Ikja e Gruevskit, fillimi i një rruge të gjatë drejt reformimit dhe përçarjes së VMRO-së

Se a mund të priten reforma thelbësore tani, kur lideri i deritanishëm i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dha dorëheqje nga drejtimi i partisë, e cila ka qeverisur në Maqedoni nga viti 2003 e deri ne qershor të këtij viti, njohësit e çështjeve politike shprehen për Portalb.mk skeptik lidhur me këto reforma të paralajmëruara.

Jove Kekenovski, njohës i çështjeve politike dhe ish-zyrtar i partisë VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit tha për Portalb.mk se me thirrjen e delegacionit të njejtë që votoi Gruevskin në kongresin e kaluar, nuk mund të priten reforma.

“Kështu siç është thirrur kongresi, me delegatët e njejtë që 102.3 për qind kanë votuar për Gruevskin në kongresin e kaluar, nuk mund të priten reforma themelore në këtë parti. Do të jetë gjithçka me të vjetrën, vetëm pa Gruevskin. Si do që të jetë Gruevski do të mundohet që në krye të kësaj partie të vendos një person që do ta ketë nën kontroll dhe kjo tani më është e qartë se kështu do të ndodhë”.

Ai shtoi se VMRO-ja nuk ka të ardhme me anëtarët që tani më nuk kanë kredibilitet dhe ishin bashkëpunëtor të krimit.

“Në të ardhmen nuk do të ngelet asgjë nga VMRO-ja, ngase ata që ishin nuk kanë kredibilitet, janë bashkëpunëtor të krimit dhe në mënyrë absolute nuk do të kenë mundësi të reformojë e as ta stabilizojnë VMRO-në”.

Sefer Selimi nga Democracy Lab thotë për Portalb.mk se dorëheqja e Gruevskit është fillimi i një rruge të gjatë drejt reformimit të VMRO-DPMNE.

“Dorëheqja e Gruevskit është fillimi i një rruge të gjatë drejt reformimit të VMRO-DPMNE. Megjithëse mungesa e transparencës dhe zgjedhja e delegatëve përmes një procesi të kontrolluar me shumë të drejtë ngre pikëpyetje për kredibilitetin e kryetarit të ardhshëm dhe hedh dyshime se ajo parti do të ngel e robëruar nën diktatin e Gruevskit, kjo dorëheqje do të nxis doemos ndryshime përbrenda partisë”, tha Selimi për Portalb.

Ai shtoi se kryetarin e ri të partisë e presin përçarje të mëdha brendapartiake.

“Në pikëpamjen time, Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE i përsëritet historia e zgjedhjes së tij në krye të kësaj partie. Kryetarin e ri të partisë e presin përçarje të mëdha brendapartiake, një numër i madh i skandaleve korruptive të trashëguar nga qeverisja me Maqedoni dhe përballje të anëtarëve të saj më kryesor me drejtësinë. Për të konsoliduar pozicionin e tij në krye të partisë, kryetari i ri do t’a ketë të domosdoshme të krijoj një pikë ndarëse me të kaluarën dhe të ndryshojë strukturën, strategjinë dhe politikën e deritanishme në qoftë se dëshiron të rikthehet në pushtet. Ndryshe, kjo parti do të ngelet e izoluar nga të gjithë faktorët relevant, do të përçahet për brenda dhe në fund do të ndjek fatin e partisë së ish-kryetarit Lupçe Gjorgjievski”, shtoi Selimi.

Ndryshe, Gruevski, i cili ka ardhur në krye të partisë në vitin 2003, ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme në Komitetin Drejtues të partisë, për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të muajit tetor.

Rënia e Gruevskit

Me fillimin e publikimit të “bombave”, “shoku” Gruevski që kishte në duar pushtetin absolut, duke përfshirë edhe gjykatat, filloi ta humb fuqinë nga shkurti i vitit 2015, kur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëshmonte me biseda të përgjuara krimin e pushtetit të VMRO-DPMNE-së. Gruevski fillimisht “nuk lëshoi pe”, ndërkaq nëpërmjet makinerisë propagandistike në media, ai u shpalli luftë faktorëve ndërkomëbtare duke i akuzuar ata se i kanë ngritur “kurth”.

3 muaj pas fillimit të publikimit të “bombave” ndodhi incidenti i Goshincë, ndërkaq menjëherë më pas edhe konflikti i armatosur mes Grupit të Kumanovës dhe forcave të Maqedonisë, ku si pasojë u vranë 8 polic dhe 10 pjesëtarë të grupit. Këto dy raste, në opinion shquhen si të inskenuara nga shërbimet sekrete të cilat kanë pasur për qëllim që të humbin vëmendjen nga publikimi i “bombave”, prej të cilave dilnin afera korruptive nga pushteti i atëherhshëm i Gruevksit, transmeton Portalb.mk.

Nikolla Gruevski, fotografi e edituarNikolla Gruevski, fotografi e edituar

Pas këtij incidenti, faktori ndërkombëtar ka ndërhyrë duke iniciuar bisedime disamujore për të krijuar të ashtuquajturën Marrëveshja e Përzhinës. Sipas kësaj marrëveshje, Zaev duhej të ndalë me publikimin e “bombave”, ndërkaq, Gruevski duhej të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Si rezultat i kësaj marrëveshjes, u krijua Prokuroria Speciale Publike (PSP) e cila pushtetin e Gruevskit e akuzon për mashtrime zgjedhore, gjegjësisht falsifikim të tyre; për qërim hesapesh me kundërshtarët politik me burgosje dhe raste të montuara si dhe me dëmtim financiar të tyre; për fshehje të tatimit, malverzimeve dhe larje parash; për jetë luksi në shpinë të qytetarëve; për kurdisje të tenderëve me vlera marramendëse; me përgjim të gazetarëve, politikanëve, njerëzve me poste të ndryshme, por edhe të qytetarëve.

Gjithsesi, Gruevski, do të mbahet mend si kryeministri që bëri regres në proceset euro-atlantike, në lirinë e mediave, sistemin gjyqësor, marrëdhëniet ndëretnike, por edhe në stagnimin ekonomik të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button