Maqedoni, edhe tre komuna shqiptare u betuan se do të jenë transparente dhe të hapura me qytetarët

Tridhjetë komuna të Maqedonisë iu bashkëngjitën iniciativës së fondacionit “Metamorfozis” për përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë të institucioneve duke nënshkruar kështu deklaratë publike, njofton Portalb.mk. Kryetarët e komunës së Gazi Babës, Aerodromit, Bogovinës, Vrapçishtit, Zhelinës, Gjorçe Petrovit dhe Karposhit sot duke dhënë nënshkrimin e tyre iu bashkëngjitën listës së komunave që u betuan se do të jenë të hapur që qytetarët të dinë gjithçka që duhet për vendimet e tyre në komunë, se do të bëjnë publike të dhënat ku i harxhojnë paratë, do të konsultojnë banorët për miratimin e buxhetit si dhe për disa veprime të tjera të transparencës. Në listë janë gjithsejt gjashtë komuna shqiptare së bashku me atë të Tetovës, Tearcës dhe Bërvenicës.

Drejtori i Metamorphosis Bardhyl Jashari dhe kryetarët e komunave
Drejtori i Metamorphosis Bardhyl Jashari dhe kryetarët e komunave

“Morëm këtë iniciativë për ti hapur komunat tona sepse sipas indeksit të transparencës të institucioneve Maqedonia është e fundit në rajon. Komunat nuk publikojnë të dhëna se ku i harxhojnë paratë, kush merr pjesë në strukturën organizative, e as të dhënat për marrëveshjet dhe tenderët. Ne si OJQ nuk jemi këtu për të thënë çfarë nuk bën, por edhe për të dhënë udhëzime, në bazë të ekspertizës tonë që kemi si duhet vepruar më tej. Në hulumtimin tonë, metodologjia e cila gjendet në ueb faqen tonë, përpos asaj që matet sa janë të hapura institucionet ndaj qytetarëve, jepen edhe rekomandime dhe këshilla se sit ë veprohet konkretisht dhe udhëzime konkrete për hapjen e të dhënave që ju shërbejnë qytetarëve. “ u shpreh drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

Ai theksoi se nëse së bashku komunat punojnë të jenë të hapura dhe duke pasur interaksion me qytetarët do të përforcohen marrëdhëniet me to kështu që do të rritet dhe besimi i tyre ndaj institucioneve dhe me këtë do të përforcohet edhe demokracia në vend.

Sipas hulumtimit që e ka realizuar Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” në gjashtë shtete të regjionit, komunat në Republikën e Maqedonisë plotësojnë 34% të indeksit për qasje të hapur. Në bazë të parimeve të transparencës, qasjes, integritetit dhe efikasitetit, në bazë të të cilave është realizuar hulumtimi, plotësimi indikatorëve për qasje të lirë në komunat e Republikës së Maqedonisë është në nivelin më të ulët, gjegjësisht komunat plotësojnë 27% të indeksit, që kanë të bëjnë me sigurimin dhe respektimin e  procedurave për qasje të lirë deri te informatat dhe përmirësimin e bashkëpunimit me qytetarët. Hulumtimi është bërë në kuadër të projektit ACTION SEE – Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjeti i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” dhe është  kryer nga tetori deri në fund të dhjetorit të vitit 2016.

Metamorphosis dhe kryetarët e komunave
Metamorphosis dhe kryetarët e komunave

Bashkëorganizatorë të ngjarjes së sotme ishin edhe Komuna e Gazi Babës dhe ajo e Karposhit.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, premtoi se do t’i publikojnë të gjitha marrëveshjet dhe tenderët, ndërkaq gjithashtu tha se mënyra e vetme që puna të jetë e suksesshme që të punojnë në mënyrë transparente dhe t’i përfshijnë qytetarët në marrjen e vendimeve të komunës.

“Ajo që është e rëndësishme në drejtim të transparencës është se ne si komunë, duke i ndjekur rekomandimet e Ministrisë së Financave do t’i publikojnë të gjitha marrëveshjet dhe tenderët. Qytetarët do të kenë mundësi që në drejtpërdrejt që të shohin se si harxhohen paratë e tyre. Llogaridhënia ndaj qytetarëve gjithashtu është e rëndësishme, unë dhe kolegët e mi nuk kemi për qëllim që të harxhojmë para në reklama milionëshe dhe llogaridhënie të shtrenjta. Llogaridhënia më e madhe do të jetë ajo te qytetarët për çka jemi edhe të zgjedhur. Në këtë komunë problemet janë aq të mëdha, ashtu sikur edhe te të tjerat që nuk duhet që të lavdërohemi. Mënyra e vetme që të jemi të suksesshëm në punë është që të punojmë në mënyrë transparente dhe t’i përfshijmë qytetarët në marrjen e vendimeve në komunë”, tha Georgievski.

Kryetari i Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev paralajmëroi se në vitin e ardhshëm do të kyçen edhe qytetarët dhe organizatat joqeveritare në krijimin dhe miratimin e buxhetit, ndërkaq sipas tij, është e rëndësishme që komunat të komunikojmë ne qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale që të bëhen punët në mënyrë më efektive.

“Duhet të vijë në shprehje transparenca dhe komunikimi i jonë me qytetarët, veçmas nëpërmjet rrjeteve sociale që qytetarët e moshave të ndryshme dhe pjesëve të ndryshëm të komunave i shfrytëzojnë si mjet për informim dhe komunikim me ata zyrtarë që vetë i kanë zgjedhur. Ne në Komunën e Karposhi, sektor të veçantë për pranimin e qytetarëve nuk kemi, pasi që çdo ditë pranojmë qytetarë dhe komunikojmë me ta. Të gjitha dokumentet me karakter publik mundohemi që t’i publikojmë. Pasi që tani është periudha kur dhe miratohet buxheti, ne kemi takime intensive me grupet e qëllimit, por edhe me organizatat qytetare të cilat merren me politika rinore, mbrojtjen e kafshëve, shoqatat e pensionistëve, shoqatat për mbrojtje të gjelbërimit. Atë që e paralajmërojmë se që në vitin e ardhshëm do të kyçen plotësisht qytetarët, organizatat qytetare dhe joqeveritare në të gjitha fazat e krijimit dhe miratimit të buxhetit të komunës. Në këtë kohë, veçmas ne krerët e komunave duhet të vendosim theks në shfrytëzimin e rrjeteve sociale për komunikim me qytetarët, pasi që ajo është mënyra më e shpejtë dhe më e lehtë që edhe qytetarët të vijnë deri te ne, por edhe ne t’ua themi atë për të cilën ata interesohen në çfarëdolloj periudhe të kohës”, tha Bogoev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button