Kanë përfunduar bisedimet mes Ahmetit dhe Zaevit për përbërjen qeveritare

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi sot konfirmoi se kanë përfunduar bisedimet midis liderit të BDI-së Ali Ahmeti dhe kryeministrit Zoran Zaev në lidhje me përbërjen qeveritare.

“Kanë përfunduar ato punë midis Ahmetit dhe Zaevit”, tha sot në Kuvend Grubi pas përfundimit të konferencës për shtyp në lidhje me debatin e amendamenteve për ligjin për gjuhët.

Ministri i Drejtësisë, Bilent Saliji, i cili mori pjesë në vazhdimin e debatit të amendamenteve, nuk deshi të japë deklaratë për atë nëse do ta mbajë funksionin e ministrit, por tha se kjo varet nga marrëveshja midis partnerëve të partive politike në koalicion në Qeveri.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në një intervistë për “Zërin e Amerikës“, në lidhje me postin e ministrit të Shëndetësisë që e ka ushtruar një anëtar i ASH-së e që për disa javë ka mbetur i zbrazët, tha se partia ngul këmbë që ta ruajë këtë post. Sipas tij, kjo “është çështje dinjiteti dhe serioziteti”. Ai fajësoi BDI-në për zvarritjen e kësaj çështjeje, ndërsa mungesën e reagimit të duhur të kryeministrit Zaev e cilësoi si një “përpjekje për ta mbajtur shoqërinë shqiptare në monizëm”.

“BDI-ja ka për qëllim të zhvendosë debatin real që duhet të zhvillohet dhe LSDM-së i intereson një përçarje ndërmjet subjekteve politike shqiptare që të vazhdojë me projektet e saj”, tha Sela.

Ai tha se nëse do të ketë një riformatim të të gjithë qeverisë, atëherë kjo do të ishte e pranueshme edhe për ASH-në, por në të kundërtën nuk do të pranonte vetëm ndryshimin e pozicionit të ministrit të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button