Myslimanët e vendit kanë nevojë për jetë fetare institucionale  

Vetëm brenda një jave, “reisi” ilegjitim, para dy organeve më të larta kolektive të BFI-së, dy herë radhazi i shkeli të gjitha aktet normative të BFI-së? Pse? Sepse vetë ai është i vetëdijshëm se këto dy organe më të larta kolektive për momentin janë ilegjitime, për rrjedhojë, të papeshë dhe të pafuqishëm për ta penguar dhe qortuar për veprimtarinë antiislame dhe antikushtetuese të përditshme

Në një nga dosjet e mbushura me dokumente të periudhës sime që nga dita e parë si sekretar gjeneral i BFI-së, gjeta edhe një dokument të firmosur nga unë e që kishte të bëjë me vendimin që i obligonte organet kolektive të BFI-së të zgjedhen konform Kushtetutës dhe rregullores për zgjedhje të këtyre organeve: të Këshillit të xhamive, të Mexhlisit të Xhematit, me qëllim që të zgjedhen edhe organet e Myftinive përkatëse të BFI-së. Dokumenti, pra, mbanë firmën time dhe është i datës 15 maj të vitit 2013, me numër protokolar 03-266.

Nga ky dokument shihet qartë se, BFI-ja, në kushte shoqërore e politike shumë normale, funksionon me organe me afat të skaduar! Tash e shtatë muaj u ka kaluar mandati dhe, për më keq, dokumenti zbardhë veprimtari krejtësisht jashtëkushtetutare të “reisit” ilegjitim të BFI-së!

Deri tek unë janë deponuar edhe disa deklarata me shkrim që flasin për një akt falsifikimi të cilën e ka ndërmarrur “reisi” ilegjitim në disa myftini të vendit. Ka organizuar vizitorë prej njerëzve ilegjitimë, të cilët, kanë tubuar dy-tre imamë dhe kanë hartuar lista me emra të cilët do të jenë përfaqësues të Mexhlisit të Xhematit, krejt kjo, mbulohet me procesverbale sa për të justifikuar veprimet antikushtetutare se kinse procesi është kaluar në mënyrë “të rregullt”! Asnjë informacion prej këtyre aktiviteteve, asnjë raportim dhe asnjë publikim të aktiviteteve në këtë aspekt. Pse? Natyrisht, punët e pista bëhen fshehurazi, punët falce bëhen larg syrit të opinionit, punët e liga bëhen sa më në errësirë!

A nuk flet kjo se aktivitete si dhe debate publike rreth zgjedhjes së Këshillave të Xhamive, nuk ka pasur. Nuk ka pasur as aktivitete dhe debate publike nga Mexhlisi i Xhematit si kuorum i gjërë konsultativ i Muftinisë të cilët pastaj, do të nominonin përfaqësues të tyre në organin që quhet Muftini. Anëtarët e Muftinisë, në Muftini përfaqësojnë zërin e rajonit nga vijnë ata, dhe jo rekomandimet nga “Reisi”. Çka flet kjo? Kjo flet për një privatizim, për një uzurpim dhe për një okupim klasik të BFI-së nga një “reis” ilegjitim, i cili, madje i jep vetes të drejta për t’i propozuar “organit të myftinisë” kandidatë që dalin nga SOFRAT për t’u përkrahur për myftinj. Do me thënë i sjell para aktit të kryer.

Neni 61 i Kushtetutës së BFI, që flet për organet kolektive të BFI-së thotë: “Zgjedhjet e organeve kolektive në BFI zbatohen përmes komisioneve rajonale dhe Komisionit qendror pran Rijasetit. Komisionet rajonale obligohen që në afat të paraparë me rregulloren e veçantë të zgjedhjeve të njoftojnë Muftinitë për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa muftinitë të njëjtat ia përcjellin komisionit qendror për verifikim.” Shtrohet pyetja, a u formuan dhe kur u formuan këta komisione lokale e qendrore? Kur referuan për rezultatet eventuale të një procesi zgjedhor? Kushtetuta e Bashkësisë Fetare Islame në RM obligon në transparencë, e jo në formimin e komisioneve dhe organeve të saja thjesht duke i hedhur disa emra në letra!

