Fjalët e fundit të dëshmorit palestinez: Kjo tokë është e jona, nuk e dorëzojmë (FOTO)

“Kjo tokë është e jona, nuk do ta dorëzojmë” ishin fjalët e fundit të dëshmorit palestinez me aftësi të kufizuara, Ibrahim Ebu Thureja, i cili pa hezitim mori pjesë në protestat në Gaza në mbështetje të Kudsit, në të cilat humbi jetën si pasojë e ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë, raporton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët kanë vazhduar të protestojnë kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit. Gjatë protestave, policia izraelite vazhdon të përdorë plumba të vërtetë dhe të gomës dhe gaz lotsjellës.

Një nga dy personat që ranë dëshmorë në protestat në kufirin e Gazës ishte edhe Ebu Thureja, i cili në vitin 2008 kishte humbur dy këmbët si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit në Gaza.

Pak para se të vdiste, protestuesit kanë marrë mendimin e Ebu Thurejas, i cili edhe përkundër faktit se ishte me aftësi të kufizuara, nuk hezitoi të marrë pjesë në protesta në mbrojtje të trojeve të tij. Në pamjet që u publikuan në mbrëmje në rrjetet sociale, fjalët e Ebu Thurejas ishin:

“Erdha që ushtrisë izraelite t’ia jap mesazhin se ky vend është i yni. Kjo tokë është e jona. Nuk do ta dorëzojmë për shkak të vendimit të Trumpit. Do t’i vazhdojmë protestat. Sfidojmë ushtrinë izraelite. Populli palestinez është popull guximtar”.

Dëshmitarët okularë thonë se Ebu Thureja ka marrë pjesë çdo ditë në protestat e organizuara kundër vendimit të Trumpit dhe në mbështetje të Mesxhid-i Aksasë.

Ndryshe, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës në Gaza, Eshref el-Kudra, njoftoi më herët se Jasir Sukar, 23 vjeçar, dhe Ibrahim Ebu Thureja, 29 vjeçar, kanë rënë dëshmorë nga ndërhyrja e ushtarëve izraelitë në zonat kufitare të Gazës, dhe se 82 persona janë plagosur, prej të cilëve pesë më rëndë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button