Rikthehet Superliga me tre super sfida

Kategoria Superiore rikthehet sot me 3 takimet e para të javës së 15, që si gjithmonë do të transmetohen në Supersport, bashkë me prononcimet e protagonistëve dhe trajnerëve, pas ndeshjeve.

Kështu Lushnja, pas befasisë që dhuroi në ‘Zeqir Ymeri’, duke mposhtur 1-3 Kukësin vendas, do të presë sot në shtëpi kryesuesit e kampionatit, Skënderbeun. Myzeqarët vijnë në këtë takim me moralin e lartë dhe me vetë besim se mund të përballen me këdo, ndaj do të kërkojnë që të mos dalin pa pikë ndaj korçarëve. Nga ana tjetër, skuadra e Dajës, pas perfeksionit të Fazës së parë, ka marrë vetëm 6 pikë në 5 takimet e Fazës së dytë, duke regjistruar paraqitje aspak bindëse. Javën e kaluar korçarët pësuan edhe humbjen e parë sezonale, duke u mposhtur 1-0 nga Laçi dhe ndaj Lushnjës nuk kanë alternativë tjetër, përveç fitores.

Një takim mjaft të rëndësishëm luan edhe Vllaznia në Shkodër, ku do të presë Kamzën. Shkodranët vijnë pas 2 humbjeve radhazi dhe në ‘Loro Boriçi’ duhet të marrin maksimumin, për t’iu larguar zonës së ftohtë të renditjes. Këtë e paralajmëroi edhe trajneri Gjoka në një konferencë për shtyp, ku theksoi se skuadra është buzë greminës dhe se fitorja me kamzalinjtë është një detyrim. Përballë Vllaznisë do të jetë Kamza, skuadra e cilësuar si surprizë e këtij sezoni, pasi ka grumbulluar 23 pikë në 14 javë dhe renditet me meritë në vendin e 3-të. Gjithsesi, skuadra e Ndreut ndodhet ndoshta në momentin më të keq, sepse ka humbur 2 takime në 4 ditë, mes kampionatit dhe Kupës, ku në këtë të fundit edhe u eliminua. Kamza u mposht nga Luftëtari në shtëpi, me një gol të Rrocës në minutën e fundit shtesë, ndërsa në mesjavë humbi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Teutës, duke bërë që të rikthehet me këmbë në tokë.

Një sfidë mjaft interesante pritet të zhvillohet edhe në Vlorë, ku Flamurtari vendas do të presë Laçin simpatik. Ndonëse asnjë nga kampi vlonjat nuk e thotë hapur, te Flamurtari besojnë se mund të tentojnë titullin dhe për këtë arsye presidenti Idrizi ka njoftuar edhe disa përforcime në merkaton e janarit, për t’ia lehtësuar punën trajnerit Duro. Vlonjatët renditen të dytët me 6 pikë më pak se Skënderbeu kryesues, por kjo diferencë mund të ishte edhe më e vogël, nëse skuadra e Duros do të kishte ndonjë barazim më pak. Takimi i nesërm do të jetë edhe një rikthim i Gentian Mezanit në Vlorë, por këtë herë si kundërshtar. Trajneri aktual i Laçit e nisi karrierën me ekipet e moshave të Flamurtarit, ku bëri edhe debutimin në Superiore, në vjeshtën e 2016-ës. Laçjanët kanë marrë 10 pikë në 5 takimet e Fazës së dytë dhe po kalojnë një moment të shkëlqyer, ku vetëm 1 javë më parë i shkaktuan Skënderbeut humbjen e parë në kampionat. Në stadiumin ‘Flamurtari’ do të zbresin në fushë 2 nga skuadrat që dhurojnë futbollin më të bukur në Kategorinë Superiore dhe pavarësisht rezultatit, pritet që sfida të jetë spektakolare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button