KOHA E MUJSHARIT

Mujshar, sikurse e shpjegon Fjalori, është ai “që përdor forcën për të shtrënguar një tjetër të bëjë diçka; që e shpërdoron fuqinë a pushtetin për të sunduar me dhunë mbi të tjerët ose për të bërë atë që do vetë”. Shkurt: mujshar do të thotë dhunues.

Jetojmë në kohën e mujsharit dhe jo në kohën e qytetarit të lirë.

E duam këtë kohë, sepse e duam atë që arrihet lehtë, pa shumë mund, pa disiplinë, pa metodë, pa përkushtim.

Mujshari triumfon aty ku mungon qytetari i lirë dhe i përgjegjshëm dhe atë e bëjmë të gjithë: duke iu frikësuar, duke iu përkulur, duke e respektuar, duke e adhuruar, duke u fotografuar me të, duke i duartrokitur atij, duke e pritur me lule e ovacione, duke e bërë model jete edhe për fëmijët tanë.

Nëse nuk jemi së jashtmi si ai, jemi së brendshmi si ai. Duam t’i ngjajmë atij, sepse ngurrojmë të bëhemi qytetarë të lirë. Solidarizohemi me mujsharin dhe veprimet e liga ia mbulojmë me patos kombëtar.

“Më i forti asnjëherë nuk është aq i fortë për të qenë përherë i tillë, nëse forcën e tij nuk e transformon në vlerë dhe nënçmimin në detyrim”, thotë Ruso te “Kontrata sociale”.

Mujshari e ka bërë vlerë forcën e tij, kurse ne të tjerët e kemi bërë vlerë nënshtrimin tonë.

Mujshari e uzurpon të drejtën dhe na kërkon nënshtrimin e verbër, ndërkaq duke e lejuar këtë nënshtrim krijuam shoqëri që na ngulfat çdo ditë.

Krijuam shoqëri ku përçmohet ai që lexon e studion.

Krijuam shoqëri makutësh, varfanjakësh shpirtërorë e teneqerash mendore, që flasin për gjithçka me kompetencë të frikshme.

Krijuam shoqëri pa balancin ndërmjet faktorit shpirtëror dhe atij material.

Krijuam shoqëri që nuk e njeh kategorinë e turpit dhe as brerjen e ndërgjegjes.

Krijuam shoqëri hoshtaplerësh që vendosin për fatin e kombit.

Krijuam shoqëri të newspeak-it, të gjuhës pa sintaksë, pa mendim, pa domethënie.

Krijuam shoqëri me arna.

E krijuam me hipokrizinë tonë, me justifikimin se me ta nuk mund t’ia dalim, ngase na vjen më lehtë që mos t’ia dalim.

Heshtëm sepse besuam se kështu nuk “i lëmë fëmijët pa bukë”, por i kemi lënë pa ardhmëri.

E them me keqardhje se çdo ditë mendoj për një ekzil të brendshëm, sa më larg syve të opinionit, i strehuar, diku, në botën e anonimitetit, në Jasna Polanën time.

Ndjehem i lodhur duke predikuar aty ku jam shpallur i panevojshëm.

Pasi këtë kohë mujsharësh nuk mundëm ta ndryshonim duke folur, mbase mos po kalon kjo kohë duke heshtur.

As këtë nuk e besoj…

Ndoshta jemi bërë më shumë pesimistë se sa duhet ose ndoshta koha jonë ka përfunduar dhe më nuk kemi çfarë t’i themi kësaj kohe të spektaklit e të mujsharit…

Ndoshta…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button