Austri, ekstremistët hyjnë në qeveri

Askush nuk duhet të frikësohet nga koalicioni i ri. Me këto fjalë u përpoq të qetësonte austriakët politikani i së djathtës ekstreme Herbert Kickl, i cili do të jetë ministri i ri i Brendshëm.

Pjesëtari i Partisë së Lirisë tha se kishte një parandjenjë të mirë për koalicionin e ri me konservatorët e Partisë Popullore.

Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen aprovoi koalicionin të shtunën, pas dy muaj bisedimesh jo bindëse.

Kreu i Partisë Popullore, Sebastian Kurz, në moshën 31-vjeçare do të bëhet Kancelari i ri i Austrisë dhe udhëheqësi më i ri në botë, ndërsa Austria do të jetë i vetmi shtet në Europën Perëndimore, që do të qeveriset edhe nga ekstremi i djathtë.

Teksa prezantoi qeverinë e re dhe një dokument prej 180 faqesh, që parashtronte axhendën e tij, Kurz theksoi se dy partitë kishin rënë dakord për një politikë të qartë proeuropiane, shkruan TCh.

Përpos Ministrisë së Brendshme, Partia e Lirisë kundër emigrantëve ka siguruar disa poste të tjera kyçe në kabinetin e ri. Lideri i partisë, Heinz-Christian Strache do të bëhet zv.kancelar, ndërsa kolegët e tij do të drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Shëndetësisë dhe të Sigurisë Sociale.

Partia e Kurz fitoi 32 për qind të votave në zgjedhjet e muajit tetor, duke siguruar 62 prej 183 vendeve në Këshillin Kombtar. Partia e Lirisë u pozicionua e treta, me 25 për qind të votave. Hera e fundit kur e djathta ekstreme hyri në koalicion qeverisës në vitin 2000, shtete të tjera të BE-së u kundërpërgjigjën duke ngrirë marrëdhëniet diplomatike dypalëshe.

Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë sërish, për shkak të fuqizimit të grupeve populiste të së djathtës që promovojnë axhendat e tyre euroskeptike në pjesën më të madhe të BE-së. Por, ndryshe nga Partia e Lirisë, këto parti nuk ia kanë dalë të kthejnë suksesin elektoral në pushtet real.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button