Buxheti 2018, për Sheshin Skënderbeu u ndanë 125 milionë denarë

Sheshi “Skënderbeu” në Çarshinë e Shkupit edhe me buxhetin 2018 siguroi mjete në vlerë prej 125 milionë denarë. Nga Komuna e Çairit për Portalb.mk thanë se ato para parashihen me kontratën e realizimit të fazës së dytë të projektit kapital Sheshit Skënderbeu dhe jepen për shkak të punëve të kryera në fazën e dytë.

Për fazën e tretë, kur edhe përfundimisht pritet të mbarojë projekti kapital i “Sheshi Skënderbeu” është kryer vetëm analizë fizibiliteti.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu (FOTO: MIA)

“Në bazë të kërkesës për mjete plotësuese për ndërtimin e Sheshi “Skënderbe”, Qeveria e Maqedonisë solli konkluzion që mjetet e kërkuara në shumë prej 125 milionë denarë, të projektohen dhe parashikohen me buxhetin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2018”, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu, gjatë prezantimit të sotëm të buxhetit shtetëror për vitin 2018, raporton Portalb.mk.

Fazliu sqaroi se 125 milionë denarët janë dhënë për shkak të punimeve shtesë të bëra në realizimin e projektit Sheshi Skënderbeu.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komunës së Çairit, Kushtrim Alla sqaroi se 125 milionë denarët e Ministrisë për Sheshi Skënderbeu janë dhënë për punët që janë kryer në fazën e dytë të ndërtimit të këtij sheshi që u përurua në fund të gushtit të 2018-s.

“125 milionë denarët janë të holla që Ministria na i ka dhënë për punët që janë bërë gjatë realizimit të fazës së dytë të ndërtimit të Sheshit Skënderbeu. Nga ajo shumë, 35 milionë denarë janë për punë shtesë kurse 90 milionë denarët tjerë janë për punët e rregullta që janë bërë deri në shtator të 2017-s. Që këto para të merren tash është paraparë me kontratë. Në kontratë thuhet se për punët që do të kryhen gjatë vitit 2017, të hollat për ato do të lëshohen në buxhetin e viti 2018”, tha Alla.

Sheshi Skenderbej i Shkupit
Sheshi Skënderbeu në Çarshinë e Shkupit

 

Sipas asaj që tha Alla, faza e parë e Sheshit Skënderbeu ka kushtuar 3 milionë euro, kurse faza e dytë 10 milionë euro.

Alla nuk bëri të ditur se sa do të kushtojë faza e tretë e ndërtimit të këtij sheshi, pasi që, sipas tij “kjo nuk mund të dihet tash sepse për momentin është bërë vetëm analizë fizibiliteti për fazën e tretë, ndërsa tenderimi dhe ndërmarrjet që do të punojnë në këtë fazë ende nuk janë caktuar. Për këtë shkak nuk dihen mjetet dhe koha se kur do të nis apo përfundojë faza e tretë e Sheshi Skënderbeu”, tha Alla.

Sipas asaj që u tha, në fazën e tretë parashihet ndërtim i një parkingu nëntokësor me kapacitet të madh të parkimit të veturave. Megjithëse numri i vendeve të parkimit nuk u bë e ditur.

Përndryshe, një javë pas hapjes solemne të Sheshit Skënderbeu në Çarshi të Shkupit, ai u dëmtua menjëherë, dhe për këtë shkak tashmë pjesa e tij në vazhdimësi është nën kontroll të sigurimit.

nisja e realizimit të Sheshit Skënderbeu u bë në vitin 2012, ndërkohë që për të njëjtin u tha se do të përfundojë brenda dy vjetësh, në vitin 2014. Zvarritjet në realizimin e këtij projekti kapital u paraqiten që në fillim pasi që në fund të viti 2013 u miratua vendimi për nisjen e punimeve në fazën e dytë e cila përfundoi në fund të gushtit të 2017. Zvarritja e punimeve në këtë fazë për katër vjet shkaktoi kaos në Shkup.

Edhe pse si projekt shkoi paralelisht me projektin “Shkupi 2014”, Sheshi Skënderbeu në fillim u parapa se do të lidhet drejtpërdrejt me Filarmoninë e Maqedonisë, sërish ajo nuk u bë, kurse të hollat ndaj tij as që iu afruan milionë denarëve që u harxhuan për luanët e “Shkupit 2014”.

Edhe në vitin 2014 u ndanë të holla për këtë Shesh, në vlerë prej 11 milion eurove të cilat u parapanë të ndahet në disa vite: 2 milion për vitin 2014, 3 milion për vitin 2015, 3 milion për vitin 2016 dhe 3 milion për vitin 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button