Ja kur do të votohet prokurori i ri i Maqedonisë

Prokurori i ri, Lubomir Joveski, në Kuvendin e Maqedonisë do të votohet më 22 dhjetor në ora 11:00. Kjo u njoftua nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, pasi që mbaroi debati për prokurorin shtetëror, njofton Portalb.mk.

Paraprakisht, deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, në foltoren kuvendore tha se nuk ka problem me propozimin e prokurorit publike, Lubori Joveski, kur bëhet fjalë për pëvojën dhe kredibilitetin, por ka dilema për vitet e tij. Ashtu siç tha, është i moshuar dhe është person përpara pensionit.

Megjithatë, tha deputeti, qëndrimet të cilat i ka pasur Joveski si anëtar i Këshillit të Prokurorëve, i jep shenjë se përparësia duhet t’i jepet përvojës, përpara elanit të madh që mund ta ketë ndonjë prokuror më i ri.

Ademi tha se BDI kur ka qenë në koalicionin qeveritar me VMRO-DPMNE-së dhe është zgjedhur Marko Zvërlevski, ai ka qenë krenar që atëherë nuk ka votuar për të, por tani shpreson që do të jetë krenar që voton për prokurorin Joveski.

Koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, në seancën e sotme tha se Joevski ka biografi respektabile dhe impozante.

“23 noterë, avokatë, gjykatës, prokurorë u paraqitën në konkursin për prokuror shtetëror, por për mua më e rëndësishme ishte ajo që Këshilli i Prokurorëve njëzëri dha mendim pozitiv për Joveskin. Opozita e ka kritikuar procesin, ka kërkuar ndryshim për zgjedhjen e prokurorit, por nuk tha asnjë fjalë për zgjedhjen e Joveskit. LSDM është bartës i procesit të reformave në gjyqësorë, për dy vite do të propozojë që prokurori shtetëror të zgjidhet me propozim të opozitës”, tha Tuntev.

Ndryshe, seancën e ka bojkotuar opozitarja VMRO-DPMNE.

Kush është Joveski

Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.

Në shpalljen që e publikoi Qeveria më 14 shtator, për prokuror publik shtetëror u paraqitën 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i prokurorëve publikë, me kërkesë të Qeverisë, dorëzoi mendim të elaboruar në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje që i përmbushin kushtet. Mendimi i Këshillit është obligues për Qeverinë, e cila madje kandidatët e propozuar i dorëzon deri te Kuvendi.

Joveski 63-vjeçar në punën e tij të deritanishme ka vepruar në sferën penale. Më shumë se 15 vite ka punuar si gjykatës në lëndë penale, ndërsa në një mandat ka udhëhequr me Gjykatën Themelore Shkupi 2, ndërsa ka edhe përvojë pune prej mbi 12 vite si prokuror publik dhe shtatë vite në sferën e ekzekutimit të sanksioneve penale.

Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin republikan për gjyqësinë e Republikës Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendës-prokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë të RM-së.

Për emërim të prokurorit publik Kuvendi i RM-së vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Prokurori publik ka mandat prej gjashtë vite me të drejtë të emërimit të sërishëm.

Deri tani këtë funksion e ushtronte Liljana Spasevska, pasi Marko Zvërlevski u shkarkua më 17 gusht të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button