej 30 ditëve. Derisa ka qenë në paraburgim është vizituar nga OSBE-ja, Avokati i Popullit dhe të tjerë që e kanë pyetur për Sopotin.

“Kam menduar se më mbajnë për Sopotin, ndërsa zyrtarisht kam qenë në paraburgim për paratë. Kur filloi gjykimi për këtë rast unë jam ftuar si dëshmitar dhe nuk e di si kur kam qenë i akuzuari i 13-të. Që atëherë tërë kohën udhëhiqem si dëshmitar. Këtë që e thash tani e tash edhe në gjykimin e parë”, deklaroi Ramadani.

Prokuroria para gjykatës parashtroi deklaratë me shkrim nga SPB Kumanovë për të cilën Ramadani pas ekspertizës konfirmoi se shkrimi dhe nënshkrimi janë të tijat.

Seancën e ardhshme Gjykata e ka caktuar më 6 shkurt të vitit 2018 në ora 10. Gjykata e pranoi kërkesën e prokurorisë në plotësim të procedurës hetuese që të ftohen gjashtë inspektorë, të cilët kanë punuar në këtë rast, ekspertizë mjekësore-gjyqësore, deklaratë e dëshmitarit nga 23/05/2003, vendim për arrestimin e Ramadanit, procesverbal për sende të marra përkohësisht, si dhe gjithë lëndën kundër Ramadanit për vepër penale falsifikim të parave.

Rasti “Sopoti” ka histori prej 14 vitesh. 12 banorë nga fshati Sopot u akuzuan se në mars të vitit 2003 kanë vendosur eksploziv në rrugën lokale Sushevo-Sopot, ku në këtë eksplodim u vranë dy anëtarë të kontingjentit polak të NATOS dhe një civil maqedonas. Kjo ndodhi dy vjet pas konfliktit të vitit 2001, kur Maqedonia ende po e merrte veten nga pasojat që i shkaktuan veprimet e armatosura edhe në planin e sigurisë edhe atë ndëretnik.

“Sopoti” u hap sërish që kur Prokuroria Speciale Publike arriti të marrë lëndën nga Prokuroria Themelore Publike për shkak se në opinion u publikuan telefonata të përgjuara ku bisedohet për rastin ndërmjet ish-funksionarëve të lartë shtetëror. Dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajësisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike për “Sopotin”, dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për të akuzuarit e, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski ka kërkuar nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.

LEXO MË SHUMË: 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button