Kushtetuta e BFI-së, në nenin 31 thotë: “Muftinia kandidon kandidatë të mundshëm për mufti, Rijaseti i BFI-së bën emërtimin e muftive, kurse Reis ul Ulema verifikon emërtimin dhe u lëshon Murasele.” Pra, në asnjë nen nuk mund të gjeshë se “reisi” kontakton persona, i lutë të pranojnë postin e myftiut, i shantazhon apo i urdhron me kërcënime në SOFER, ndërkohë që u premton se për emërtimin eventual të tyre vetë ai do t’ua pastrojë terrenin, që do të thotë se, do t’i anashkalojë të gjitha organet dhe forumet e tjera! Kjo e vërtetë, në mënyrë shumë të qartë u pa me lojërat e “reisit” aktual në Myftininë e Shkupit.
Cilët nga trupat kolektive të Myftinisë së Shkupit, ta zëmë, e kishte propozuar për myfti të Shkupit, Zekerija Idrizin, apo, drejtorin me afat katërcipërisht të skaduar, Ibrahim Idrizin, apo punëtorin e Myftinisë së dhunshme në Shkup, Orhan Saliun! Të gjithë këta, shyqyr Zotit me pak mend, nuk pranuan pikërisht sepse nuk ishin të propozuar nga baza, nga asnjë trup i Myftinisë porse vetëm prej Sulejman Rexhepit, i cili, njerëzit që i do të varur i lë pa mundësinë për ta shprehur vullnetin e organeve kolektive që e kanë zgjedhur në një pozicion, porse ky pozicion gjithnjë duhet të jetë vullnet i Sulejman Rexhepit, i varur për një fijet të hollë bari që në çdo moment mund të këputet.

Në Nenin 26 të Kushtetutës së BFI në RM thuhet: “Organet dhe institucionet e BFI-së mund të mbajnë seancë, vetëm nëse në to marrin pjesë shumica e antarësisë nga numri i përgjithshëm, kurse vendimet i sjellin me shumicë të votave të anëtarëve prezentë. Vendimi është valid vetëm nëse për të ka votuar 1/3 e numrit të përgjithshëm të organit përkatës, nëse nuk përcaktohet ndryshe me këtë Kushtetutë dhe me aktet tjera normative.”

Edhe me aktin tjetër normativ, pra në RREGULLOREN mbi zgjedhjet të drejtat dhe obligimet e Muftinisë, të datës 08.06.2009, shkruhet qartë, e zeza mbi të bardhën, (në nenin 2 të kësaj Rregullore) se, “Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të Muftinive të BFI-së sjell Rijaseti i BFI-së”. Nuk ka mysliman në këtë nënqiell që mund të vërtetojë se një herë e një ditë, Rijaseti ka mbajtur një mbledhje ku ka debatuar mbi zgjedhjen e Myfinive të BFI-së, ja ta zëmë se në ndonjë mbledhje është folur, BFI menjëherë mund të dal me ndonjë dokument dhe të na thotë ja në cilën ditë është folur, por vallë përse për vendime të këtilla kaq të rendësishme nuk dinë imamët, këshillat e xhamive, pra as dhe anëtarët e Mexhlisit të Xhematit e mos të flasim për opinionin më të gjërë.

“Reisi”, ilegjitim me veprimet e veta po delegjitimon të gjitha organet e BFI-së, delegjitimiteti i organeve të BFI-së dhe myftinjve i duhet për të mos ngelur i vetëm para organeve të drejtësisë! Ai vazhdon me shkeljet nga më të rëndat dhe fatkeqësisht, ndonjëherë duke keqpërdorur edhe ndonjë nen nga Kushtetuta e BFI-së, si psh. Pikën tre të Nenin 31, të cilën e ka imponuar në Kushtetutë tamam me prapavijën e një qëllimligu që e pret momentin e vet. Kjo pikë, e cila më pastaj nuk përputhet dhe nuk haset në asnjë nen dhe në asnjë rregullore, thotë: “Muftiu përgjigjet vetem para Reis ul Ulemasë”, ndërkohë që ai duhet të përgjigjet para propozuesve, votuesve të tij dhe para Rijasetit, si organ kolektiv, sepse, këtë e thotë Neni 32 i Kushtetutës së BFI në RM, ku parashihen obligimet e myftinive, përkatësisht të udhëheqësve të tyre.

