“Star”: Në Bruksel do të bisedohet për “Maqedoninë e Re”

 “Maqedonia e Re” është propozimi për të cilin do të bisedohet në Bruksel në takimin e ndërmjetësit Methju Nimic me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë, kumtoi televizioni grek, “Star”.

Në materialin e publikuar në lajmet qendrore të televizionit, ceket se nëse Shkupi dakordohet me këtë propozim, do të hapet rruga për zgjidhjen e çështjes së emrit në gjysmën e parë të vitit 2018, siç paralajmëruan edhe kryeministri Aleksis Cipras dhe shefi i diplomacisë, Nikos Koxias.

Стар 2

“Star” thekson se propozimi fillestar grek ka qenë “Maqedonia e Vardarit”, por tani ka ardhur deri te propozimi “Maqedonia e Re”, siç ishte në vitin 1992 në pakon e ashtuquajtur “Pineiro”, që atëherë ishte refuzuar.

Emri me përcaktim gjeografik si “Maqedonia Veriore” nuk është i pranueshëm për palën greke, sepse, siç ceket, nuk do ta parandalonte irredentizmin e Shkupit dhe implikon ekzistimin edhe të Maqedonisë Jugore, që nuk është e pranueshme edhe për Bullgarinë.

Më pas përkujtohet deklarata e Ciprasit për “Star” e dhënë pas marrjes së pushtetit, ku thotë se Greqia ka gabuar që para 20 viteve nuk e ka pranuar pakon “Pineiro” e cila parashihte emër të përbërë me përcaktim gjeografik, që sipas tij, do të ishte zgjidhje e mirë për kontestin.

Стар 1
“Star” komenton se tani çështja është se si propozimi do të kalojë në Qeverinë greke, posaçërisht tek Panos Kamenos, partner i koalicionit të Ciprasit, i cili deri më tani kundërshtonte ashpër që fjala Maqedoni të qëndrojë në emrin e fqinjit verior. Sa i përket Parlamentit dhe Demokracisë së Re opozitare, “Star” e transmeton pritjen e Ciprasit se ky nuk do të jetë problem sepse propozimi do të jetë i pranueshëm për disa deputetë opozitarë me çka do të mundësohet të kalojë në shtëpinë ligjvënëse.
Mediumet greke sot kumtojnë edhe se darka e planifikuar e punës e Methju Nimicit me përfaqësuesit e të dy vendeve, Ademantios Vasilakis dhe Vasko Naumovski mbrëmë nuk është mbajtur për shkak të kushteve jo të mira të motit në aeroportin në Bruksel dhe pamundësisë së ndërmjetësit për të arritur me kohë.
Raundi i ri i bisedimeve për emrin është planifikuar për sot, pas çka Nimic do të mbajë edhe konferencë për shtyp në ndërtesën e Info Qendrës rajonale për Evropë Perëndimore të KB-së (UNRIC).

Në bisedimet në Bruksel, Naumovskin do ta shoqërojë një diplomat i MPJ-së, ndërkaq formati i njëjtë i cili është dakorduar me Nimicin, do të jetë edhe nga pala greke.

Raundi i fundit formal i negociatave të ndërmjetësit të KB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve ishte mbajtur në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button