Shkupi – Vardari nuk luhet në Çair

Të dielën duhet të luhet ndeshja e kthimit në mes skuadrës së FC Shkupi dhe asaj të KF Vardarit, ndërsa kjo ndeshje duhej të luhej në stadiumin e Çairit, ku Shkupi është nikoqire.

Por reshjet e dendura të shiut në fillim të dhjetorit, kishin dëmtuar këtë fushë në masë të madhe, andaj FFM kishte paralajmëruar Shkupin se nesh nuk përmirësohet gjendja e fushës, do të duhet të luhet në vend tjetër.

Pikërisht sot në stadiumin e FC Shkupi në vizitë ishin zyrtarët e FFM-s, të cilët inspektuan gjendjen momentale të fushës dhe kanë konstatuar se ndeshja nuk do të mundë të zhvillohet në këtë stadium. Për këtë kanë reaguar nga klubi bardhekaltër, duke thënë se FFM po luan me dy arshine dhe se për dikë janë nënë e për dikë njerkë. Në vazhdim ju sjellim reagimin eplotë të FC Shkupi, të postuar në faqen zyrtare të klubit.

“Sot në stadiumin e FC Shkupi në vizitë ishin zyrtarët e FFM-s, të cilët inspektuan gjendjen momentale të fushës, në të cilën gjatë ditëve sa kishim në dispozicion, tentuam që ta rregullojmë në mundësitë tonë. Por zyrtarët e FFM-s, nuk dhanë dritë jeshile që ndeshja të luhet në fushën tonë, me pretekst se nuk i përmbush kushtet, ndërkohë si alternativë e vetme për të plotësuar edhe kërkesat e tifozëve tanë ishte propozuar stadiumi në lagjen Gjorçe Petrov, i cili aspak nuk dallon nga stadiumi i Çairit dhe nuk ofron kushte më të mira.
Në një situatë të këtillë, ku nuk na është mundësuar që të bëjmë zgjedhje tjetër, për shkak të mos eliminohemi nga garat e Kupës së Maqedonisë, obligohemi që këtë ndeshje ta luajmë në stadiumin e Gjorçe Petrovit. Me këtë akt Federata e Futbollit të Maqedonisë edhe një herë ka dëshmuar se për disa ekipe është “nënë” e për disa të tjera “njerkë”.
Por gjithsesi, aspiratat e klubit janë që në këtë ndeshje të nxjerrim rezultat pozitiv dhe të kualifikohemi për në çerekfinale, ndërsa për të arritur këtë do të kemi nevojë edhe për përkrahje sa më të madhe të publikut, të cilët i ftojmë që në numër sa më të madh të vijnë të dielën ta mbështesin klubin e tyre të zemrës, drejt sukseseve të reja”, thuhet në reagimin e FC Shkupi.

Të përkujtojmë se FC Shkupi në ndeshjen e parë të luajtur po në stadiumin Gjorçe Petrov, ku nikoqire ishte skuadra e Vardarit, nxori rezultat pozitiv 1:1, që u jep mundësinë të shpresojnë në kualifikim tutje, e që në çerekfinale i pret skuadra e Shkëndijës. Ndeshja FC Shkupi – KF Vardari do të luhet të dielën (17.12.2017) me fillim në orën 13:00. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button