Shkup, Albana Ejupi shpalosi aktet dhe sintezat e siluetave (FOTO)

Në Qendrën Informative Kulturore (QIK) në Shkup, piktorja e re Albana Ejupi u prezantua të martën para artdashësve nga Maqedonia me rreth 25 vepra.

Ekspozita e titulluar ‘Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash’ përmes paraqitjes së akteve apo siluetave të punuara në vaj akrilik dhe teknikë të kombinuar, trajton tema të ndjeshme si vuajtjet dhe peripecitë jetësore, dashurinë, apo tema të tabuizuara si akti seksual, ndjenjat dhe emocionet që rrjedhin prej tij e po ashtu edhe gruan si bartëse të plleshmërisë dhe të përgjegjësisë për krijimin e jetës në përgjithësi.

Ekspozitën e hapi piktori Reshat Ameti i cili me këtë rast tha se Albana, formën e bukur të trupit të gruas dhe kompleksivitetit të natyrës së femrës, nuk e prezanton në mënyrë klasike, të shtrirë dhe melankonike, por e paraqet dinamike, të vetëdijshme për kërkesat e veta  që kanë dimensionin personal dhe pozicionin e vet në shoqërinë bashkëkohore.

“Edhe pse shpesh Albana, femrën e ka paraqitur në pozicion të shtrirë, por jo të qetë dhe pasive, ajo është aktive. Çdo pjesë e trupit është në lëvizje, në ankth, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe gjendjen shpirtërore të femrës e cila në këtë motiv  nuk është e qetë, melankolike, por në pritje, në aksion shpirtëror me dëshirë që të dominojë vullneti i saj,  ta pushtojë hapësirën. Realizimi  i fuqishëm  i vizatimit, ku  shpesh formën e femrës e paraqet vetëm me kontura dhe ngjason si siluetë çiftesh  pa shumë detaje”, theksoi Reshat Ameti.

Piktorja Albana Ejupi, fillimisht ka tërhequr vëmendjen me ekspozitën personale para dy  muajsh në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, ndërsa kjo është ekspozita e saj e katërt me radhë. Ajo është vetëm 23 vjeçare dhe që tani shquhet me veprat e saja të spikatura.  Është anëtare e rregull e Shoqatës së Artistëve Figurative “Draudacum” me seli në Gostivar.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 15 dhjetor.

Ekspozite QIK - Albana Ejupi (3)

 

Ekspozite QIK - Albana Ejupi (4)

Ekspozite QIK - Albana Ejupi (2)

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button