Neni 14 i Rregullores mbi Mytinitë nënvizon se: “Mexhlisi i xhematit propozon kandidat të mundshëm për anëtarë të mundshëm për Muftini sipas sistemit një plus një. (Pika dy) Lista e ropozuar për kandidat të mundshëm për anëtarë të muftinisë vihet për votim.” Kurse Neni 16 thotë: “Muftiu në bashkpunim me nëpunësit fetar emëron muteveli dhe anëtarë të Këshillit të xhamisë”. Dhe, fare në fund, është edhe një nen i kësaj Rregullore që e lakuriqëson si mos më keq Sulejman Rexhepin, nga një veprim i ndërmarur kohëve të fundit e që është totalisht jashtkushtetutar. Bëhet fjalë për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit të BFI-së. Neni 17 i kësaj Rregullore thotë shprehimisht: “Mexhlisi i xhemateve propozon kandidatë të mundshëm për anëtarë të Kuvendit të BFI-së në bazë të nenit 46, sipas sistemit një plus një”.

A mund të na thotë dikush nga BFI-ja se “kryetari aktual”, vullnet i cilëve anëtarë të Myftinisë së re të Shkupit është?! Si mund të propozohet dhe të votohet një person për Kryetar të Kuvendit kur për këtë gjë duhet të plotësohen dy kushte parësore: një, të propozohet prej kuorumeve legale dhe legjitime, të propozuar prej mexhlisit të xhemateve dhe e dyta, të ketë përgatitjen arsimore adekuate. Mbi të gjitha, në mbledhjen e fundit të “Kuvendit” vjen në shprehje edhe një herë vullneti i Sulejman Rexhepit dhe jo gatishmëria e tij për të qenë në veprim koherent me aktet normative të BFI-së. Në nenin 50 të Kushtetutës së BFI-së thuhet: Kryetari i Kuvendit është i detyruar të konvokojë seancë të Kuvendit të BFI-së me kërkesë të Reis ul Ulemasë, Rijasetit të BFI-së dhe me kërkesës të 1/3 së anëtarëve të Kuvendit të BFI-së.”! Ish-Kryetari i Kuvendit, Haki Agushi, jo që nuk e konvokoi mbledhjen e fundit, jo që nuk udhëhoqi me atë mbledhje, por, për më keq, as që u ftua të marrë pjesë në mbledhje në të cilën po vihej dhunshëm një “kryetar” i ri, gjest ky që nuk ka kurrfarë kuptimi përveç kuptimit të talljes së Sulejman Rexhepit me nënkryetarin dhe me sekretarin e këtij Kuvendi.

Pra, vetëm brenda një jave, “reisi” ilegjitim, para dy organeve më të larta kolektive të BFI-së, dy herë radhazi i shkeli të gjitha aktet normative të BFI-së? Pse? Sepse vetë ai është i vetëdijshëm se këto dy organe më të larta kolektive janë ilegjitime, për rrjedhojë, të papeshë dhe të pafuqishëm për ta penguar dhe qortuar për veprimtarinë antiislame dhe antikushtetuese të Sulejman Rexhepit. Për këtë problem, Neni 58 i Kushtetutës së BFI-së thotë: Të zgjedhurit, të emruarit dhe të punësuarit në BFI-së, duke u nisur nga Reis ul Ulemaja e deri te muezini, mund të revokohen dhe të shkarkohen nëse nga organet dhe institucionet e BFI-së konstatohet se: qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI”.

Që nga momenti kur nisin të shkilen aktet normative, kur nuk ka përgjegjësi dhe ku privatizohen gjërat, aty merr fund jeta institucionale – ma bunije alel batili fe huve batil. Pra, myslimanëve të Maqedonisë urgjentisht ju duhet një BFI e reformuar, duke i hedhur shqelma shkelësit e akteve normative, ose kanë ngelur pa jetë fetare institucionale. A e meritojnë këtë derexhe myslimanët e Maqedonisë? Pa dyshim që jo! Le të shpresojmë për ditë më të mira që po afrohen, me ndihmën e Zotit Fuqiplotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button