VENDET PA KUJTESË

Kur njeriu viziton për herë të parë një vend normal, ai sa ora mëson shumëçka për historinë dhe kulturën e atij vendi.

Në librarinë e parë gjen monografi e guida të ndryshme.

Mund të vizitojë monumente kulturore apo historike, ku i ofrohen të dhëna në disa gjuhë.

Mund të vizitojë muze ose arkiva, ku ruhen gjëra të moçme dhe me vlerë.

Mund të vizitojë biblioteka, plot me dokumente, manuskripte, dorëshkrime.

Ka edhe vende që vuajnë nga amnezia.

Aty nuk gjeni monografi apo guida për historinë ose kulturën e atij vendi.

Në biblioteka dhe arkiva nuk ruhen dorëshkrime apo manuskripte.

Aty njerëzit thirren në histori, por nuk duan të kujtojnë, sepse kënaqen me të tashmen e përjetshme.

Nëse pyesni për historinë e atij vendi, me gjasë, do t’u flasin për gjëra që kujtohen vetëm nga njerëzit e së tashmes.

Nëse i pyesni për vlerat kulturore, atëherë do të rrudhin krahët.

Mos pyesni për lokalitete arkeologjike, se çfarë ka ndodhur para disa shekujsh, çfarë është shkruar në kronika të moçme, çfarë kanë shkruar udhëpërshkruesit, sepse nuk do të merrni përgjigje!

Mos kërkoni biblioteka, që shërbejnë si “shtegtim drejt mendimit të harruar”, si thotë Eko!

As muze mos kërkoni (përveç të njëfarë lufte të quajtur “nacional çlirimtare”) dhe as arkiva (përveç atyre ku ruhen dokumente të parëndësishme)!

Mos pyesni shumë për kësi gjërash se mund t’u përçmojnë ose t’u pandehin të marrë!

Se aty nuk rrojnë arbëreshët, këta bij kontësh e konteshash, këta adhurues arkivash e bibliotekash, këta respektues të historisë së çdo vendbanimi të tyre.

Në vendin e amnezisë ka edhe të marrë që gjurmojnë pas shënimeve të harruara, por aty pakkujt i interesojnë shënimet e këtilla.

Njerëzve të veprimit, për shembull, u interesojnë manifestimet ku mblidhen shumë njerëz, sepse sa më shumë njerëz, aq më shumë vota.

Në vendin e amnezisë gjithçka shihet si votë.

Aty shumëkush merret me përkohësinë.

Njerëzit aty vazhdojnë të ecin rrugëve që mbajnë emra të çuditshëm, jetojnë në të tashmen e përhershme dhe kënaqen me bukën e përditshme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button