Hashashi në Shqipëri, “pendohet” ambasadori: Ne e dinim dhe heshtëm gjatë

Për herë të parë një diplomat i lartë i huaj në Tiranë gërvisht perden, që fsheh realitetin mes ambasadorëve, politikës dhe qeverive shqiptare nga njëra anë dhe qytetarëve, nga ana tjetër. Që nga fillimet e demokracisë në vendin tonë qëndrimet dhe ligjëratat e ambasadorëve të huaj në Shqipëri, veçanërisht të atyre që përfaqësojnë vendet e fuqishme janë konsideruar si “postulate” dhe nuk janë vënë kurrë, në dyshim dhe diskutim. Por kohët e fundit ky mit duket se po bie me shpejtësi dhe çdo ditë e më shumë po vërtetohet, se jo gjithmonë gjërat janë ashtu si duken.

Ka qenë pikërisht një diplomat i njohur gjerman karriere, ekspert i Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërisë (Ish drejtor për Ballkanin në ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe ish-ambasador në Tiranë), aktualisht kryetari i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt, që për herë të parë ka folur pa dorashka për qëndrimet apo mos qëndrimet e ndërkombëtarëve, të cilat shpesh nuk përfaqësojnë realitetin, por rezonojnë me të fortët e politikës shqiptare dhe qeverive në fuqi, pa përjashtim.

Mbrëmë në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH, Borchardt tha disa të vërteta për ndërkombëtarët në vendin tonë, të cilat deri më sot janë artikuluar vetëm nga media të pa kapura prej politikës dhe qeverive, por edhe në ato pak raste janë quajtur herezi
Ambasadori i OSBE tregon dështimin dhe pranon përgjegjësitë e diplomatëve në Tiranë për disa moment kyçe dhe me pasoja të rënda për demokracinë në historinë pluraliste të vendit, siç janë piramidat financiare dhe kalimi i vendit në kolaps në vitin 1997, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, por mbi të gjitha për historinë e bujshme aktuale të shndërrimit të vendit, në një fermë dhe distributor gjigant të kanabisit drejt Europës.

Për herë të parë pranohet se për këtë ndërmarrje kriminale që çdo ditë e më shumë po vërtetohet se është bërë nën mbulim dhe bashkëpunim me strukturat e shtetit, diplomatët në Tiranë kanë pasur dijeni por kanë zgjedhur të heshtin deri në momentin, që problemi u mahis dhe shpërtheu edhe përtej kufijve të vendit.

“Çështjen e hashashit. Ka pasur një heshtjeje të tejzgjatur, ndërkohë që problemi vinte e mahisej derisa shpërtheu në format që i kemi të qarta tashmë. E ka si zakon komuniteti ndërkombëtar të nxjerrë mësime, “lessons learned”, apo shikon vetëm përpara dhe thotë që të shohim drejt të ardhmes dhe ta lëmë mënjanë të shkuarën?”, deklaron diplomati i njohur gjerman dhe ambasador i misionit të OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Deklarimi i plotë i ambasadorit të OSBE, për lojën “jo të pastër”, të ndërkombëtarëve në vendin tonë ndër vite dhe sot.

“Çfarë mund të kishte bërë më mirë bashkësia ndërkombëtare? Kam reflektuar rregullisht për këtë situatë. Ngritja e problemeve qartë dhe herët është diçka që i ndihmon të gjithë.

Kam qenë kohë përgjegjës për Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme gjermane – më saktë, isha përgjegjës për Ballkanin, duke përfshirë Shqipërinë – dhe kur hedh sytë pas, them me vete se, për shembull përpara ‘97-s, ne e kishim të qartë se skemat piramidale nuk mund të funksiononin gjatë. Duhej të kishim paralajmëruar shumë më herët e në mënyrë shumë më drastike.
Ky është rasti i një reflektimi i një përfaqësuesi ndërkombëtar për çfarë ka shkuar keq në Shqipëri, në kuptimin e demokracisë, sepse ka një perceptim që duket sikur kur gjërat shkojnë mirë është meritë e ndërkombëtarëve, kurse kur shkojnë keq është përgjegjësi e autoriteteve lokale.

Do të ndalesha te një moment tjetër kur ndërkombëtarët mund të kishin bërë më shumë: ndryshimet kushtetuese të vitit 2008-s që forcuan autoritetin e dy kryetarëve të partive, në kurriz të institucioneve të vendit, si parlamenti, drejtësia, zgjedhjet, institucionet e pavarura. Dhe në atë kohë ndërkombëtarët pothuajse ishin të bashkuar në anën tjetër të barrikadës dhe gati-gati i përkrahën dhe duartrokitën këto ndryshime, dhe nuk kam parë ende ndonjë reflektim që të thuhet ky ishte një moment kritik për funksionimin e institucioneve të demokracisë në Shqipëri.

Ose nëse do të marrim rastin aktual: çështjen e hashashit. Ka pasur një heshtjeje të tej zgjatur, ndërkohë që problemi vinte e mahisej derisa shpërtheu në format që i kemi të qarta tashmë. E ka si zakon komuniteti ndërkombëtar të nxjerrë mësime, “lessons learned”, apo shikon vetëm përpara dhe thotë që të shohim drejt të ardhmes dhe ta lëmë mënjanë të shkuarën?
Mendoj se të gjithë përpiqemi të nxjerrim përfundime, prej asaj se çfarë ka ndodhur tashmë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button